Pyetje: Esselamu alejkum hoxhe i nderuar. Allahu ju shperblefte me Xhennetin Firdeus per sakrificen tuaj ne Dinin e Allahut. Pyetja ime eshte: Ne namaz kur falemi, kam pa disa persona qe kur kthehen nga rukuja i lidhin duart perseri si ne fillim te namazit. Si eshte sipas sunetit dhe a ka argumente te forta per kete apo nuk duhet te lidhen duart? Ju lutem me jepni nje pergjigje qe te mundem ta praktikoj ate me te sakten inshAllah. Dhe pyetja e dyte, une lexoj Kur’an mirpo me se shumti lexoj arabisht se shqip, tash si eshte me mire shqip te lexoj apo arabisht? Sepse tash vjen edhe muaji i Ramazanit dhe dua te di qe te lexoj me shume arabisht apo shqip, sepse une nuk e kuptoj arabishten. Allahu ju shperblefte me te mirat e Tij ju dhe familjen tuaj.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket lidhjes së duarve pas ngritjes nga rukuja, dijetarët kanë ndryshumar mendimet e tyre:

-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se lidhja e tyre pas rukusë është sunet, ngase hadithi i cili flet për lidhjen e duarve është i përgjithshëm dhe prej tij mund të nënkuptohet lidhja e duarve para rukusë dhe pas saj.

-Ndërsa shumica e dijetarëve janë të mendimit se lidhja e duarve pas rukusë nuk është prej sunetit të Pejgamberit (salallahu alejhiveselem), ngase për këtë nuk ka ndonjë argument. (Ky është dhe mendimi i Shejh Albanit rahimehullah, i cili lidhjen e duarve pas rukusë e llogaritë edhe bidat)

Thotë Muhadithi Ebu Is’hak El-Huvejnij: Më e vërtetë është moslidhja e duarve pas rukusë, ngase qëndrimi pas rukusë është qëndrim i veçantë, për të cilin kërkohet edhe argument i veçantë… E nëse njeriu analizon transmetimet e shokëve të Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) e sheh se ata nuk kanë lënë asgjë pa na e transmetuar, bile na kanë transmetuar edhe mbajtjen e gishtave të hapur në gjunjë (gjatë rukusë) dhe bashkimin e tyre gjatë tekbirit fillestar, dhe pas gjithë këtyre transmetimeve me kaq precizitet, mos të na përcjellë asnjë prej tyre asnjëherë se pas (ngritjes nga rukuja dhe) thënies: SemiAllahu limen hamideh, të lidhet dora e djathtë mbi të majtën?!

Kështuqë mendimi të cilin mendojmë se është më i saktë, është mendimi i shumicës së dijetarëve, se duart lëshohen pas ngritjes nga rukuja dhe nuk është sunet lidhja e tyre.

Ndërsa sa i përket leximit të Kur’anit, nuk ka dyshim se leximi i tij bëhet në gjuhën arabe dhe leximi i tij në gjuhën shqipe nuk ka mundësi të arrijë në vlerën dhe shpërblimin e tij në gjuhën arabe. Lexo në lidhje me këtë: A duhet të bëj dua pas leximit të Kur’anit në gjuhën shqipe?

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.