Abdullah Ibn Mes’ud

Kur ishte i ri, ende pa e kaluar moshën e pubertetit, ai bredhte shtigjeve të maleve të Mekes larg nga njerëzit, duke ruajtur kopenë e prijësit të Kurejshitëve, Ukbeh ibn Muejt. Njerëzit e quanin Ibn Umm Abd – i biri i nënës së robit. Emri i vërtetë i tij ishte Abdullah, kurse emri i babait të tij ishte Mes’ud. I riu e kishte dëgjuar lajmin për Pejgamberin i cili ishte paraqitur në mesin e njerëzve, por nuk i kushtonte ndonjë rëndësi kësaj për shkak të moshës së tij, dhe ai zakonisht gjendej larg nga shoqëria Mekase. Ishte shprehi e tij që të largohej me kopenë e Ukbes herët në mëngjes dhe të mos kthehej deri në mbrëmje. Një ditë derisa ruante kopenë, Abdullahu pa dy njerëz me moshë mesatare dhe qëndrim dinjitoz, që vinin drejt tij nga largësia. Ata evidentisht ishin të lodhur. Ata po ashtu ishin aq të etur, sa që buzët dhe fytat e tyre pothuajse ishin tharë. Ata iu afruan atij, e përshëndetën atë dhe thanë: “Djalosh, mjel njërën nga këto dele që ne ta shuajmë etjen tonë dhe ta marrim veten.”

“Nuk mundem,” iu përgjigj i riu. “Delet nuk janë të miat. Unë jam përgjegjës vetëm për përkujdesjen e tyre.”

Dy njerëzit nuk e çuan më tej. Ndonëse ishin shumë të etur, ata qenë skajshmërisht të kënaqur me këtë përgjigje të sinqertë. Kënaqësia u shfaq në fytyrat e tyre…Dy njerëzit në të vërtetë ishin vetë Pejgamberi [sallallahu alejhi ue selam] dhe shoqëruesi i tij, Ebu Bekr Sidik [radiallahu anhu]. Ata kishin dalë atë ditë në malet e Mekes për t’i ikur persekutimit të dhunshëm të Kurejshitëve. I riu, në anën tjetër, qe mahnitur me Pejgamberin [sallallahu alejhi ue selam] dhe shoqëruesin e tij, dhe së shpejti u bashkua me ta. Nuk shkoi shumë kohë para se Abdullah ibn Mes’udi të bëhej musliman dhe ofroi të jetë në shërbimin e Pejgamberit [sallallahu alejhi ue selam]. Pejgamberi [sallallahu alejhi ue selam] u pajtua dhe që nga ajo ditë Abdullah ibn Mes’udi fatlum hoqi dorë nga ruajtja e deleve për t’u përkujdesur për nevojat e Pejgamberit [sallallahu alejhi ue selam]. Abdullah ibn Mes’udi ishte gjithnjë në shoqërim të Pejgamberit [sallallahu alejhi ue selam].

Ai kujdesej për nevojat e tija brenda dhe jashtë shtëpisë. Ai e shoqëronte atë në udhëtime dhe ekspedita, e zgjonte prej gjumit kur ai flinte, ai mbartte shkopin dhe siuakun [furçën e dhëmbëve] e tij dhe prezantonte në nevojat tjera personale të tija. Abdullah ibn Mes’udi pranoi një përgatitje unike në shtëpinë e Pejgamberit [sallallahu alejhi ue selam]. Ai ishte nën udhëzimin e Pejgamberit, përvetësoi sjelljen e tij dhe ndoqi secilën cilësi të tij gjersa u tha për të: “Ai më së shumti i ngjasonte Pejgamberit në karakter.”

Abdullahu mësoi në ‘shkollën’ e Pejgamberit [sallallahu alejhi ue selam]. Ai ishte recituesi më i mirë i Kur’anit në mesin e Sahabëve dhe e kuptonte atë më mirë se të gjithë të tjerët. Andaj ai e njihte më së miri Sheriatin. Asgjë s’mund ta ilustrojë këtë më mirë sesa ngjarja e njeriut i cili erdhi tek Umer ibn el-Hatab derisa ai qëndronte në rrafshinën e Arafatit dhe tha:

“O Emir el-Mu’minin, unë kam ardhur prej Kufes ku e lash një njeri i cili mbushte kopje të Kur’anit prej mbamendjes së tij.” Umeri u hidhërua shumë dhe filloi të endej pranë devesë së tij duke shfryer prej mllefit. “Kush është ai?” pyeti Umeri. “Abdullah ibn Mes’ud,” u përgjigj njeriu. Hidhërimi i Umerit u largua dhe ai filloi të qetësohet. “I Mjeri ti,” i tha ai njeriut. “Pasha Allahun, unë nuk di për ndonjë person që ka mbetur e që është më i kualifikuar në këtë çështje se ai. Më lërë të të tregoj në lidhje me këtë.” Umeri vazhdoi: “Një natë, i Dërguari i Allahut [sallallahu alejhi ue selam] bisedonte me Ebu Bekrin lidhur me situatën e muslimanëve dhe unë isha me ta. Kur Pejgamberi [sallallahu alejhi ue selam] u largua, edhe ne po ashtu u nisëm dhe ndërsa po kalonim pranë një xhamie, aty qëndronte [në namaz] një njeri të cilin ne nuk e njihnim. Pejgamberi [sallallahu alejhi ue selam] u ndal për ta dëgjuar atë, pastaj u kthye kah ne dhe tha, ‘Kushdo që dëshiron ta lexojë Kur’ani ashtu siç është shpallur, atëherë le ta lexojë sipas recitimit të Ibn Umm Abdit.’

Pas namazit, kur Abdullahu u ul për të bërë du’a, Pejgamberi [sallallahu alejhi ue selam] tha: “Kërko dhe do të të jepet. Kërko dhe do të të jepet.” Umeri vazhdoi: “Unë thashë në vetvete, unë do të shkoj menjëherë te Abdullahu dhe do ta përgëzoj me lajmin e mirë për pranimin e du’asë. Unë shkova ta bëj këtë por pashë se Ebu Bekri kishte shkuar para meje dhe ia kishte përcjell lajmin e mirë. Pasha Allahun, unë kurrë se kam mundur Ebu Bekrin në bërjen e ndonjë pune të mirë.”

Abdullah Ibn Mes’udi arriti dituri të atillë rreth Kur’anit, sa që ai thoshte: “Pasha Atë, krahas të Cilit askush s’meriton të adhurohet, asnjë ajet i Librit të Allahut s’është shpallur pa e ditur unë se ku është shpallur dhe rrethanat e shpalljes së tij. Pasha Allahun, sikur ta dija se ka ndonjë që di më shumë se unë për Librin e Allahut, do të bëja çdo gjë që është në mundësitë e mia që te jem me të.”

Abdullahu nuk ekzagjeronte në atë çfarë thoshte për vetveten e tij. Njëherë Umer ibn el-Hatab takoi një karvan në një prej udhëtimeve të tija si Halife. Ishte errësirë e plotë dhe karavani s’mund të shihej mirë. Umeri urdhëroi dikë që ta përshëndes karvanin. Ndodhi që Abdullah ibn Mes’udi të jetë në të. “Prej nga vini?” pyeti Umeri. “Prej një lugine të thellë,” erdhi përgjigja. [Shprehja e përdorur fexh amik/luginë e thellë është shprehje Kur’anore]. “Ku jeni duke shkuar?” pyeti Umeri. “Te shtëpia e lashtë,” erdhi përgjigja. [Shprehja e përdorur el-bejt el-atik/shtëpia e lashtë është shprehje Kur’anore].

“Në mesin e tyre qenka një dijetar,” tha Umeri dhe urdhëroi dikë që ta pyes personin:

“Cila është pjesa më madhështore e Kur’anit?”

“Allahu. Nuk ka të adhuruar me meritë pos Tij, i Gjalli, i Përjetshmi. Atë nuk e kaplon as gjumi as dremitja,” u kundërpërgjigj personi, duke cituar Ajet el-Kursi [ajeti i Kursit].

“Cila pjesë e Kur’anit është më e qarta në lidhje me drejtësinë?”

“Allahu urdhëron në drejtësi, ndershmëri dhe ndihmë të afërmve…” erdhi përgjigja.

“Cila është thënia më gjithëpërfshirëse e Kur’anit?“

“Kushdo që bën mirë sa pesha e atomit do ta shohë atë, dhe kushdo që bën keq sa pesha e atomit do ta shohë atë.”

“Cila pjesë e Kur’anit i jep shans shpresës më të madhe?”

“Thuaj, O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është që fal shumë, Përdëllestar.”

Pas kësaj Umeri pyeti:

“A është Abdullah ibn Mes’udi në mesin tuaj?”

“Po, pasha Allahun,” u përgjigj njeriu në karvan. Abdullah ibn Mes’ud s’ishte vetëm recitues i Kur’anit, njeri i ditur apo adhurues i devotshëm. Ai pos kësaj ishte edhe luftëtar i fortë dhe i guximshëm, që bëhej skajshmërisht serioz kur e kërkonte situata. Një ditë, shoqëruesit e Pejgamberit [sallallahu alejhi ue selam] gjendeshin së bashku në Meke. Ata ende ishin të pakët në numër, të dobët dhe të shtypur. Ata thanë, “Kurejshitët ende se kanë dëgjuar Kur’anin duke u recituar haptazi dhe zëshëm. Kush është ai qo do t’ua recitojë Kur’anin tyre?”

Unë do t’ua recitoj atyre,” u lajmërua Abdullah ibn Mes’udi. “Në frikësohemi për ty,” thanë ata.

“Ne vetëm dëshirojmë të jetë ndokush i cili ka fis që do ta mbronte atë nga e keqja e tyre.”

“Më lini mua,” insistoi Abdullah ibn Mes’ud. Allahu do t’më mbrojë dhe dhe do t’më largojë nga e keqja e tyre.” Ai pastaj doli jashtë për në xhami gjersa mbërriti te Mekam Ibrahim [disa metra nga Ka’ba]. Teksa ishte gdhirë dhe Kurejshitët po qëndronin rreth Kabës. Abdullahu u ndal tek Mekami dhe filloi të recitojë:

“Bismilahir-Rahmanir-Rahim. Er-Rahman. Aleme-l-Kuran. Khalakal Insan. Alemehul bejen… [Në Emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit. Mëshiruesi. Ai jua mësoi Kur’anin. Ai e ka krijuar njeriun dhe ia mësoi atij të folurit…]”

Ai vazhdoi të recitonte. Kurejshitët e shikuan atë dhe disa prej tyre pyetën: “Çfarë thotë Ibn Umm Abd?” “Mallkuar qoftë ai! Ai po reciton pjesë nga ajo çka solli Muhamedi!” thanë ata. Ata iu afruan atij dhe filluan ta godasin fytyrës ndërsa ai recitonte vazhdimisht. Kur u kthye tek shokët e tij, gjaku i rridhte nga fytyra. “Nga kjo ne frikësoheshim për ty,” thanë ata. “Pasha Allahun,” u përgjigj Abdullahu, “armiqtë e Allahut nuk janë më të patrazuar se unë në këtë çast. Nëse dëshironi, unë prapë do të bëj të njëjtën gjë të nesërmen.” “Mjaft ke bërë,” thanë ata. “Ti i bëre ata që të dëgjojnë atë që nuk e pëlqejnë.”

Abdullah ibn Mes’udi jetoi deri në kohën e Halifes Uthman [radiallahu anhu]. Kur ai u sëmurë dhe ishte pranë vdekjes, Uthmani e vizitoi atë dhe i tha:

“Prej çka po lëngon?”
“Prej mëkateve të mia.”
“Çfarë dëshiron?”
“Mëshirën e Zotit tim.”

Atë natë, Abdullahu ndërroi jetë duke qenë gjuha e tij e lagësht nga përkujtimi i Allahut dhe recitimi i vargjeve të Librit të Tij.