Abdullah Ibnu Hudhafe Es-Sehmij

Burimi: Shkëputur nga libri „Fragmente nga jeta e sahabëve“, f. 35-37

“Çdo musliman ka të drejtë ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hudhafes dhe unë i pari e bëj këtë.”

Omer ibnul Hattab(radijAllahu anhu)

Heroi i tregimit tonë është një njeri nga sahabët, i cili quhet ABDULLAH IBNU HUDHAFE ES-SEHMIJ. Historia ka mundësi të kalojë para këtij njeriu ashtu sikurse kaloi para miliona arabëve para tij pa i përmendur fare.

Mirëpo, Islami madhështor ia bëri të mundur Abdullah ibnu Hudhafes të takohet me dy sundimtarët e botës së asaj kohe: Kisranë e persianëve dhe Cezarin, perandorin e romakëve, dhe me secilin prej tyre të ketë nga një ndodhi, të cilat do t’i ruajë kujtesa e kohës dhe do t’i rrëfejë historia.

Takimi i tij me Cezarin ndodhi gjatë sundimit të Omer ibnul Hattabit radijAllahu anhu Ai takim ishte prej ngjarjeve më madhështore në histori. Në vitin e nëntëmbëdhjetë të hixhretit Omeri r.a. dërgoi një ekspeditë ushtarake për të luftuar kundër romakëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdullah ibnu Hudhafe Es-Sehmiju. Cezari ishte informuar për motivacionin dhe moralin e lartë, me të cilin njiheshin ushtarët muslimanë, si dhe besimin e madh që kishin ata në luftën e tyre në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Cezari i urdhëroi ushtarët e tij që nëse e zënë rob ndonjë ushtarë musliman, t’ia sjellin të gjallë. Deshi Allahu xhele shanuhu që Abdullah ibnu Hudhafe të zihet rob dhe të bjerë në duart e romakëve. Ushtarët e dërguan te perandori i tyre dhe i thanë: “Ky është njëri prej sahabëve të parë të Pejgamberit salAllahu alejhi we selem, me duart tona e zumë rob dhe ua sollëm juve.”

Perandori romak e shikoi gjatë Abdullah ibnu Hudhafen e pastaj tha:

– Unë të ofroj ty një gjë.

Abdullahu pyeti:

– Çështë ajo?!

Perandori iu përgjigj:

– Të ofroj të bëhesh i krishterë. Nëse e pranon këtë, do të lë të lirë dhe do të nderoj me çfarëdo pozite të duash.

Robi (Abdullahu) iu përgjigj me krenari dhe me vendosmëri:

– Larg asaj! Vdekja për mua është një mijë herë më e dashur se ajo që më ofron!

Cezari ia ktheu:

– Unë po shoh se je njeri i mençur. Nëse më përgjigjesh në atë që të ofrova, do të jesh pjesëmarrës në konzën time dhe do ta ndajmë së bashku pushtetin tim.

Robi i lidhur me pranga buzëqeshi dhe tha:

– Të betohem në Allahun se, sikur të ma dhuroje tërë pasurinë tënde dhe tërë pasurinë që kanë arabët, me qëllim që ta braktis fenë e Muhammedit salAllahu alejhi we selem, për aq sa vetëm njëherë lëviz syri, nuk do ta bëja kurrë.

Kur e pa kokëfortësinë e tij, Perandori i tha:

– Atëherë do të të mbys.

Abdullahu ia ktheu:

– Bë ç’të duash!

Perandori urdhëroi që të kryqëzohet dhe i tha xhelatit në gjuhën romake:

– Hidheni afër duarve të tij! I ofronte atij të bëhej i krishterë, mirëpo ai refuzoi.

Atëherë i tha:

– Hidheni afër këmbëve të tij. I ofronte ta braktiste fenë e vet, por ai prapë e refuzoi ofertën.

Perandori urdhëroi të heqin dorë prej tij. Kërkoi prej xhelatit ta zbresë nga dërrasa e kryqëzimit. Pastaj kërkoi t’i sjellin një vorbë të madhe, të cilën e mbushën me vaj dhe e vunë mbi zjarr derisa vloi. Pastaj i mori dy muslimanë të zënë robër dhe urdhëroi që njëri prej tyre të hidhet në të. Për një çast i tërë mishi iu shkri dhe iu panë eshtrat.

Perandori iu drejtua Abdullah ibnu Hudhafes dhe i ofori përsëri të bëhet i krishterë, por këtë herë refuzimi i tij ishte edhe më i fuqishëm se herëve të tjera.

Pasi humbi çdo shpresë se do ta braktiste fenë islame, urdhëroi ta hidhnin në vorbën e mbushur me vaj të vluar, në të cilin gjeti vdekjen shoku i tij musliman. Në momentin kur e morën ta hidhnin në të, i lotuan të dy sytë. Njerëzit e Cezarit e vërejtën këtë dhe i thanë: “Robi po qan.” Perandori mendoi se ai po qan nga frika se po i dhimbsej jeta, prandaj urdhëroi e tha:

“Kthejeni tek unë!” Kur ia sollën përpara, i ofroi të bëhet i krishter, por Abdullahu përsëri refuzoi.

Atëherë, Perandori e pyeti:

– Medet për ty. Çështë ajo që të shtyu të qash?!

Abdullahu u përgjigj:

– Ajo që më bëri të qaj ishte se thashë me vete: “Të hedhin në këtë vorbë dhe të del shpirti. Do të dëshiroja që të kem aq shpirtra sa është numri i qimeve në trupin tim dhe të gjithë ata të hidhen në këtë vorbë, në rrugën e Allahut.

Diktatori, atëherë i tha:

– A don ta puthësh kokën time e të të liroj?!

Abdullahu iu përgjigj:

– Me kusht që t’i lirosh edhe të gjithë ushtarët muslimanë të zënë robër.

Cezari u përgjigj:

– Po, do t’i liroj dhe muslimanët e zënë robër.

Abdullahu tregon:

Thashë me vete: “Ta puth kokën e njërit prej armiqve të muslimanëve dhe të lirohem unë dhe të gjithë muslimanët e zënë robër, ky ndoshta nuk është mëkat i madh për mua.“

Pastaj iu afrua atij dhe ia puthi kokën. Atëherë, perandori romak dha urdhër që të tubohen të gjithë muslimanët e zënë robër dhe të lirohen.

Pas lirimit nga robëria, Abdullahu shkoi te Omer ibnul Hattabi radijAllahu anhu dhe i lajmëroi për këtë, Omeri u gëzua shumë. Pasi i shikoi robërit, u tha:

– Është detyrim i çdo muslimani ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hudhafes dhe unë filloj i pari.

Pastaj u ngrit dhe ia puthi kokën…