Pyetje: Esselam alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Hoxhe i nderuar e kam nje pyetje ne lidhje me hisen. Une jam e vetmja qike e prinderve te mi. Mirepo ata e kane marre edhe nje djale nga agja im dmth e kane adaptuar. Une jam e martuar dhe kam femi. Nena me ka vdekur para afer 3 vjetesh dhe babai vdiq sivjet. E tash dua te di se qfar te bej sepse se kam te kjart sa me takon mua nga hisja e tij dhe a i takon djalit edhepse babai sa u kane gjalle thoshte e tere pasuria ime i takon djalit qe ne fakt nuk e ka djale. Une nuk dua te gaboj sepse e kam frike Allahun xh.sh. mirepo edhe cka me takon me sheriat islam sdua tia le askujt. Ju falenderoj per mundin dhe inshAllah tme jepni pergjigje qe do tme ndihmoje te kjartesoj kete qeshtje.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Nëse njeriu vdes dhe pas tij len djem dhe vajza, atëherë djemve ju takon hise sa dy vajzave. Thotë Allahu (azzevexhel): “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: Për mashkullin hise sa për dy femra”. (Nisa’ – 11)

Së dyti: Nëse njeriu vdes dhe len pas tij vetëm një vajzë, atëherë asaj i takon gjysma e pasurisë. Thotë Allahu (azzevexhel): “E nëse është vetëm një femër, asaj i takon gjysma e pasurisë”. (Nisa’ – 11)

Së treti: Nëse njeriu vdes dhe len vetëm një vajzë, gjysma e pasurisë së tij i takon asaj. Ndërsa pasuria tjetër mbetet për mashkullin e parë më të afërt në familje. Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Ajo që mbetet, i takon mashkullit më të afërt (në familje)”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi) E që mashkulli më i afërt në pyetje nuk është përmendur, andaj edhe nuk mund të dijmë se cilit prej tyre i takon pjesa e mbetur e pasurisë. Por, nëse i vdekuri ka vëllezër, atëherë u takon atyre, e nëse edhe ata kanë vdekur, atëherë djemve të tyre, e kështu me radhë..

Së katërti: Fëmiut të adoptuar nuk i takon asgjë prej trashëgimisë, ngase ai në realitet nuk është fëmijë i tij. Lexo për këtë pëgjigjen: A lejohet adoptimi në Islam?

Së pesti: Vasijeti (testamenti) i prindit për t’ia lënë gjithë pasurinë fëmiut të adoptuar nuk merret parasyshë, ngase është vasijet i ndaluar i cili kundërshtohet me parimet islame. Andaj, nuk lejohet që familja pas tij të zbatojnë testamentin e tij. Edhepse ai ka mundur të len vasijet që një e treta e pasurisë t’i mbetet fëmiut të adoptuar, ngase kjo është pasuria që më shumti mund të lihet testament për dikë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Së gjashti: Kjo nuk është përgjigjja jonë përfundimtare, pasiqë në pyetje mungojnë disa të dhëna të cilat janë me rëndësi t’i kemi të njohura.

Gjithashtu këshillojmë që për këtë dhe gjëra tjera të rëndësishme dhe të ngjashme me këtë, të konsultohen drejpërdrejtë hoxhallarët të cilët janë afër vendit tuaj, në mënyrë që të shikohen gjërat me saktësi dhe precizitet, dhe mos të bëhet ndonjë padrejtësi ndaj ndonjërës palë.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.