Për Muajin e Ramazanit mund të flitet nga pikëpamje të ndryshme: shpirtërore, kulturore, letrare, sociologjike etj. Kjo është për arsye sepse dhuratat e ramazanit janë aq të shumta sa që është e pamundur të përmblidhen dhe sepse kanë forcë dhe ndikim të tillë shpirtëror në jetën e muslimanëve, që nuk mund të matet me asnjë muaj tjetër. Thjeshtë, ditët e ramazanit të bekuar janë të veçanta, jo të zakonshme dhe unikale. Drita e ramazanit të bekuar veçanërisht derdhet në zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve, të cilat kënaqësinë e vet e gjejnë në adhurimin e gjallë të Allahut xh. sh.
Për vlerat dhe virtytet shpirtërore të Muajit të Ramazanit është thënë dhe shkruar shumë sosh. Është vështirë të thuhet, apo të shtohet diç e re në këtë aspekt. Megjithatë, për hir të ardhjes së këtij Muaji të Bekuar e Madhështor dhe mysafirit më të dashur në shtëpitë dhe zemrat e muslimanëve, është i dobishëm përkujtimi në disa vlera dhe virtyte të cilat e veçojnë nga muajt e tjerë. Sepse, fjala është për muajin më të ndershëm dhe muajit të vetëm emri i të cilit përmendet në Kur’an. Në të janë shpallur Libri më i Ndershëm, robit më të përzgjedhur të Allahut. Në Ramazan kryhet një nga ibadetet bazore që na afron nga Krijuesi ynë. Në të gjendet nata më e vlefshme në vit. Në të zbresin melekët më të ndershëm.

1. Muaji në të cilin është shpallur Kur’ani
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِى اُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدىً لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ …
“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). …“. (El-Bekare, 185).
Allahu i madhëruar me këtë ajet e veçon Muajin e Ramazanit me atë që, ndër muajit e tjerë, e ka zgjedhur për shpalljen e Fjalës së Vet – Kur’anin Madhështor. Dhe pikërisht në këtë muaj, në muajin në të cilin ka filluar shpallja e Kur‘anit, I Madhërishmi e ka përcaktuar ibadetin e agjërimit dhe me këtë i ka dhënë muajit vend të veçant. Pra, në këtë muaj njerëzia është dhuruar me dhuratë të jashtëzakonshme nga Krijuesi i tij – me Kur’ani Kerimin, i cili është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të mirës nga e keqja). Këtë dhuratë të çmueshme na solli robi më i zgjedhur i Allahut, felajmëruesi Muhammed a.s., i cili është “vulë e pejgamberëve” dhe pejgamberia e të cilit do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Me ibadetin e agjërimit ne i shprehim falënderimin tonë Krijuesit në dhuratën e Kur’anit dhe në dhuratën e dërgimit të Muhammedit a.s., i cili është “mëshirë për të gjitha botërat.” Këtë e bëjmë edhe me veprimin sepse në Muajin e Ramazanit kujdes të veçantë i kushtojmë Kur’anit, për çdo ditë shoqërohemi me të duke e lexuar dhe duke menduar për urtësitë dhe dispiozitat e tij të cilat janë udhëzues dhe sekrete të sukseseve, fuqisë dhe shpëtimit në këtë dhe në Botën tjetër. Ramazani i bekuar është rast i jashtëzakonshëm që rishtrazi të ballafaqohemi me Kur’anin dhe ta verifikojmë raportin tonë ndaj Fjalës së Allahut. A mos është Fjala e Tij vetëm në gjuhë dhe a ka Kur’an në veprat dhe veprimet tona?!

2. Muaji në të cilin hapet Xheneti dhe mbyllet Xhehenemi
Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre, r.a., Pejgamberi i Allahut a.s. na ka zbuluar të vërtetën vijuese:
“Kur të hyjë Muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen në pranga shejtanët.” (Buhariu: 1898).
Këto fjalë të Pejgamberit a.s., si thonë dijetarët islamë, duhet kuptuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, pikërisht ashtu si janë thënë. Po ashtu, në ato fjalë tregohet në bereqetin e Ramazanit dhe në të mirën e madhe që vjen me këtë. Hapja e dyerve të xhenetit dhe mbyllja e dyerve të xhehenemit është shenjë e ardhjes së muajit të bekuar të ramazanit dhe shenjë e vlerës së madhe të tij, kurse lidhja e shejtanit tregon në faktin se iu pamundësohet shqetësimi i besimtarëve gjatë muajit të nderuar të ramazanit. Duke e pasur parasysh këtë hadith të Muhammedit a.s., besimtari gjatë muajit të ramazanit do të bëjë kujdes për veprimet e tij, më shumë do të kujdeset për veprat e mira, do të ketë motivim shtesë që t’i veprojë, do t’ua zvogëlojë gabimet gjymtyrëve dhe zemrës së tij.

3. Muaji i ibadetit të agjërimit

يَا أَيُّهَا الَّذيِنَ آمَنوُا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّياَمُ كَماَ كُتِبَ عَلىَ الَّذيِنَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقوُنْ .
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe p[r ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.“ (El-Bekare, 183).
Tashmë kemi treguar në faktin se ramazanit të bekuar i është dhënë nder i veçantë me atë që në këtë muaj është caktuar ibadeti i agjërimit. Ky ibadet është ai në të cilin adhuruesi më së shumti i afrohet Krijuesit të tij. Sepse me ibadetin e agjërimit njeriu fiton falje të veçantë (magfiret), me të cilin mund të fshihen të gjitha mëkatet paraprake.
As’habi Ebu Hurejre po ashtu na përcjellë fjalë të mëdha të Pejgamberit a.s.:
“Kush e agjëron muajin e ramazanit duke besuar fuqishëm dhe duke e dëshiruar shpërblimin e Allahut dhe kënaqësinë e Tij, do t’i falen mëkatet e mëhershme.” (Buhariu: 38).
Në hadith së pari është theksuar fjala imanen, dmth. kush e agjëron muajin e ramazanit duke besuar fuqishëm se agjërimi i ramazanit është farz rigoroz dhe se për këtë pason shpërblimi te Allahu i Lartësuar, pastaj ihtisaben, dmth. kush llogarit në shpërblimin te Krijuesi i Lartësuar dhe agjëron për hir të kënaqësisë së Allahut. Dijetari El-Munavi për këtë hadith thotë:
“Në të është shprehur vlera e ramazanit dhe agjërimit në këtë muaj, me të cilin arrihet falja (magfireti). Imani shënon bindjen e fortë, kurse ihtisabi nënshtrimin i cili është kusht për arritjen e shpërblimit dhe të faljes gjatë muajit të ramazanit. Me nënshtrimin vjen nijeti i pastër në nënshtrim urdhërit të Tij dhe mbështetja në premtimin e Tij.” (Fejdu’l-kadir, 6/160).
Prandaj, muslimani agjëron për shkak se fuqishëm beson në farzin e agjërimit të cilin ia ka caktuar Krijuesi i tij, e jo për shkak të frikës apo turpit nga njerëzit e tjerë, dhe për agjërimin e vet pretë shpërblim nga Allahu i Lartësuar, e jo nga dikush tjetër.

4. Muaji në të cilin nata “është më e mirë se një mijë muaj”

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ . وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ. لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ.
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! …”. (El-Kadr, 1-3)
Allahu i lartësuar me fjalët: وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْر “E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? – sidomos e tërheq vëmendjen në vlerën dhe në rëndësinë e Natës së Kadrit. Sepse, si thonë komentuesit e Kur’anit, kur I Madhërishmi në këtë mënyrë i drejtohet njerëzve në Kur’an, me këtë theksohet dhe tregon në diç që është sidomos e rëndësishme dhe e madhe. Përgjigja në këtë pyetje retorike pason në ajetin e tretë: لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ. “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” Umeti i Muhammedit a.s. është nderuar dhe shquar ndër të tjera edhe me atë që i është dhënë në natën në të cilën ibadeti është më i mirë se ibadeti në periudhë prej një mijë muajsh – që është 83 vjet dhe katër muaj! Kjo natë madhështore është Nata e Kadrit – Lejlet’ul-Kadri, madhështia dhe vlera shpirtërore e së cilës i tejkalon të kuptuarit njerëzor. Se kjo natë është në muajin e ramazanit na dëshmon hadithi vijues:
Ebu Hurejre, r.a., thotë: – Kur hyri muaji i ramazanit Pejgamberi i Allahut ka thënë:
“Ju erdhi muaji i ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyeret e xhenetit kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.” (Nesa’iu: 2105).
E lusim Allahun e Lartësuar që të mos privohemi nga të mirat e Natës së Kadrit.

5. Muaji në të cilin pranohen lutjet dhe bëhet falja nga Zjarri
وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُواْ لِي وَلْيُؤْمِنُواْ بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ.
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.“ (El-Bekare,186).
Ky ajet fisnik kur’anor vjen pas ajetit mbi agjërimin dhe muajin e ramazanit. Me këtë aludohet në faktin se muaji i ramazanit është ndër kohët e bekuara për t’iu lutur Allahut xh. sh.. Përndryshe, duaja është shumë me rëndësi në jetën e çdo muslimani; ajo është armë e muslimanit dhe thelbi i ibadetit, si na ka mësuar Pejgamberi ynë a.s.
As’habi Ebu Se’idi r.a. transmeton se Pejgamberi i Allahut a.s. ka thënë:
“Allahu i lartësuar çdo ditë dhe natë (gjatë muajit të ramazanit) i liron (besimtarët nga xhehenemii). Dhe vërtet, çdo muslimanit për çdo ditë dhe natë i pranohet lutja.” (El-Bezzar, Keshf: 962).
Në hadithin tjetër, të cilin gjithashtu e transmeton Ebu Hurejre, Pejgamberi i Allahut.a.s., ka thënë se “agjëruesit nuk i refuzohet duaja.” (Musnedi: 9793).
Me të vërtetë, gjendja e agjëruesit gjatë ramazanit të bekuar është një ndër gjendjet e ndershme të besimtarit, kur zemra e tij është e pastër dhe mendimet të sinqerta dhe ky është një ndër shkaqet që duaja e agjëruesit nuk refuzohet. Allahu e di më së miri!
Prandaj, deri sa t’i agjërojmë ditëçt e bekuara të muajit të ramazanit, kurse netët e tij t’i kalojmë në nafile dhe ibadete të tjera, ta përdorim “armën” tonë – Krijuesit tonë t’i bëjmë lutje dhe dua, i Cili përgjigjet kur të lutet nga ana jonë.!

6. Muaji në të cilin Umra është e barabartë me haxhxhin
وَأَتِمُّواْ الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلّهِ
“E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahut“! (El-Bekare, 196).
Nga Ibn Abbasi r.a. transmetohet se Pejgamberi i Allahut a.s. i ka thënë një femre sahabije ensarite:
“Çka të pengoj dhe nuk e bëre me ne haxhin.? U Përgjigj: “E kemi një deve (për ujitje) të cilës i ka grahur babai i filanit dhe filanit me të birin e tij (dmth. burri dhe i biri i saj), kurse devenë e dytë e ka lënë që me të ta ujisim (palmishten).” Pejgamberi a.s. ka thënë: “Dhe kur të vijë muaji i ramazanit, në të kryeje umren, sepse umreja në ramazan është e barabartë me haxhin.” (Buhariu: 1782).
Duke e komentuar këtë hadith Imam En-Neveviu (komentuesi i Sahihut të Muslimit) thotë se këtu mendohet se umreja e kryer në muajin e ramazanit është e barabartë me haxhin në aspekt të shpërblimit (sevapeve), kurse nuk është e barabartë në çdo gjë, sepse po të ishte ashtu ai që do ta kryente umren në ramazan, do të lirohej nga detyrimi i haxhit. (Sherhu’l-Muslim, 9/2).

7. Muaji i nafileve
Transmetohet prej Abdurrahmani r.a. se Pejgamberi i Allahut a.s., njëherë, duke folur për Muajin e Ramazanit, ka thënë:
“Ky është muaji në të cilin Allahu ua ka përcaktuar agjërimin, kurse unë ua kam bërë traditë që natën të falni nafile gjatë këtij muaji, dhe kush agjëron dhe natën fal gjatë këtij muaji, duke besuar dhe shpresuar se për këtë do të shpërblehet, do të pastrohet nga mëkatet sikur tash është lindur nga nëna.” (Ibn Maxheh: 1328).
Pejgamberi i Allahut a.s., pra, na ka bërë traditë që natën gjatë muajit të ramazanit të falim namaz nafile. Këtu është fjala për namazin e teravisë, i cili është sunet muekkede (sunet i konfirmuar) për meshkuj dhe femra. Me fjalë të tjera, është e njohur se Pejgamberi a.s. ka falur disa netë me as’habët, kurse nuk ka vazhduar të fali bashkë me ta çdo natë, për arsye që ky namaz mos të kuptohet si detyrim. Namazi i teravisë si namaz vullnetar paraqet “profit” ramazani të llojit të vet, i cili edhe më shumë e zbukuron netët e ramazanit, e rrit kënaqësinë shpirtërore të besimtarëve në ibadetin e përbashkët, i forcon lidhjet e tyre të xhenetit dhe nxit në dashurinë e ndërsjellë. Si i tillë, namazi i teravisë është simbol i netëve të ramazanit dhe shenjë e ibadetit vullnetar të muslimanëve, të cilin ata me shekuj me xhelozi e ruajnë dhe e përcjellin nga brezi në brez.

8. Muaji i shpagimit nga të gjitha mëkatet
Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi i Allahut a.s. e pati bërë shprehi të thotë:
“Kryerja e pesë kohëve të namazit, falja e përhershme e namazit të xhumasë dhe agjërtimi i ramazanit për çdo vit – kjo është shpagesa për të gjitha mëkatet të cilat bëhen ndërmjet tyre nëse njeriu heq dorë nga bërja e mëkateve të mëdha.” (Musnedi: 552)
Për këtë përmasë të Muajit të Ramazanit mund të përfundohet edhe nga etimologjia e tij. Me fjalë të tjera, sipas një mendimi të gjuhëtarëve arabë, fjala arabe ramadan (ramazan) është nxjerr nga fjala ‘remda’, me të cilën shënohet shiu pranveror i cili e pastron tokën nga pluhuri i saj. Me këtë dëshirohet të thuhet që, sikur që shiu e hapë dhe e pastron tokën, ashtu e muaji i ramazanit e hapë dhe e pastron shpirtin dhe zemrën e muslimanit nga mëkatet dhe të këqijat. Po ashtu, thuhet se muaji i ramazanit është quajtur ashtu sepse me të, dmth. me bereqetin e tij digjen (jermeda) mëkatet e njerëzve. Si argument për këtë qëndrim theksohet edhe hadithi i Pejgamberit të Allahut a.s., në të cilin thuhet:
“Ramadan është quajtur ashtu sepse ai i djeg mëkatet e robërve të Allahut.” (Er-Rrazi, Et-Tefsiru’l-kebir, V, 91).
Prandaj, Muaji i Ramazanit është rast unik që me bereqetin e kohës së tij t’i pastrojmë shpirtrat tonë dhe zemrat tona dhe që nga ato t’i mënjanojmë të këqijat dhe negativitetet të cilat janë shtresuar në to nga Ramazani i kaluar. Allahu i lartësuar dhe Pejgamberi i Tij i kanë shpallur të vërtetat për muajin mubarek – tash radha është ne te!
Qoftë i bekuar Muaji i Ramazanit
Ramazan sherif mubarek olsun!

Përktheu: N. Ibrahimi

Begatitë e muajit të Ramazanit

Me të vërtetë Allahu xh.sh., e ka begatuar ymmetin e Muhammedit s.a.v.s., me muajin e Ramazanit, muaji në të cilin është zbritur Kur’ani, ku Allahu xh.sh., thotë:

„Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).“ (El-Bekare, 185)

Është muaj i agjërimit, i faljes së namazit, muaj i begatshëm. Pejgamberi s.a.v.s., i përgëzonte sahabët e tij para se të vinte ky muaj, në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra r.a., duke thënë: „Ju erdh muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua obligoi juve agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj, hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit dhe lidhen djajtë (shejtanët). Në të është një natë që e ka vlerën më të madhe se një mijë muaj.“ (Ahmedi, Nesa’iu, hadithi se është sahih)

Po ashtu transmetohet nga Tirmidhiu, Ibn Hibbani, Ibn Maxheh dhe Bejhekiu, e që është vlerësuar si hadith sahih, nga Ebu Hurejra r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: „Çdo natë (prej netëve të Ramazanit) thërret një thirrës (Melek): “ O ti, i cili dëshiron punë të hajrit, prano (këto shpërblime që ti ka dhuruar Allahu në këtë muaj), dhe o ti, i cili dëshiron punë të këqija, pakësoj ato.“

Definicioni i agjërimit

Agjërimi: “Është vepër me të cilën adhurohet Allahu i Plotfuqishëm ashtu që lihet çdo gjë që mund të prish agjërimin, që nga paraqitja e agimit e deri te perëndimi i diellit”.

Agjërimi në muajin e Ramazanit

Agjërimi në muajin e Ramazanit është obligim/përgjegjësi – farz, argumente për këtë marrim nga Kur’ani, Synneti dhe Konsensusi i dijetarëve islam. Kushdo që mohon detyrimin e një gjëje të tillë, i tilli është femohues (murtedd) dhe kafir (jobesimtar).

– Dëshmi nga Kur’ani

Fjalët e Allahut të Plotfuqishëm: „O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm“. (El-Bekare, 183-184)

– Dëshmi nga Synneti

Fjalët e Pejgamberit s.a.v.s.: „Islami është ndërtuar mbi pesë gjëra: „Dëshmia se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhammedi s.a.v.s., është i Dërguari i Tij, faljen e namazit, dhënien e zeqatit, agjërimin e muajit të Ramazanit dhe kryerjen e Haxhit „. (Muttefekun alejhi)

– Dëshmi nga konsensusi

Dijetarët e këtij ymmeti kanë rënë dakord mbi çështjen e obligueshmërisë së agjërimit të Ramazanit dhe se është një nga ruknet islame, dhe se personi që e ndërprenë agjërimin e një ditë të Ramazanit pa arsye paraprake e të arsyeshme, bën mëkat.

Kush është i obliguar të agjërojë?

1 – Agjërimi është obligim për secilin njeri të mençur, që është në moshën madhore dhe i cili është në gjendje të agjërojnë me kusht që ai nuk është udhëtar, dhe që në vetvete nuk ka pengesa për agjërim.

2 – Jobesimtari nuk do të agjërojnë dhe nuk është i detyruar të kompensojë agjërimin në qoftë se pranon Islamin (kthehet në islam).

3 – Personit të mitur agjërimi nuk i është obligim, por do t’i urdhërohet agjërimi në mënyrë që të mësohet me të (t’i bëhet shprehi agjërimi i muajit të Ramazanit).

4 – Personi i çmendur nuk është i obliguar të agjërojë dhe po ashtu nuk e ka obligim kompensimin e tij me fidje (ushqimi ditor ) edhe në qoftë se është person i rritur. Në këtë kategori bënë pjesë edhe personi me të meta mendore dhe njeriu me mendje të brishtë (el-m’atuh), i cili nuk i njeh/dallon gjërat.

5 – Personi i cili nuk është në gjendje të agjërojë për shkak të pengesave të vazhdueshme (sebepeve), siç janë mosha e vjetër ose sëmundje për të cilën nuk pritet shërim i shpejtë, po është i obligueshëm që për çdo ditë të pa agjëruar të jep fidje – të ushqyerit e të varfërve.

6 – Pacienti, shërimi i të cilit pritet në një të ardhme të afërt, mund të mos agjërojë nëse agjërimi do t’i paraqet vështirësi për shëndetin e tij, por ai ato ditë të pa agjëruara do t’i kompensojë pasi t’i përmirësohet gjendja e tij shëndetësore dhe pasi të shërohet.

7 – Gratë shtatzëna dhe nënat mëndeshë. Nëse ato e kanë vështirë të agjërojnë për shkak të shtatzënisë ose ushqyerjes me gji, ose në qoftë se frikësohen për fëmijën e vetë, do të ndërprenë agjërimin por ditët e pa agjëruara do t’i kompensojnë kur agjërimi do t’u bëhet i lehtë dhe pa frikë.

8 – Personi i cili është i detyruar të ndërpresë agjërimin për të shpëtuar të pafajshmin nga përmbytja apo zjarri, do të ndërprenë agjërimin për këto shkaqe, por do të kompenson agjërimin.

9 – Udhëtari. Nëse dëshiron mund të agjëron e nëse dëshiron mund të mos agjëron (për arsye se e ka të lejuar), por ditët e lëshuara të agjërimit do t’i kompensojë pa marr parasysh se a ishte udhëtimi i papritur apo udhëtimi i përditshëm siç e bëjnë taksistët.

10 – Gratë në periudhën e menstruacioneve dhe lehonisë do të ndërprenë agjërimin, por do të kompensojë ditë të lëshuara, e në qoftë se ka ndodhur se ajo agjëronte, nuk do t’i jetë e vlefshme.

Kur është obliguar agjërimi i muajit të Ramazanit?

Agjërimi i Ramazanit është bërë obligim në vitin e dytë sipas hixhretit. Pejgamberi s.a.v.s., agjëroi nëntë Ramazane.

Agjërimi është një detyrim për të gjithë popujt, edhe pse ndonjëherë ka një ndryshim në mënyrën dhe kohën, siç thotë Allahu: „O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm“. (El-Bekare, 183-184)

Sejjid b. Xhubejri ka thënë: „Agjërimi i atyre para nesh ishte nga nata (kohës së jacisë) deri në natën tjetër siç ishte në fillim të Islamit.“

Si është fillimi i muajit të Ramazanit?

Fillimi i muajit të Ramazanit vendoset në një nga dy mënyra:

Së pari: shikimi i hënës së re.

Së dyti: plotësimi i muajit Shaban me tridhjetë ditë.

Fakti për këto dy mënyra është hadithi i Ibn ‚Umerit r.a., se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: „Kur të shihni hënën e re agjëroni, dhe kur e shihni atë (në fund të muajit) e ndërpreni agjërimin. Dhe në qoftë se diçka do të ndërhyjë në pamjen e tij numërojani. “ (Muttefekun alejhi)

Është thënë: „Është penguar në shikimin e hënës së re kur ajo mbulohet nga diçka sikurse që janë retë apo diçka tjetër, kështu që nuk vërehet dhe nuk shihet ajo.“

Dhe kuptimi është: „Numëroni ditët e muajit Shaban derisa të plotësohet me tridhjetë ditë.“

Ibn-Kajjim el-Xhevzijje r.h.m., ka thënë: „Nga udhëzimet e Pejgamberit s.a.v.s., ka qenë se nuk kishte për të filluar me agjërimin e Ramazanit, përveç me pamjen e vërtetë të hënës së re ose dëshmisë së dëshmitarit siç kishte agjëruar me dëshmi të Ibn Umerit r.a., apo me dëshmi të një beduini, dhe pranoi fjalën e tyre … kështu që nëse nuk do të shihej hëna e re apo nuk kishte dëshmi do të plotësonte muajin e Shabanit me tridhjetë ditë dhe nuk do të agjëronte në një ditë me re (mendohet në ditën e dyshimit), as nuk do të urdhërojë dikë për të agjëruar, por urdhëroi që në një situatë të tillë të plotësohet muaji me tridhjetë ditë „. (Zadul-me’ad)

A pranohen llogaritjet astronomike për të përcaktuar hënën e re apo jo?

Në lidhje me këtë pyetje ekzistojnë dy mendime të dijetarëve islamë:

Mendimi i parë është se nuk pranohen llogaritjet astronomike për të përcaktuar hënën e re, sepse, sipas tyre, një gjë e tillë nuk ishte traditë e Pejgamberit s.a.v.s., e as të gjeneratave të para të islamit. Këtë mendim e përkrahnin shumica e dijetarëve të parë islam “fukaha” (hanefi, maliki, shafii dhe hanbeli) dhe dijetarë të mëvonshëm si psh. Ibn Tejmijje, Bin Bazi, Uthejmini dhe sot ky mendim përkrahet nga dijetarët islam në Arabinë Saudite në përgjithësi dhe në disa vende tjera të botës islame.

Këtu duhet theksuar se edhe dijetarët e hershëm të medhhebit hanefi nuk ishin të mendimit që të merret si argument dhe të pranohen llogaritjet astronomike, të këtij mendimi ka qenë edhe Ibn Abidini, dijetari i njohur i medhhebit hanefi. (Shiko: „Hashijetu ibn Abidin“, 2/387)

Po ashtu, Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, në vëllimin e parë të veprës së tij “El-Fikh el-hanefi fi thevbihi el-xhedid”, rreth përcaktimit të hënës së re, thotë: “Sipas Sheriatit, nuk është e zbatueshme / pranueshme ajo që thonë astronomët, të cilët mbështeten në llogaritje, edhe po që se janë të devotshëm…”

Nëse vërehet hëna e re në një vend të botës, kjo vlen për mbar botën. Pra, nëse shihet në lindje, e kanë të obliguar agjërimin edhe ata të perëndimit, dhe anasjelltas.

Mendimi i dytë është se pranohen llogaritjet astronomike për të përcaktuara hënën e re. Këtë mendim sot e përkrahin shumica e dijetarët islam në mbar botën islame. Në përputhje me këtë mendim të dijetarëve islam sot veprohet dhe përcaktohet fillimi dhe përfundimi i agjërimit të muajit të Ramazanit në shumicën e vendeve ku jetojnë myslimanët, para së gjithash edhe në Turqi dhe vendet Ballkanike në tërësi.

Obligueshmëria e përcaktimit (vendosjes) së nijetit

Vaxhib (detyrim/obligim) është të përcaktohet (vendoset) nijeti i agjërimit i cili është farz (detyrë e obligueshme) dhe kjo para fillimit të agimit. Pra, nijeti (qëllimi) është kusht i validitetit të agjërimit farz dhe në bazë të qëllimit bëhet dallimi i ibadeteve (adhurimeve) nga adete (traditë/shprehi).

Pjgamberi s.a.v.s., ka thënë: „Kush nuk vendos për agjërim para agimit, i tilli nuk ka agjërim“ (Sahih- SUNEN, Ebu Davud)

Po ashtu, Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: „Kush nuk thekson (përcakton/vendos) agjërim para agimit, i tilli nuk ka agjërim“. (Sahih-Sunen, En-Nesaiu)

Kështu, qëllimi është obligim dhe është korrekte që nijeti të bëhet në çdo pjesë të natës edhe para agimit për disa çaste. Mirëpo, sipas mendimit të fukahave, nijeti për agjërim është i mundur edhe deri te koha e drekës, me kusht që para kësaj kohe të mos është konsumuar diçka nga ushqimi apo pija.

Nijeti për çdo adhurim, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve islam-fukahave, në përgjithësi bëhet në zemër dhe nuk është obligim që të shprehet me gjuhë, sepse: „Gjithkush që di se nesër është Ramazani dhe dëshiron të agjërojë, ai veç kishte bërë nijet për agjërim (vetë ngritja për syfyr tregon se njeriu vendosi të agjëron atë ditë të Ramazanit), dhe kështu vepron shumica dërrmuese e myslimanëve.“

Koha e agjërimit

Allahu i Lartësuar ka urdhëruar fillimin dhe përfundimin e agjërimit për çdo ditë dhe thotë: „…dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje.“ (El-Bekare, 187)

Pra, agjërimi fillon me shfaqjen e agimit (të vërtetë) dhe mbaron me perëndimin e diellit në të njëjtën ditë. Pra, kur të shfaqet agimi (zbardhues i përhapur në horizont në anën lindore) është obligim që të fillohet me agjërim, pa marr parasysh se a dëgjohet ezani i myezinit apo jo (në disa vende thirret ezani me qëllim lajmërimi për fillimin e agjërimit e në disa jo, kështu që sot është lehtësim se koha e syfyrit përcaktohet me Takvim – nga ana e Bashkësive fetare islame në vend, i cili është bërë sipas llogaritjes astronomike).

Gjërat që nuk e prishin agjërimin

Agjëruesi nuk do të prish agjërimin e tij nëse bën diçka që e prish agjërimin në rrethana normale, por nga harresa apo padija ose nga presioni, sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!“ (El-Bekare, 286)

Dhe thotë i Lartësuari: „…me përjashtim të atij që dhunohet (për të mohuar), e zemra e tij është e bindur plotësisht me besim…“ (El-Nahl, 106)

Dhe thotë: „Nuk është ndonjë mëkat juaji ajo për çka keni gabuar, por (është mëkat) ajo që zemrat tuaja e bëjnë qëllimisht…“ (El-Ahzab, 5)

Pra, kur agjëruesi ha ose pi nga harresa, agjërimi i tij nuk do të jetë i prishur për shkak se ai e bëri nga harresa. Po ashtu, në qoftë ha ose pi duke besuar se dielli perëndoi apo që agimi nuk është paraqitur ende nuk do të prish agjërimin për shkak se ai ishte në një gjendje të paditurisë. Dhe në qoftë se e shpërlan gojën dhe i depërton uji në fytin e tij pa asnjë qëllim, nuk do të prishet agjërimi i tij, sepse nuk e ka pasur për qëllim.

Në qoftë se agjëruesi përjeton ejakulim në gjumë, po ashtu, agjërimi i tij nuk do të jetë i prishur, sepse nuk ka pasur mundësi zgjedhjeje.

Gjërat që e prishin agjërimin

Së pari: Marrëdhëniet intime, sepse kur agjëruesi bën marrëdhënie në ditën e muajit të Ramazanit agjërimi i tij do të jetë i prishur dhe e ka për obligim që të vazhdojë agjërimin deri në fund të ditës, si dhe pendimit tek Allahu xh.sh.,, duke i kërkuar falje dhe pendim për atë që kishte bërë.

Gjithashtu, është obligim për personin e tillë që të kompensojë atë ditë në të cilën kishte marrëdhënie intime dhe pas asaj pason si obligim keffareti (kompensimi), e që është lirimi i robit, kështu që nëse nuk është në mundësi të bëjë këtë atëherë do të agjërojë dy muaj rresht, dhe nëse nuk është në gjendje të bëjë as këtë, atëherë duhet t’i ushqejë gjashtëdhjetë fukara-të varfër, me një ushqim ditor me një sa’a.

Prandaj, detyrimi i myslimanëve të arsyeshme është ruajtja nga të gjitha rrethanat që mund të e qojnë deri te veprimi i një akti të tillë.

Së dyti: Haja dhe pija e qëllimshme, pa marr parasysh se a është bërë përmes gojës apo hundës, dhe ai që ha qëllimisht agjërimi i tij është i prishur, pa marr parasysh se ushqimi apo pija a janë të dobishme ose të dëmshme, të tilla si duhani dhe nargjile, dhe personi i tillë duhet të kompensojë atë ditë në të cilën e ka prishur agjërimin dhe të kërkojë falje te Zoti Fuqiplotë për mëkatin e bërë.

Së treti: Ejakulimi i spermës përmes onanizmit apo ngacmimeve me dashuri ose puthjes apo përqafimit, etj. Personi i tillë duhet të veprojë sikurse kategoria e njerëzve e sipër përmendur – që kanë ngrënë dhe pirë me plotë vetëdije dhe dëshirë.

Së katërti: Injeksione të cilat kanë në përmbajtjen e tyre veti ushqyese e që janë zëvendësim për ushqim, e sa i përket injeksioneve të rëndomta e të cilat nuk kanë veti ushqyese, të tilla nuk e prishin agjërimin, pa marr parasysh se a merren në muskuj ose vena dhe pa marr parasysh se a ndjehet shija e tyre në fyt apo jo.

Së pesti: Transfuzioni i gjakut si kur një njeri merr gjakderdhje e që atij në këmbim i jepet gjaku tjetër nëpërmjet transfuzionit të gjakut.

Së gjashti: Gjaku i hajdit (menstruacioneve) dhe nifasit (lehonisë), për shkak se gjatë hajdit dhe nifasit agjërimi është haram (i ndaluar) për një grua në gjendje të tillë.

Së shtati: Nxjerrja e gjakut me hixhame apo flebotomi ose dhurimi i gjakut ose për të shpëtuar pacientin dhe në raste të ngjashme për shkak të fjalëve të Pejgamberit s.a.v.s., i cili ka thënë: „E ka prishur agjërimin haxhimi (ai i cili e bënë hixhamën) dhe mahxhumi (atij që i bëhet hixhama)“. (Hadithin e shënuan Ahmedi, Ebu Davudi, En-Nesaiu, dhe hadithi është sahih – autentik)

Nëse gjaku del jashtë pa asnjë arsye, në raste si: gjakderdhje nga hunda ose si rezultat i nxjerrjes së dhëmbit dhe të ngjashme, atëherë agjërimi nuk do të prishet.

Së teti: Vjella e qëllimshme, e vjella është zbrazje e ushqimit dhe pijes nga stomaku nëpërmjet gojës dhe atë me qëllim. Por, në qoftë se njeriu nuk ka rrugëdalje tjetër përveç që të vjell, atëherë nuk ka prishje të agjërimit, por me kusht që njeriu të mos ketë intervenim e që si shkak i asaj të vije deri te vjellje, për shkak të fjalëve të Pejgamberit s.a.v.s.,: “ Atë që e mbizotëron të vjella përderisa është i agjërueshëm nuk është e nevojshme për të kompensuar, e kush vetë shkakton vjellje le të bënë kompensim“. (Hadithi është shënuan në të gjitha koleksionet e Suneneve, dhe Tirmidhiu e vlerëson si të mirë, e disa të tjerë, si Albani, si autentik/të vërtetë)

Gjërat që janë të lejuara gjatë agjërimit dhe të cilat nuk e dëmtojnë atë

1 – Pështyma, sepse është një pjesë e lëngshme që shfaqet si rezultat nga stomaku bosh, kështu që nëse e përtyp nuk ka problem, por kur është fjala për mukozë të trashë, është detyrë pështymja e saj..

2 – Misvaku (apo brusha), sepse përdorimi i tij është synnet gjatë agjërimit dhe jashtë tij, dhe nuk ndikon në vlefshmërinë e agjërimit. Por në qoftë se, duke përdorur atë rrjedh gjaku nga dhëmballa është detyrim pështymja e tij dhe mos gëlltitja.

3 – Dalja e mezjas (lëngu transparent, i trashë dhe i pa ngjyrë) për çfarëdo nuk e prish agjërimin.

4 – Përdorimi i parfumeve gjatë ditëve të Ramazanit, dhe sa i përket behuras (tymi temjan), nuk është e lejuar për të marrë frymë për shkak se ai ka materie që arrin në stomak dhe ajo është tymi.

5 – Është e lejuar të përdoret pasta dhëmbësh por duke e shmangur gëlltitjen e saj e që mos të depërtojë në stomak.

6 – Është e lejuar që të përdoren pika për sy dhe vesh sipas mendimit më të saktë të dijetarëve islam – fukahave. Nëse ndjehet shija e pikave në stomak, kompensimi është më i arsyeshëm, por jo si detyrimin, për arsye se sytë dhe veshët nuk janë organet normale për ushqim dhe pije dhe hyrje, por kur janë në pyetje pikat për hundë, ata nuk janë të lejuara për shkak se hunda konsiderohet si hyrje.

7 – Është e lejuar për të përdorur pompë si një ilaç për astmë.

8 – Është e lejuar që të përdoret surma duke vënë në dukje se është më së miri që ajo të përdoret natën. Gjithashtu, përdorimi i knas nga femrat nuk e dëmton agjërimin.

9 – Nxjerrja e gjakut për shkaqe të analizave nuk ndikon në agjërim.

10 – Shijimi i ushqimin për shkak të nevojës duke e vënë në majë të gjuhës në mënyrë që kuzhinieri/ja të dinë se a është kripësuar ushqimi mirë, por me kusht që të mos e gëlltit ushqimin.

12 – Puthje e gruas nuk e dëmton agjërimin nëse mund të kontrollohet, nëse jo atëherë ajo është e ndaluar sikur që janë të ndaluar edhe rrethanat që mund të ndikojnë në ejakulimin e spermës. Pra, nëse vije deri te orgazma, agjërimi është i prishur dhe është i obliguar kompensimi siç përmendëm më parë.

Literatura dhe burimet:

1. AHMETI, Sherif, Kur’an-i përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medinetu-l-Munevvere, Arabija Saudite, 1413. h., 1993.
2. (EL-) Gazali, Ebu Hamid, Ihja ulumid-din, Vëllimi 2, Sarajevë, 2004.
3. (EL-) XHEVZIJJE, Ibn Kajjim, Zadu-l-me’ad (Ahiretska opskrba), Vëllimi 2, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2006.
4. (EL-) MUNZIRI, Zekijjuddin ebu Muhammed esh-Shafi esh-Shami, Muslimova zbirka hadisa (Përmbledhje), El-Kalem, Sarajevë, 2004.
5. (ET-) TIRMIDHI, Muhammed ibn Isa, Xhami‘-Sunen (Tirmizijina zbirka hadisa), Vëllimi 1, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2013.
6. (EZ-) ZUBEJDI, Abdul-latif, Buharijina zbirka hadisa (Përmbledhje), El-Kalem, Sarajevë, 2004.
7. HASANI, Mustafa, Ibadat (Edicioni: Krestomaci), Libri 16, Fakultet islamskih nauka u Sarajevu, Sarajevë, 2005.
8. (IBN) ENES, Malik, Muvetta‘ (Versioni i Muhammed ibnul-Hasan esh-Shejbaniu, nxënësi i imam Ebu Hanifes), Vëllimi 1, Përktheu dhe komentoi: Hamid Indžić, Travnik, 2008.
9. MADŽID ‚ITR, Muhammed, Hanefijski fikh, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2014.

10. SABIK, Sejjid, Legjislacioni i traditës së Profetit a.s., (FIKHUS-SUNNEH), vëllimi i parë, AIITC, Tiranë, 2008.