Pyetje: Eselamu alejkum ve rahmetullah. Kam nje pyetje. Nese nje cift musliman nuk mund te ken femij, a eshte e pelqyeshme ne fene islame qe ato te bejn saber, ose te adaptojn nje femij, ose burri te lind femi me nje grua tjeter me nje kundervler?

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu (azzevexhel) ka mundësi që t‘i furnizojë të gjithë njerëzit me fëmijë (djem dhe vajza), por me urtësinë e Tij Ai ndonjërit i jep vetëm vajza, e ndonjërit vetëm djem, e ndonjërit nuk i jep fëmijë fare. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ai i falë vetëm vajza atij që do, e i falë vetëm djem atij që do, ose u falë çift djem dhe vajza, e atë që do e lë pa fëmijë. Ai është i Dijshëm, i Fuqishëm”. (Shura 49/50)

Ngase ka mundësi që fëmiu i tij të jetë dhunti dhe mirësi për të, por ka mundësi të jetë edhe sprovë dhe dënim për të dhe të jetë kundër tij Ditën e Gjykimit. Thotë Allahu (azzevexhel) (kur flet për Hidrin dhe djaloshin që e mbyti ai): “Sa i përket djaloshit, dy prindërit e tij ishin besimtarë, e u frikësuam se ai do t’i shpie ata të dy në humbje dhe në kufër”. (Kehf – 80) Thotë Matrafi: “U gëzuan prindërit e tij me lindjen e tij dhe u pikëlluan me vrasjen e tij, e sikur të kishe mbetur gjallë do të ishin shkatërruar të dy në dorën e tij. Andaj le të jetë besimtari i kënaqur me atë që ka caktuar Allahu, se caktimi i Allahut për atë që e urren besimtari, është më i mirë se caktimi për atë që e dëshiron ai”.

Kështuqë njeriu nuk duhet të brengoset nëse nuk ka fëmijë, por duhet të jetë i kënaqur me caktimin e Allahut dhe të jetë i bindur se caktimi i Allahut është më i mirë për të, se sa ajo që e dëshiron ai.

Gjithashtu, duhet të mundohet që t’i merr shkaqet të cilat ndihmojnë në furnizimin e tij me fëmijë, si:

-Lutja ndaj Allahut (azzevexhel) – E cila është një prej shkaqeve kryesore që Allahu i furnizon me fëmijë ata që nuk kanë. E që për fat të keq shumica e atyre që nuk kanë fëmijë e anashkalojnë këtë shkak i cili ndihmon në arritjen e plotësimit të dëshirës së tyre. Allahu (azzevexhel) kur flet për Zekerijanë (alejhiselam) thotë: “Kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët e tha: Zoti im, vërtetë mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”. (Merjem 3/4) E duke qenë Zekerijai (alejhiselam) në këtë gjendje dhe në këtë pleqëri, të cilit i ishin dobësuar eshtrat dhe i ishin zbardhur flokët, Allahu (azzevexhel) ia pranoi lutjen dhe tha: “O Zekerija, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër”. (Merjem – 7)

-Pendimi dhe kërkimi i faljes për mëkatet – Thotë Allahu (azzevexhel): “Unë u thashë: Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtetë falë shumë. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, dhe ju bën të keni kopshte dhe lumenj”. (Nuh 10/12)

-Si dhe kontrollat mjekësore dhe përmirësimi apo shërimi i ndonjë pjese në të cilën ka ndonjë sëmundje apo pengesë, duke u ruajtur nga ndalesat e Allahut dhe duke mos harruar se çdo gjë është në dorën e Tij.

E sa i përket adoptimit të fëmijëve, ai është i ndaluar në Islam. Dhe për këtë, mund të lexoni përgjigjen e pyetjes: A lejohet adoptimi në Islam?

Ndërsa sa i përket lindjes së fëmiut me ndonjë grua tjetër me ndonjë kundërvlerë të caktuar, kjo pa dyshim se është e ndaluar rreptësisht dhe është mëkat i madh. Qoftë duke pasur burri marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ndonjë grua e cila nuk është bashkëshorte e tij, apo qoftë duke e bartur spermën e tij tek ajo nëpërmjet mjekëve dhe mjeteve të mjekësisë.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.