Pyetje: Selam alejkum Hoxhe i nderuar. Kisha nje pytje sa i perket disa lloj ushqimeve p.sh. bonbonat kane nje sasi te polyhydrik alkohol, si dhe disa ushqime qe permbajn uthull nga vera e kuqe dhe vera e bardhe. Allahu te shperblefte. Selamun alejkum

Pyetje: Esselamu Alejkum hoxh i nderuar. E kam nje pytje rreth ushqimit te cikat kane shume pak alkohol si per shembull uthulla. A mundem ti perdori un ato ushqime apo jo? Ju faleminderit shume dhe Allahu jua shperblefte..

Pyetje: A lejohet me hanger sevendey dhe zemra me mjalte ku shkruan qe kane alkohol, pasi njeri nga hoxhallaret ka thane ben me i hanger se tretet kur pjeken alkoholi ashtu edhe mishin qe qesin vene dhe po thone qe humbet ai kur piqet. Allahu na rujt.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Të gjitha ushqimet në esencë janë të lejuara, përveç atyre që për ndalimin e tyre ka ardhur argument. Thotë Allahu (azzevexhel): “Thuaj: Në atë që më është shpallur mua, nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqim) është: cofëtinë, gjak i derdhur, ose mish derri, ai është i ndytë, dhe pos asaj që është therrur jo në emër të Allahut…” (En’am – 145)

Gjithashtu thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Atë të cilën Allahu e ka lejuar në librin e Tij është e lejuar, dhe atë të cilën Allahu e ka ndaluar në librin e Tij është e ndaluar, ndërsa për atë të cilën ka heshtur Ai, ajo është e falur”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të mirë)

Së dyti: Nuk ka dyshim se alkooli dhe çdo gjë tjetër dehëse është e ndaluar në Islam dhe për këtë ka argumente të shumta. Prej tyre është fjala e Allahut ku thotë: “O ju që keni besuar, s’ka dyshim se vera, bixhozi dhe hedhja e shigjetës (për fall), janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”. (Maideh – 90)

Dhe thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Çdo gjë dehëse është verë dhe çdo gjë dehëse është haram”. (Transmeton Muslimi)

Dhe thotë: “Çdo gjë që shumica e saj të dehë, edhe pakica e saj është haram”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë)

Së treti: Shkaku i ndalimit të alkoolit dhe pijeve dehëse është dehja dhe humbja e vetëdijes. Thotë Hafidh Ibn Haxheri: Vendimi i Islamit sjellet me shkakun (e ndalimit të tij) dhe shkaku i ndalimit të alkoolit është dehja, andaj çdo herë që gjendet dehje (në ndonjë gjë), gjendet edhe ndalimi i (Islamit ndaj) saj. (Fet’hul Bari 10/56)

Kështuqë, nëse ushqimet apo pijet e lartpërmendura janë dehëse, apo vërehet ndikimi i alkoolit në to, atëherë ato janë të ndaluara. Ndërsa nëse ato nuk janë dehëse dhe nuk vërehet kurfar ndikimi nga përqindja e alkoolit në to, atëherë ato janë të lejuara.

Thotë Dr. Muhamed Alij El-Bari: Ndoshta shumica e lexuesve nuk e dijnë se pijet e gazuara si: Pepsi Cola, apo Coca Cola dhe të tjerat, përmbajnë në fillimin e tyre një sasi të vogël alkooli.. E nëse njeriu pi shumë prej këtyre pijeve si Pepsi Cola, a dehet? E njohur dhe me pajtimin e të gjithëve është se nuk dehet, edhe nëse pi një sasi të madhe të tij. Kështuqë, shkaku i ndalimit i cili është dehja, është i humbur.. Andaj, nuk janë këto pije përveçse të lejuara, ngase shkaku i ndalimit është i humbur, e i cili është dehja.. dhe nuk bartet mbi këto emri i alkoolit (nuk quhen alkool) as në aspektin gjuhësor e as në atë fetar dhe as që marrin vendimin e Islamit sikur të tij (alkoolit). (Alkooli ndërmjet mjekësisë dhe fikhut 65)

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Mos mendo se çdo përqindje e alkoolit në ndonjë gjë, e bën atë të ndaluar, por nëse përqindja e tij ndikon saqë nëse pi njeriu prej asaj që është përzier me alkool dehet, atëherë ajo është e ndaluar. Ndërsa nëse përqindja është shumë e vogël dhe është humbur ndikimi i tij dhe nuk ndikon fare, atëherë është e lejuar.

Disa prej njerëzve mendojnë se fjala e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem): “Çdo gjë që shumica e saj të dehë, edhe pakica e saj është haram” e ka kuptimin se çdo gjë që përzihet me të edhe nëse ai (alkooli) është pak, është haram edhe nëse ajo (që përzihet me alkool) është shumë. Ky është kuptim i gabuar i hadithit. Çdo gjë që shumica e saj të dehë, edhe pakica e saj është haram, e ka kuptimin se çdo gjë që nëse pi shumë prej saj të dehë dhe nëse pi pak prej saj nuk të dehë, pakica dhe shumica e saj janë haram.. Ndërsa ajo që përzihet me pije dehëse dhe pija dehëse në të është pak, saqë nuk ka kurfar ndikimi në të, ajo është e lejuar dhe nuk hyn në këtë hadith. (El-Babul Meftuh 3/382)

Së katërti: Uthulla e cila është prej alkooli dhe është shëndrruar vetë në uthull, duke mos e shëndërruar atë njeriu, është e lejuar me pajtimin e gjithë dijetarëve. (Meusuatul Fikhijeh 19/262) Bile është prej ushqimeve të dobishme, të cilën e ka lavdëruar edhe vetë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem). (Transmeton Muslimi – 2052)

Si dhe uthulla e cila në esencë nuk është prej alkooli, është e lejuar dhe nuk ka ndonjë pengesë për lejimin e saj. (Komisioni i Përhershëm 22/121)

Ndërsa shëndërrimi i alkoolit në uthull me dorën e njeriut është i ndaluar dhe nuk lejohet muslimani të përdorë alkool, qoftë edhe për këtë qëllim. Ngase Allahu (azzevexhel) ka urdhëruar duke thënë: “Largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”. Kështuqë muslimani duhet të largohet prej alkoolit në çdo rast dhe mos t’i afrohet atij asnjëherë.

Gjithashtu Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) kur u pyet: “A lejohet të shfrytëzohet alkooli për ta shëndërruar atë në uthull? Tha: Jo.” (Transmeton Muslimi – 1983)

Por, nëse këtë e bën një person i cili nuk është musliman dhe e sheh sipas fesë së tij se një gjë e tillë është e lejuar, lejohet për muslimanin shfrytëzimi i saj (uthullës). Ngase ndalimi në këtë është afrimi dhe përdorimi i alkoolit. Kështuqë nëse nuk e përdorë atë fare, atëherë lejohet uthulla e cila shitet prej tyre.

Thotë Shejh Ibn Uthejmin: Disa të tjerë (prej dijetarëve) kanë thënë: Nëse e shëndërron në uthull ai i cili beson se alkooli është i lejuar, sikur ithtarët e librit, jehudët dhe krishterët, atëherë lejohet dhe bëhet e pastër. E nëse e shëndërron në uthull ai i cili nuk e ka të lejuar atë (alkoolin) atëherë është e ndaluar dhe e papastër.. Dhe ky është mendimi më i afërt, dhe në bazë të kësaj, uthulla e cila vjen prej jehudëve dhe krishterëve është e lejuar dhe e pastër, ngase ata e kanë bërë këtë në mënyrën që e besojnë si të lejuar. (Sherhul Mumti’ 1/250 dhe 10/53)

Edhepse disa prej dijetarëve thonë se nëse muslimani e shëndërron atë në uthull, ai e ka mëkatin për veti, ndërsa muslimanët tjerë lejohet ta përdorin atë. (Sherhul Mumti’ 1/250) Por, mendimi i Shejh Ibn Uthejminit është më i afërt, ngase me mosblerjen e muslimanëve tek ai, pengohet ai në vazhdimin e punës së tij në haram dhe i lehtësohet largimi prej saj.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.