Pyetje: Selam alejkum i nderuari hoxhe i yni. Kam nje problem kur shkoj tek familja ime, babi nuk punon, vellau punon ne keto lojra runa zot me aparata, nga aty e merr rrogen. A kam haram te ha aty ushqim kur i vizitoj prinderit? Kam provuar nja dy tri here kur i kam vizituar te mos ha dhe nena ime e babi hidherohen kur nuk ulem per te ngrene. Si te veproj une, edhe vajzen e kam 2 vjeqare dhe asaj i japin te han nga aty, si te refuzoj nga shtepia e prinderve te ha apo pi dicka ata me hidherohen. T’ju them se ushqeheni nga harami ata pom hidherohen. A duhet ti vizitoj me rralle dhe te largohem, kur une jam e mbuluar dhe me bren ndergjegjja dhe sndihem mire ngase nuk po marr nje pergjigje adekuate.. Allahu ju rujt dhe ju qofte ne Xhenet pa llogari qe keni hapur kete faqe, koheve te fundit e gjeta ne internet kete faqe dhe po ndina mire qe pres pergjigje nga hoxha. Selam alejkum

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pasuria e ndaluar në Islam është dy lloje:
-Pasuria e cila është e ndaluar në vetëvete, si: Pasuria e vjedhur, e uzurpuar, etj. Kjo pasuri është e ndaluar për atë i cili e posedon atë pasuri dhe për atë të cilit i dhurohet ajo. Kështuqë nëse dikush të ofron ushqim i cili është i vjedhur, është i ndaluar ky ushqim për atë dhe për ty që të dhurohet ai. Dhe nëse dikush psh: e vjedh një dele dhe pastaj e therr atë në emër të Allahut dhe sipas Sheriatit Islam, ngrënia e këtij mishi është e ndaluar.

-Pasuria e cila është e ndaluar për shkak të mënyrës së fitimit të saj, si: pasuria e fituar me kamatë, me bixhoz, me ryshfet, etj. Kjo pasuri është e ndaluar për atë që e ka fituar në këtë mënyrë, ndërsa nuk është e ndaluar për atë që i dhurohet prej kësaj pasurie nëse ai nuk bashkëpunon për fitimin e saj. Kështuqë nëse dikush fiton pasuri nëpërmjet bixhozit, kjo pasuri është e ndaluar për të. E nëse ai pastaj me ato të holla të blen një dhuratë ty, ajo dhuratë për ty është e lejuar, ngase ti e ke fituar atë në mënyrë të lejuar.

Transmetohet me zinxhirë të vërtetë nga Abdullah ibn Mes’udi (radijallahu anhu) i cili u pyet se: Nëse të fton për ushqim fqiu i cili punon me kamatë, a lejohet t’i përgjigjesh atij? Tha: Përgjigju, ngase nderi është për ty, ndërsa mëkati bie mbi të. (Xhamiul Ulumi vel Hikem 71)

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Nëse njeriu e di se prindi i tij e ka pasurinë e ndaluar, nëse ajo është e ndaluar në vetëvete, dmth: ai e di që prindi i tij e ka vjedhur atë, atëherë nuk lejohet që të ushqehet me të… e nëse është pasuria e ndaluar për shkak të mënyrës së fitimit të saj, dmth: ai punon me kamatë, apo me mashtrime, apo të ngjashme me këto, atëherë lejohet të ushqehet me të dhe mëkati i mbetet atij (prindit të tij). (Likaul Babil Meftuh 13/188)

Kështuqë lejohet ju të ushqeheni në shtëpinë e prindërve të juaj. Edhepse nëse mendoni se mosushqyerja e juaj do të ndikojë në ta dhe mund të largohen nga fitimi i pasurisë në atë mënyrë, atëherë më mirë ndërprejeni atë për një kohë, deri të pëmirësohet gjendja e tyre. E nëse kjo nuk ndikon fare, atëherë së paku këshilloni ata edhe nëse ata hidhërohen. Ndërsa mos u largoni prej tyre, ngase ata janë prindër edhe nëse është gjendja e tyre e këtillë. Por mundohuni vazhdimisht t’i këshilloni ata, ndoshta Allahu e përmirëson gjendjen e tyre dhe këshilla juaj u bën dobi atyre.

Allahu ju shpërbleftë për lutjen tuaj dhe Allahu e pranoftë atë. Amin

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.