Pyetje: Eselamu alejkum. Allahu ju ndihmofte juve si staf i webfaqes, njeashtu edhe hoxhallaret e ndershem qe nuk ngurojne te percjellin diturine qe ua ka dhuruar Allahu. Pyetja: Ne historine njerzore Allahu rishtazi ka derguar Resul dhe Nebij per te udhezuar njerezimin drejt rruges se Allahut. Ajo qe nje kohe me brengos (dhe lus Allahun te me mbroje nga shubuhatet e shtyra nga shejtani dhe injoranca ime), eshte se shumica e Pejgambereve jane derguar kryesisht ne nje pjese gjeografike te tokes – ne vecanti ne ate te lindjes se mesme. Keshtu, shpesh here mendoj se si ka qene puna per popujt e lashte si psh: te Amerikes Latine, Australise (aborixhinet), Afrikes (fiset e tyre) e me pastaj edhe lindja e larget me Japonine dhe Kinen, ku dihen se edhe keta jane popuj te mocem, ku njeashtu eshte bere dhe behet shume shirk. E kam parasysh se Allahu nuk ka denuar ndonje popull pa u derguar Pejgamber, per disa prej tyre na ka treguar e per disa nuk na ka treguar. Por pyetja eshte: Pse theksi eshte fokusuar ne nje pjese te botes e jo ne pjeset tjera, kur dihet se mekati i shirkut eshte i njejte pavaresisht se nga kush dhe ne cilin vend kryhet. Shpresoj qe kjo pyetje te jete e qarte per hoxhen, dhe ma beni hallall nese e zgjata.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Allahu (azzevexhel) për t’i nxjerrur njerëzit nga errësirat në dritë, u dërgoi atyre pejgamberë dhe u zbriti atyre libra. Dhe me këtë nuk dalloi një pjesë të njerëzve, duke anashkaluar një pjesë tjetër, por dërgoi pejgamberë për të gjithë ata. Thotë Allahu (azzevexhel): “E nuk pati asnjë popull që nuk pati pejgamber”. (Fatir – 24) Kështuqë mendimi se Allahu dërgoi pejgamberë vetëm në lindjen e mesme, apo në një popull dhe vend të caktuar, dhe jo në popujt tjerë dhe vendet tjera, është mendim i gabuar dhe jo i vërtetë.

Së dyti: Allahu nuk e dënoi dhe nuk e dënon asnjë popull, nëse atyre nuk u ka arritur e vërteta e Islamit. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ne nuk dënuam askënd, para se t’ia dërgojmë të Dërguarin“. (Isra‘ – 15)

Së treti: Allahu nuk na ka njoftuar për të gjithë pejgamberët, por vetëm për disa prej tyre dhe numri i pejgamberëve të cilët nuk përmenden në Kur’an, është shumë më i madh se numri i atyre që përmenden në të. Thotë Allahu (azzevexhel): “Dhe (dërguam) të Dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të Dërguar të tjerë për të cilët nuk të kemi rrëfyer“. (Nisa‘ – 164)

Së katërti: Përderisa Allahu na ka njoftuar vetëm me disa prej pejgamberëve, duke mos na njoftuar me disa të tjerë prej tyre, pa dyshim se këtu ka urtësi prej Tij (azzevexhel). Por, nuk është kusht për besimtarin që për çdo gjë të dijë urtësinë e Allahut, ngase ka mundësi që ta gjejë atë, dhe ka mundësi të mos arrijë ta kuptojë atë. Thotë Allahu (azzevexhel): “Allahu e di atë që ju nuk e dini“. (Bekare – 216)

Megjithatë disa prej dijetarëve kanë përmendur mendimet e tyre për urtësinë e Allahut në lidhje me këtë çështje, duke thënë:

1-Fillimi i Islamit ka qenë tek arabët dhe pejgamberët që janë përmendur në Kur’an kanë qenë në vendet më afër tyre dhe të dëgjuar për ta, kështuqë në këtë mënyrë ka qenë më e lehtë thirrja ndaj tyre dhe pranimi i të vërtetës prej tyre.

2-Tregimet e pejgamberëve që janë përmendur në Kur’an janë më tërhjekëse dhe më me ndikim se tregimet e pejgamberëve që nuk janë përmendur emrat e tyre, për atë edhe Allahu i ka përmendur ato tregime prej të cilave njerëzit mund të përfitojnë më shumë dobi dhe të ndikohen më shumë zemrat e tyre. Thotë Tahir ibn Ashur: Allahu nuk i ka treguar Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) për shumë prej pejgamberëve, për shkak të mjaftueshmërisë që gjendet në tregimet e atyre që i ka përmendur, ngase të përmendurit (në Kur’an) janë pejgamberët më të mëdhenj dhe tregimet e tyre janë me më shumë dobi dhe ndikim. (Et-Tahrir vet-Tenvir 6/35)

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.