Abdullah Ibn Abas

Abdullahu [radiallahu anhu] ishte i biri i Abasit [radiallahu anhu], axhës së pejgamberit bujar [salallahu alejhi ue selam]. Ai qe lindur vetëm tre vjet para hixhretit. Kur pejgamberi vdiq, Abdullahu ishte trembëdhjetë vjeç. Kur ai u lind, nëna e tij e çoi tek pejgamberi i bekuar, i cili vendosi pështymë në gjuhën e foshnjës edhe para se atij t’i jepej gji. Ky ishte fillimi i një lidhjeje të afërt dhe intime mes Abasit dhe pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], e cila do të bëhej pjesë e një dashurie dhe devocioni të përjetshëm.

Kur Abdullahu [radiallahu anhu] arriti moshën madhore, ai u vu në shërbim të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]. Ai nxitonte për të marrë ujë për të kur ai donte të merrte abdes. Gjatë namazit, ai qëndronte prapa pejgamberit dhe kur pejgamberi shkonte në ekspedita apo udhëtonte, ai e përcillte atë hap pas hapi.

Kështu Abdullahu [radiallahu anhu] u bë sikur hija e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], duke e shoqëruar atë vazhdimisht. Në të gjitha këto situata, ai ishte i vëmendshëm dhe i vigjilent ndaj çkado që thoshte dhe bënte pejgamberi [salallahu alejhi ue selam]. Zemra e tij ishte e entuziazmuar ndërsa mendja e tij ishte e dëlirë dhe e përpiktë, që mbante mend fjalët e pejgamberit me një saktësi të një instrumenti incizues. Në këtë mënyrë dhe nëpërmjet hulumtimeve të vazhdueshme të tij, siç do të shohim, Abdullahu u bë një nga sahabët më të dijshëm të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], duke ruajtur në emër të gjeneratave të mëvonshme muslimane fjalët tepër të çmuara të të dërguarit të Allahut.

Thuhet që ai ka mësuar përmendsh një mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë thënie të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], të cilat janë regjistruar dhe saktësuar në koleksionet e el-Buhari dhe Muslim.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] shpesh e mbante afër Abdullahun sikurse një fëmijë, e rrahte krahëve dhe lutej: „O Zot, bëje atë ta kuptojë thellësisht fenë Islame dhe instruktoje në domethënien dhe komentimin e gjërave.“

Ka pasur shumë raste kur pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] e përsëriste këtë du’a për kushëririn e tij dhe shumë kohë para se Abdullahu [radiallahu anhu] të kuptonte që jeta e tij do t’i përkushtohej kërkimit të mësimit dhe diturisë.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] për më shumë lutej që atij t’i jepej jo vetëm dituri dhe të kuptuar por edhe urtësi. Abdullahu transmetoi ndodhinë lidhur me veten e tij:

„Një herë e një kohë, Pejgamberi deshi të merrte abdes. Unë nxitova për të përgatitur ujë për të. Ai ishte i kënaqur me atë çfarë bëja. Teksa po bëhej gati të fillonte namazin, ai [salallahu alejhi ue selam] tregoi me gisht që unë duhej të qëndroja anash tij. Mirëpo, unë qëndrova përmbas tij. Kur përfundoi namazi, ai [salallahu alejhi ue selam] u kthye nga unë dhe tha: ‚Çka të pengoi që të qëndroje anash meje, o Abdullah?‘ ‚Ti je tepër i famshëm dhe madhështor në sytë e mi që unë të qëndroj krahas teje,‘ – u përgjigja.

Duke i ngritur duart nga qielli, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] atëherë u lut:’O zot, jepi urtësi.‘ Padyshim që lutjes së pejgamberit për Abdullahun e ri i qe përgjigjur, i cili shpesh do të dëshmonte se posedonte urtësi matanë moshës së tij. Por, kjo ishte urtësi që vinte vetëm me devocionin dhe kërkimin këmbngulës të diturisë gjatë jetës së pejgamberit dhe pas vdekjes së tij [salallahu alejhi ue selam].“

Gjatë jetës së pejgamberit, Abdullahu nuk i shmangej asnjë mbledhjeje dhe ai mbante në mend çkado që ai [salallahu alejhi ue selam] thoshte. Pasi vdiq pejgamberi, ai përkujdesej të shkonte tek sa më shumë sahabë që ishte e mundur, posaçërisht tek ata që e njihnin pejgamberin më gjatë, dhe mësonte nga ata atë që ua kishte mësuar pejgamberi atyre. Kurdo qoftë që dëgjonte se ndokush e dinte një hadith të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] që ai nuk e dinte, ai shkonte me ngut tek ai dhe e regjistronte. Çkado që dëgjonte, ai e këqyrte me kujdes dhe e krahasonte me transmetimet tjera. Ai shkonte tek deri në tridhjetë sahabë për të verifikuar një çështje të vetme.

Abdullahu [radiallahu anhu] përshkroi atë çfarë ai bëri një herë e një kohë, kur dëgjoi se një sahab i pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] e dinte një hadith të panjohur për të: „Shkova tek ai gjatë kohës së gjumit të pasdrekes dhe shtriva pelerinën time përpara derës së tij. Era ma rrahte me pluhur [ndërsa e pritja atë]. Po të doja, do të kërkoja leje nga ai për të hyrë dhe ai me siguri do t’më lejonte. Por, parapëlqeva që ta pres atë, me qëllim që ai të freskohej plotësisht. Duke dalur nga shtëpia e tij dhe pasi më pa në atë gjendje, ai tha:’O kushëriri i pejgamberit! Ç’është me ty? Po të dërgoje dikë për t’më thirrur do të vija tek ti.‘ ‚Unë jam ai që duhet të vijë tek ti, ngase diturinë duhet kërkuar, ajo nuk vjen vetëm,‘ – thashë unë. E pyeta lidhur me hadithin dhe mësova nga ai.“

Në këtë mënyrë, Abdullahu i kushtuar pyeste, dhe pyeste, dhe vazhdonte të pyeste. Dhe ai e shoshiste dhe analizonte informatën që e mblidhte me mendjen e tij të mprehtë e tepër të përpiktë. Nuk ishte vetëm mbledhja e haditheve në të cilën specializoi Abdullahu. Ai iu kushtua edhe kërkimit të diturisë në një mori të gjerë lëmish. Ai kishte një admirim të posaçëm ndaj Zejd Ibn Thabit, shënuesin e shpalljes, gjykatësin kryesor dhe juristin këshillues në Medine, një ekspert në ligjin e trashëgimisë dhe leximin e Kur’anit. Kur Zejdi kishte për qëllim të udhëtonte, Abdullahu i ri qëndronte i përulur anash tij dhe duke mbajtur frerët e kafshës së tij përvetësonte qëndrimin e një robi të përulur në prani të zotëriut të tij. Zejdi i thoshte atij: „Mos, o kushëriri i pejgamberit.“ „Kështu jemi urdhëruar që t’i trajtojmë të dijshmit në mesin tonë,“ – thoshte Abdullahu. Dhe Zejdi ia kthente atij:“Më lerë ta shoh dorën.“ Abdullahu e shtrinte dorën e tij. Zejdi, duke e mbajtur atë, e puthte atë [dorën] dhe thoshte:“Kështu jemi urdhëruar t’i trajtojmë ehl el-bejt [anëtarët e shtëpisë së pejgamberit].“

Ndërsa dituria e Abdullahut [radiallahu anhu] shtohej, atij i rritej edhe gjatësia trupore. Mesruk ibn el-Axhda ka thënë për të: „Kurdo qoftë që e shihja Ibn Abasin, thoja: Ai është njeriu më i pashëm. Kur ai fliste, thosha: Ai është njeriu më elokuent. Dhe kur ai mbante fjalim, thosha: Ai është njeriu më i ditur.“

Halifeja Umer ibn el-Hatab shpesh kërkonte këshillën e tij në çështje të rëndësishme të shtetit dhe e përshkroi atë si „i riu i pjekur.“
Sad ibn ebi Uekas e përshkroi atë me këto fjalë: „Kurrë se kam parë dikë më të shpejtë në nxënie, që ka më shumë dituri dhe urtësi më të madhe se Ibn Abas. Kam parë Umerin [radiallahu anhu] që e thërriste atë për të diskutuar probleme të vështira në prani të veteranëve të Bedrit nga mesi i Muhaxhirinëve dhe Ensarëve. Ibn Abas fliste dhe Umeri nuk e nënvleftësonte atë.“ Ishin këto cilësi që e bënë Abdullah Ibn Abasin të njihet si „dijetari i këtij Umeti.“

Abdullah Ibn Abas nuk kënaqej vetëm me grumbullimin e diturisë. Ai ndjente se kishte për detyrë ndaj Umetit t’i mësonte ata që kërkonin dituri dhe masën popullore të komunitetit musliman. Ai iu kthye mësimit dhe shtëpia e tij u bë një universitet – po, një universitet në kuptimin e plotë të fjalës, një universitet me mësime të specializuara por me ndryshimin se ishte vetëm një mësues, Abdullah ibn Abasi.

Pati një reagim entuziast ndaj orëve të mësimit që Abdullahu mbante. Një nga shoqëruesit e tij përshkroi një skenë tipike përpara shtëpisë së tij: „Pashë njerëz që ndrydheshin në rrugët që çonin për tek shtëpia e tij gjersa s’kishte më hapësirë përpara shtëpisë. Shkova dhe i tregova për turmat e njerëzve përpara shtëpisë së tij dhe ai tha: ‚Më sjell ujë për abdes.‘ Ai mori abdes dhe, pasi u ul, tha: ‚Dil dhe thuaju: Kushdo që dëshiron të pyes rreth Kur’anit dhe shkronjave të tij [shqiptimit] le të hyjë.‘ E bëra këtë dhe njerëzit hynë gjersa u mbush shtëpia. Për çkado që pyetej, Abdullahu [radiallahu anhu] ishte në gjendje ta shpjegonte dhe madje ofronte informata shtesë për atë çfarë pyetej. Pastaj [studentëve të tij] u thoshte: ‚Lironi vendin për vëllezërit e juaj.‘ Pastaj më thoshte mua: ‚Dil dhe thuaj: Kushdo që dëshiron të pyes rreth Kur’anit dhe interpretimit të tij, le të hyjë.‘ Prapë shtëpia e tij mbushej dhe Abdullahu shpjegonte dhe ofronte më shumë informata sesa kërkohej.“ Dhe kështu vazhdoi me grupe njerëzish që vinin për të diskutuar fikh [jurisprudencë], hallall dhe haram, trashëgiminë në Islam, poezinë dhe etimologjinë.

Për t’iu shmangur dyndjeve të grupeve të mëdha të njerëzve që vinin për të diskutuar tema të ndryshme në një ditë, Abdullahu vendosi t’ia kushtojë një ditë të tërë vetëm një lëmie. Në atë ditë mësohej vetëm interpretimi i Kur’anit kurse në ditën tjetër vetëm fikh. Ekspeditat apo fushatat e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], poezia, historia Arabe para Islamit ishin të caktuara për ditët e veçanta.

Abdullah ibn Abas [radiallahu anhu] u solli mësimeve të tija një kujtesë të fuqishme dhe një intelekt të frikshëm. Shpjegimet e tij ishin të sakta, të qarta dhe të logjikshme. Argumentet e tij ishin bindës dhe të mbështetura nga dëshmia përkatëse tekstuale dhe faktet historike.

Një nga rastet kur janë përdorur aftësitë e tija të frikshme bindëse ishte gjatë halifatit të Aliut [radiallahu anhu]. Një numër i madh përkrahësish të Aliut në qëndrimin e tij kundër Muauijes [radiallahu anhu] sapo e kishin braktisur atë.

Abdullah Ibn Abas [radiallahu anhu] shkoi tek Aliu dhe kërkoi leje për të folur me ta. Aliu [radiallahu anhu] ngurroi nga frika se Abdullahu do të rrezikohej nga ata por përfundimisht lëshoi pe nga optimizmi i Abdullahut se asgjë e pafavorshme s’do të ndodhte. Abdullahu shkoi te grupi. Ata ishin zhytur në adhurim. Disa nuk donin ta lejonin të fliste por të tjerët qenë të gatshëm ta dëgjojnë atë.

„Më thoni,“ – pyeti Abdullahu, „çfarë ankesash keni kundër kushëririt të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], bashkëshortit të bijës së tij dhe të parit nga ata që i besuan atij?“

„Njerëzit vazhduan të tregojnë tre ankesat kryesore kundër Aliut. Së pari, se ai ka caktuar njerëz për të gjykuar në çështjet që i takojnë fesë së Allahut – dmth që Aliu është pajtuar të pranojë ndërmjetësimin e Ebu Musa el-Esberit dhe Amr ibn el-As në konfliktin me Muauijen. Së dyti, se ai ka luftuar dhe nuk ka marrë as pre lufte as robër lufte. Së treti, se ai s’ka këmbëngulur në titullin e Emir el-Mu’minin [udhëheqësit të besimtarëve] gjatë procesit të ndërmjetësimit, ndonëse muslimanët i kanë bërë betimin atij dhe ai ishte emiri i pranueshëm. Për ta kjo siç duket kjo ishte shenjë e dobësisë dhe shenjë që Aliu ishte i gatshëm të diskreditonte pozitën e tij të pranueshme si Emir el-Mu’minin.

Në përgjigje, Abdullahu [radiallahu anhu] i pyeti ata se a do ta ndërronin pozitën e tyre po të citonte ai thënie nga Kur’ani dhe thënie të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] në të cilat ata s’kishin vërejtje dhe që kishin të bënin me kriticizmin ndaj tyre. Ata u përgjigjen se ata do ta bënin këtë dhe Abdullahu vazhdoi:

„Për sa i përket thënies suaj se Aliu ka caktuar njerëz për të gjykuar në çështjet që i përkasin fesë së Allahut, Allahu i lavdëruar thotë: ‚O ju që besoni! Mos e mbytni gjahun ndërsa jeni në rrethinat e shenjta apo në veshjen e pelegrinit [ihram]. Nëse e bëni këtë qëllimisht, zhdëmtimi për këtë është sakrifikimi i një kafshe shtëpiake e barabartë me të mbyturën dhe gjykuar nga dy burra nga mesi i juaj.‘ „Ju vë në be, pash Allahun! A është të gjykuarit nga njerëzit në çështjet që i përkasin ruajtjes së gjakut të tyre dhe jetëve të tyre dhe bërja e paqes mes tyre më meritore për kujdes sesa të gjykuarit mbi një lepur, vlera e të cilit është vetëm një çerek dirhemi?“

Përgjigja e tyre ishte, natyrisht, që ndërmjetësimi ishte më i rëndësishëm në rastin e ruajtjes së jetëve të muslimanëve dhe bërja e paqes mes tyre sesa vrasja e gjahut në rrethinën e shenjtë për të cilën Allahu ka lejuar ndërmjetësimin nga njerëzit. „A i dhamë fund kësaj pike?“ – pyeti Abdullahu dhe përgjigja e tyre ishte: „Allahume, naam [O Zot, po!]“ Abdullahu vazhdoi më tutje: „Përsa i përket asaj se Aliu luftoi dhe nuk mori robër lufte siç bënte pejgamberi [salallahu alejhi ue selam], a mos vërtet dëshironi ta merrni „nënën“ tuaj A’ishe si rob dhe ta trajtoni atë si gjahun, në mënyrën që trajtohen të zënit robër? Nëse përgjigja e juaj është „po,“ atëherë ju keni bërë kufër [mosbesim]. E nëse thoni se ajo s’është „nëna“ e juaj, po ashtu do të bënit kufër, ngase Allahu i lavdëruar ka thënë: ‚Pejgamberi është më i afërt ndaj besimtarëve sesa që ata janë ndaj vetes së tyre dhe bashkëshortet e tij janë nënat e tyre [me të drejtë respekti].‘ el-Ahzab: 6. Zgjidhni për vete çfarë të doni,“ – tha Abdullahu dhe pastaj pyeti: „Atëherë, a i dhamë fund edhe kësaj pike?“ dhe po ashtu edhe kësaj here përgjigja ishte: „Allahume, naam [O Zot, po!]“

Abdullahu vazhdoi më tutje: „Përsa i përket thënies se Aliu ka dorëzuar titullin e Emir el-Mu’min, [përkujtoni] se vetë pejgamberi, salallahu alejhi ueselam, në kohën e Hudejbijes kërkoi që idhujtarët të shkruajnë në marrëveshjen e bërë me ta: ‚Kjo është për çfarë është pajtuar i dërguari i Allahut…‘ dhe ata kundërshtuan:’Po të besonim që ti je i dërguar i Allahut ne s’do ta bllokonim rrugën për në Ka’be e as që do të të luftonim. Shkruaj në vend të kësaj: ‚Muhamedi i biri i Abdullahut.‘ Pejgamberi e pranoi kërkesën e tyre duke thënë: ‚Pasha Allahun, unë jam i dërguari i Allahut edhe nëse këta s’më pranojnë.“ Në këtë pikë Abdullah ibn Abas i pyeti disidentët: „A i dhamë fund edhe kësaj pike? Dhe përgjigja e tyre prapë ishte:“Allahume, naam [O Zot, po!]“

Një nga frytet e kësaj sfide foljore në të cilën Abdullahu [radiallahu anhu] tregoi diturinë e tij të brendshme mbi Kur’anin dhe biografinë e pejgamberit, si dhe fuqitë e tij të mrekullueshme të argumentimit dhe bindjes, ishte që shumica, nja njëzet mijë njerëz, iu kthyen radhëve të Aliut. Nja katër mijë, ndërkaq, mbeten kokëfortë. Këta më vonë u njohën si Hauarixhët.

Në këtë dhe rastet tjera, Abdullahu guximtar tregoi që ai e parapëlqen paqen mbi luftën, dhe logjikën kundër forcës dhe dhunës. Mirëpo, Ai nuk njihej vetëm për guximin e tij, për mendjen e tij të mprehtë dhe diturinë e gjerë. Ai po ashtu njihej për bujarinë dhe mikpritjen e madhe të tij. Disa nga bashkëkohësit e tij kanë thënë për shtëpinë e tij: „Nuk kemi parë ndonjë shtëpi të ketë më shumë ushqim dhe pije apo fruta më shumë se shtëpia e Ibn Abasit.“

Ai kishte një interesim të sinqertë për njerëzit. Ai ishte i matur dhe i kujdesshëm. Ai një herë e një kohë ka thënë: „Kur e kuptoj rëndësinë e ndonjë ajeti nga Libri i Allahut, dëshiroj që të gjithë njerëzit ta dinë atë që unë e di.“

„Kur dëgjoj për ndonjë sundues musliman që është i paanshëm dhe sundon drejtësisht, unë gëzohem për këtë dhe lutem për të…“Kur dëgjoj për shirat që bien në tokën e muslimanëve, kjo më mbush gëzim…“
Abdullah ibn Abasi [radiallahu anhu] ishte i qëndrueshëm në adhurimin e tij. Ai rregullisht agjëronte dhe shpesh ngrihej natën për t’u falur. Ai qante ndërsa falej dhe lexonte Kur’an. Dhe kur recitonte ajetet që kanë të bëjnë me vdekjen, ringjalljen dhe jetën e përtejme, zëri i tij rëndohej nga dënesja e thellë.

Ai vdiq në moshën shtatëdhjetë e një vjeç në qytetin malor Taif.