POSTED ONDECEMBER 27, 2017
A lejohet notimi duke qenë agjërueshëm?

Pyetje: Selamun Alejkum Shejh, a lejohet me shku ne bazen duke qen agjerushem?

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Shkuarja në vende të tilla, si bazenet, plazhet, e vende tjera të ngjashme me to, nëse janë të përziera në to të dy gjinitë, atëherë është e ndaluar qoftë duke qenë agjërueshëm apo jo. Gjithashtu nëse janë vetëm të njëjtës gjini, por zbulohen aty pjesët e turpshme që muslimani nuk ka të drejtë t’i shikojë, përsëri është e ndaluar.
Ndërsa nëse vendi është i pastër nga haramet tjera, atëherë notimi është i lejuar edhe duke qenë agjërueshëm, me kusht që mos të hyjë uji në fyt gjatë notimit. Siç ka ardhur në fetvanë e Komisionit të përhershëm: “Lejohet notimi në ditë të Ramazanit, vetëmse duhet notuesi të kujdeset që mos të hyjë uji në fytin e tij”. (10/281).

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

POSTED ONDECEMBER 27, 2017
Si duhet të veprojë gjidhënësja gjatë muajit të agjërimit?

Pyetje: Selam alejkum hoxhe, nese gruaja e ka fmiun e vogel ne gji, a e ka farz agjerimin, a munet me e prishe ate, dhe a duhet me i agjeru ato dite mas ramazanit?? Allahu ju shperbleft.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Së pari: Gruaja e cila e ka fëmiun e saj në gji dhe ka frikë për fëmiun e saj se nuk i mjafton qumshti për shkak të agjërimit, atëherë lejohet për të që mos të agjërojë, ndërsa nëse qumshti mjafton për fëmiun dhe nuk ka ndonjë dëm në fëmiun e vogël për shkak të agjërimit të saj, atëherë ajo duhet të agjërojë dhe nuk ka të drejtë ta prishë agjërimin.

Së dyti: Sa i përket kompenzimit të ditëve të cilat nuk i ka agjëruar gjidhënësja, dijetarët janë ndarë në mendime të ndryshme se si duhet t’i kompenzojë ato ditë.
Sipas Imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, ajo duhet për çdo ditë të agjërojë nga një ditë dhe gjithashtu të paguaj nga një ushqim për një të varfër.
Sipas Imam Euza’it, Theurit dhe Ebu Hanifes, mjafton për të që të agjërojë nga një ditë, për çdo ditë që e ka prishur atë dhe nuk ka nevojë të ushqejë të varfër, dhe këtë duke e krahasuar atë (gruan) me të sëmurin.
Sipas Imam Ibn Hazmit, ajo nuk ka nevojë as të agjërojë e as të ushqejë të varfërit për të kompenzuar ditët e prishura, ngase për obligueshmërinë e tyre nuk ekziston ndonjë argument.

Ndërsa sipas Abdullah ibn Abasit dhe Abdullah ibn Omerit, Is’hak ibn Rahavejt (dhe ky është mendimi edhe i Shejh Albanit), ajo duhet që për çdo ditë që nuk e ka agjëruar, të ushqejë nga një të varfër me një ushqim mesatar, duke mos i agjëruar ditët e prishura. Ky është mendimi më i saktë me të cilin e adhurojmë Allahun, ngase fjala e sahabëve ka përparësi para të tjerëve dhe gjithashtu nuk dihet se ndonjë nga sahabët tjerë e ka kundërshtuar këtë.

Thotë Abdullah ibn Abasi: Ajo e cila është shtatzënë dhe ajo e cila e ka fëmiun në gji, nëse kanë frikë (për veten apo fëmiun), (e prishin agjërimin) dhe ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

POSTED ONDECEMBER 27, 2017
A pranohet abdesi nëse nuk bën Bismilah?

Pyetje: Selamun alejkum Shejh nese nuk ban Bismilah para se me mar abdest a kije Abdest?

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se Besmeleja para abdesit është gjë e pëlqyer, siç është e pëlqyer të thuhet para shumë gjëra të mira apo të lejuara.

Ndërsa disa nga dijetarët, janë të mendimit se thënia e Besmelesë para abdesit është obligim, duke u bazuar në hadithin i cili thotë: “Nuk ka abdes ai i cili nuk e përmend emrin e Allahut”. Por, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ky hadith dhe hadithet e ngjashëm me këtë, janë prej haditheve të dobëta të cilat nuk merren për argument.

Ndërsa hadithet e vërteta, të cilat përshkruajnë mënyrën e marrjes së abdesit nga Pejgamberi (salallahu alejhiveselem), asnjë prej tyre nuk përmend thënien e Besmelesë në fillim.

Andaj, përfundimisht themi se nëse njeriu merr abdes duke mos përmendur emrin e Allahut në fillim, abdesi i tij është në rregull dhe i saktë.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

POSTED ONDECEMBER 27, 2017
A lejohet urinimi në këmbë?

Eselamu alejkum hoxhe i nderuar. Desha me pyt per urinimin ne kembe, cili eshte denimi i atij qe urinon ne kembe, cka eshte halli me kete njeri??

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Disa nga dijetarët e kanë ndaluar urinimin në këmbë, duke u mbështetur në hadithin të cilin e transmeton Aisheja (radijallahu anha) e cila thotë: “Kush ju thotë se Muhamedi (salallahu alejhiveselem) ka urinuar në këmbë, mos e besoni. Nuk ka urinuar, përveçse ulur”
Si dhe në hadithin të cilin e transmeton Omeri (radijallahu anhu) i cili thotë: “Më ka parë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) duke urinuar në këmbë, dhe më ka thënë: O Omer, mos urino në këmbë, e nuk kam urinuar më ashtu asnjëherë”.

Ndërsa dijetarët të cilët e kanë lejuar një vepër të tillë, kanë thënë se hadithi i Aishes tregon për atë që e ka parë ajo dhe nëse ajo nuk e parë, nuk don të thotë që nuk ka ndodhur. Ndërsa hadithi i Omerit (radijallahu anhu) është hadith i dobët.
Gjithashtu ajo që e forcon edhe më shumë këtë mendim, është hadithi i Hudhejfes (radijallahuanhu), i cili tregon se e ka parë Pejgamberin (salallahu alejhiveselem) duke urinuar në këmbë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Kështuqë përfundimisht themi se urinimi në këmbë është i lejuar dhe nuk ka asnjë ndalesë në të, nëse plotësohen dy kushte:
1-Të sigurohet njeriu se nuk e sheh askush auretin e tij,
2-Dhe të sigurohet se nuk bijnë pikat e urinës në teshat e tij.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.