Rruajtja e flokëve të fëmiut (dhe dhënia e peshës së tyre lëmoshë)
Cilat janë obligimet e prindit ndaj fëmiut të posalindur?

(Vazhdim..) 3.Rruajtja e flokëve të fëmiut (dhe dhënia e peshës së tyre lëmoshë):

Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Secili fëmijë (mashkull) është i lidhur me akikën (kurbanin) e tij që therret për të në ditën e shtatë, dhe emërtohet në të (në ditën e shtatë) dhe i rruhet koka e tij”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi, dhe Shejh Albani këtë hadith e cilëson si të vërtetë – Irvaul Galil 1165)

Gjithashtu dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre, në lidhje me rruajtjen e flokëve të fëmiut femër, ngase në hadith është përmendur vetëm fëmiu mashkull. Por, sipas medhhebit Malikij dhe Shafi’ij, është e pëlqyer rruajtja e flokëve të fëmijëve si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke mos bërë dallim ndërmjet tyre.

Ndërsa në lidhje me dhënien e peshës së tyre sadaka, dijetarët gjithashtu kanë ndryshuar mendimet e tyre, varësisht nga mendimi i tyre në lidhje me hadithin që flet për këtë çështje.

Transmetohet nga Muhamed ibn Alij ibn Husejni i cili thotë: “I peshoi Fatimeja bija e të Dërguarit të Allahut (salallahualejhiveselem) flokët e Hasanit dhe Husejnit, dhe pastaj dha sadaka sa pesha e tyre argjend”. (Ky hadith është i dobët, për shkak të shkëputjes që ekziston në zinxhirin e këtij transmetimi, ngase Muhamed ibn Alij ibn Husejni nuk ka dëgjuar prej Fatimes radijallahuanha). Gjithashtu dhe Shejh Mustafa El-Adevij e llogaritë këtë hadith prej haditheve të dobëta, si dhe hadithet tjera të cilat flasin në lidhje me këtë çështje.

Kështuqë dijetarët që e llogarisin këtë transmetim si të mirë, mendojnë se është e pëlqyer dhënia e peshës së flokëve sadaka, ndërsa dijetarët që e llogarisin hadithin të dobët, mendojnë se mjafton të rruhen flokët e fëmiut dhe nuk ka nevojë për to të jepet sadaka.

Allahu e di më së miri
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.