Abdur-Rahman Ibn Auf

Ai ishte një nga tetë personat e parë që e pranuan Islamin. Ai ishte një nga dhjetë personat [el-esheretul-mubeshirin] që u patën siguruar se do të hyjnë në parajsë. Ai ishte një nga gjashtë personat që qenë zgjedhur nga Umer për të formuar këshillin për të zgjedhur Halifen pas vdekjes së tij. Emri i tij gjatë ditëve të injorancës ishte Ebu Amr. Por, kur ai e pranoi Islamin, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] atë e quajti Abdur-Rahman.

Abdur-Rahmani u bë musliman para se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] të hynte në shtëpinë e Erkamit. Në të vërtetë thuhet që ai e pranoi Islamin vetëm dy ditë pas Ebu Bekrit [radiallahu anhu]. Abdur-Rahmani nuk u iku keqtrajtimeve të Kurejshitëve me të cilat përballeshin muslimanët e hershëm. Ai i duroi këto keqtrajtime dhe qëndroi i paepur mu sikurse ata. Dhe kur ata qenë të detyruar ta lënë Meken e të shkojnë në Abisini për shkak të persekutimeve të vazhdueshme e të papërballueshme, Abdur-Rahmani gjithashtu shkoi. Ai u kthye në Meke kur u hapën fjalë që gjendja ishte përmirësuar për muslimanët, por këto fjalë s’kishin qenë të vërteta dhe ai u largua prapë në Abisini në një hixhret [migrim] të dytë.

Dhe, ai prapë bëri hixhret për në Medine.

Pas pak pasi mbërriti në Medine, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] në mënyrën e tij të veçantë nisi çiftëzimin e Muhaxhirinëve dhe Ensarëve. Kjo vendosi një lidhje të fortë vëllazërore që ishte menduar të forcojë kohezionin shoqëror dhe të lehtësojë skamjen e Muhaxhirinëve. Abdur-Rahmani u lidh nga Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] me Sad Ibn er-Rebi’ah. Sad, me një shpirtmadhësi dhe bujari me të cilën Ensarët i mirëpritën Muhaxhirinët, i tha Abdur-Rahmanit: “Vëllai im! Midis njerëzve të Medines unë jam më i pasuri. Unë kam dy kopshte frutore dhe dy gra. Shiko se cila nga dy kopshtet po të pëlqen dhe unë do ta liroj atë për ty, dhe shiko se cila nga dy gratë e mia po të pëlqen më shumë dhe unë do ta divorcoj atë për ty.”

Abdur-Rahmani duhet të ketë qenë në siklet, dhe u përgjigj: “Allahu të bekoftë në familjen tënde dhe në pasurinë tënde. Por, vetëm më trego se ku gjendet pazari…” Abdur-Rahman shkoi në pazar dhe nisi të bënte tregti me ato pak resurse që pati. Ai merrej me shitblerje dhe përfitimi i tij rritej shumë shpejt. Pas pak ai u bë i pasur dhe qe në gjendje për t’u martuar. Një ditë, ai shkoi te pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] me aromë parfumi.

“Mehjem, O Abdur-Rahman!” thirri pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] – “Mehjem” është fjalë me origjine Jemenite, që tregon në befasi të këndshme.
“Jam martuar,” u përgjigj Abdur-Rahmani.
“Çfarë i ke dhënë gruas sate si mehr?” pyeti pejgamberi [salallahu alejhi ue selam].
“Një sasi ari,” u përgjigj Abdur-Rahmani.
“Ti duhet të bësh një uelimeh [gosti martese] qoftë edhe me vetëm një dele. Dhe Allahu të bekoftë në pasurinë tënde,” tha pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] me një kënaqësi dhe inkurajim të dukshëm.

Që andej e tutje Abdur-Rahmani aq shumë u përshtat në tregti të suksesshme, saqë thoshte që po ta ngrinte një gur, ai pritte të gjente ar apo argjend nën të! Abdur-Rahman u dallua në të dy betejat, Bedr dhe Uhud. Në Uhud ai qëndroi i paepur gjatë gjithë kohës dhe pësoi më shumë se njëzet plagë, disa nga ato të thella e të rënda. Megjithatë xhihadi i tij trupor ishte i barabartë me xhihadin e tij me pasurinë që kishte.

Një herë e një kohë, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] përgatitej për të nisur një ekspeditë ushtarake. Ai u bëri thirrje sahabëve dhe tha:

“Jepni lëmoshë ngase kam ndër mend të nisi një ekspeditë.” Abdur-Rahman shkoi në shtëpinë e tij dhe u kthye me ngut. “O i dërguar i Allahut,” tha ai, “Unë kam katër mijë dinarë. Unë i jap dy mijë për këtë qëllim ndërsa dy mijë po ua lë familjes sime.”

Kur pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] vendosi të dërgojë një ekspeditë në Tebukun e largët – kjo ishte ekspedita [gazua] e fundit në jetën e tij – nevoja e tij për financim dhe material s’ishte më e madhe se nevoja për njerëz, ngase forcat Bizantine ishin të mëdha dhe të pajisura mirë. Atë vit në Medine kishte mbretëruar thatësi e madhe. Udhëtimi për në Tebuk ishte i gjatë, më shumë se një mijë kilometra. Furnizimi ishte i pakët. Transporti ishte aq shumë i kërkuar, saqë një grup muslimanësh erdhën te pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] dhe e lutnin që të shkonin me të, por ai i refuzoi nga që s’mund të gjente transport [kafshë] për ta.

Këta njerëz u pikëlluan dhe u mërzitën aq shumë, saqë u bënë të njohur si Bekke’in apo Qaramanët dhe vetë ushtria u quajt Ushtria e Mundimit [Usrah]. Pas kësaj, pejgamberi thirri Shoqëruesit e tij që të japin bujarisht për qëllimin e luftës në rrugë të Allahut dhe i siguroi që do të shpërblehen. Përgjigja e muslimanëve ndaj pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] ishte e menjëhershme dhe bujare. Në ballë të atyre që iu përgjigjen thirrjes ishte edhe Abdur-Rahman Ibn Auf. Ai dha dyqind aukije në ar pas çka Umer Ibn el-Hatab i tha pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]:

“Unë pashë që Abdur-Rahman gaboi. Ai nuk i la gjë familjes së vet.”
“A ke lënë ndonjë gjë për familjen tënde, Abdur-Rahman?” pyeti Pejgamberi.
“Po,” u përgjigj Abdur-Rahman. “Unë u lash atyre më shumë se që dhashë, madje edhe më shumë.”
“Sa?” pyeti pejgamberi [salallahu alejhi ue selam].
“Atë që Allahu dhe i dërguari i Tij kanë premtuar si furnizim, mirësi dhe shpërblim,” u përgjigj Abdur-Rahman.

Ushtria muslimane përfundimisht u nis për në Tebuk. Atje Abdur-Rahman u bekua me një nder që nuk i ishte dhënë askujt para tij. Erdhi koha për namaz dhe pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] nuk qe aty për të udhëhequr në namaz. Muslimanët e zgjodhën Abdur-Rahmanin si imam të tyrin. Rekati i parë gati ishte plotësuar kur pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] iu bashkëngjit adhuruesve dhe kreu namazin pas Abdu-Rahman Ibn Auf. A mund të ketë nder më të madh ndaj ndokujt se të jetë imam i krijesës më të nderuar të Allahut, imam i pejgamberit, imam i Muhamedit, të dërguarit të Allahut!

Kur pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] vdiq, Abdur-Rahmani mori përgjegjësinë e përkujdesjes për nevojat e familjes së tij, Nënave të besimtarëve. Ai do të shkonte me ato kurdo që ato dëshironin, madje ai bëri edhe Haxh me ato që të sigurohej se të gjitha nevojat e tyre po përmbusheshin. Kjo është shenjë e besimit dhe sigurisë, të cilin ai e gëzonte nga ana e familjes së pejgamberit [salallahu alejhi ue selam].

Mbështetja e Abdur-Rahmanit për muslimanët dhe gratë e pejgamberit [salallahu
alejhi ue selam] në veçanti ishte mjaft mirë e njohur. Një herë e një kohë ai shiti një pjesë të tokës së tij për dyzet mijë dinarë dhe e shpërndau tërë këtë sasi parash midis Benu Zehre [të afërmit e nënës së pejgamberit, Emines], të varfërve ndër muslimanët dhe grave të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]. Kur Aisha [radiallahu anha] pranoi një pjesë të kësaj sasie, ajo pyeti:

“Kush i ka dërguar këto para?” dhe i qe thënë: Abdur-Rahmani, pas çka ajo tha: “I dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam] ka thënë: “Askush s’do të ndjej dhembshuri për ty pasi që unë të vdes, përveç durimtarëve.”

Lutja e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] që Allahu të bekojë pasurinë e Abdur-Rahmanit u dukë të jetë me Abdur-Rahmanin gjatë gjithë jetës së tij. Ai u bë njeriu më i pasur ndër sahabët e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]. Transaksionet e tija të biznesit pa ndryshim rezultonin në sukses ndërsa pasuria e tij vazhdonte te shtohej. Karvanët e tija tregtare nga dhe për në Medine sa vinin e rriteshin duke iu sjell banorëve të Medines grurë, miell, veshje, enë kuzhine, parfume dhe çkado që kishin nevojë dhe duke eksportuar çfarëdo prodhimi që ata kishin.

Një ditë u dëgjua një gjëmim që vinte nga përtej kufijve të Medines, i cili zakonisht ishte një qytet i qetë dhe i patrazuar. Gjëmimi sa vinte e rritej. Veç kësaj, retë e pluhurit dhe rëra përziheshin në erën që po frynte. Banorët e Medines pas pak kuptuan që një karavan po hynte në qytet. Ata qëndronin të habitur ndërsa shtatëqind deve të ngarkuara me mall hynë në qytet dhe vërshuan rrugët. Pati shumë britma dhe eksitim kur njerëzit thirrnin njëri-tjetrin për të dalë jashtë që të shohin pamjen dhe çfarë të mirash ka sjell karavani.
Aisha [radiallahu anhu] e dëgjoi gurgulenë dhe pyeti: “Çfarë po ndodh në Medine?” dhe asaj i qe thënë: “Është karavani i Abdur-Rahman Ibn Aufit që ka ardhur nga Siria me mallra.”

“E gjithë kjo zhurmë për një karvan?” pyeti ajo në mosbesim.
“Po, oj Nëna e besimtarëve. Janë ardhur shtatëqind deve.”

Aisha tundi kokën dhe vështroi në largësi sikur mundohej të ringjallte në kujtesë skena apo thënie të së kaluarës, dhe më pas tha: “E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut [salallahu alejhi ue selam] duke thënë: E kam parë Abdur-Rahman Ibn Aufin duke hyrë zvarrë në parajsë.”

Përse zvarrë? Përse s’do të hynte në parajsë duke ecur me hap të shpejtë me sahabët e hershëm të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]?

Disa njerëz të tij ia transmetuan Abdur-Rahmanit hadithin që kishte përmendur Aisha. Ai kujtoi që kishte dëgjuar hadithin më shumë se një herë nga pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] dhe shpejtoi për tek shtëpia e Aishes dhe i tha asaj:

“Oj Nënë! A e ke dëgjuar këtë nga i dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam]?”
“Po,” u përgjigj ajo.
“Ma ke kujtuar një hadith të cilin kurrë se kam harruar,” është transmetuar nga ai të ketë thënë gjithashtu. Ai ishte i gëzuar së tepërmi dhe shtoi: “Po të mundja, unë sigurisht do të kisha dashur të hyja në këmbë në parajsë. Po të betohem, oj Nënë, që këtë karavan me tërë mallrat e tija do ta jap për hir të Allahut.”

Kështu edhe veproi. Në një festival madhështor të lëmoshës dhe mirësisë, ai e shpërndau tërë atë që karvani u kishte sjell banorëve të Medines dhe rajoneve të afërta.

Ky është vetëm një incident që tregoi çfarë njeriu ishte Abdur-Rahmani. Ai fitoi një pasuri të madhe por asnjëherë nuk lejoi që të lidhet për të për hir të vetin dhe nuk lejoi që ajo ta prishte atë.

Bujaria e Abdur-Rahmanit nuk u ndal më këtë. Ai vazhdoi të jepte me të dy duart, fshehurazi dhe haptas. Disa shifra që përmenden, vërtet janë mahnitëse: dyzet mijë dirhem në argjend, dyzet mijë dinarë në ar, dyqind aukije në ar, pesëqind kuaj muxhahidinëve, katërqind dinarë në ar atyre që mbeten gjallë nga lufta e Bedrit dhe një trashëgimi të madhe Nënës së besimtarëve, dhe kështu me radhë.

Për këtë bujari të mrekullueshme, Aisha tha:

“Allahu i dhashtë atij të pijë ujë nga Selsebili [burim në parajsë].” E gjithë kjo pasuri nuk e prishi Abdur-Rahmanin dhe nuk e ndryshoi atë. Kur ai gjindej midis punëtorëve dhe ndihmësve të tij, njerëzit s’mund ta dallonin atë nga ata. Një ditë atij i qe sjellur ushqim për ta përfunduar agjërimin. Ai e shikoi ushqimin dhe tha: “Musab Ibn Umejr është vrarë. Ai ishte më i mirë se unë. Ne nuk gjetëm asgjë të tijën për ta qefinosur atë, përveç që mbulonte kokën e tij por këmbët e tij mbeteshin të zbuluara. Pastaj Allahu na dhuroi pasuritë e botës… Unë vërtet kam frikë që shpërblimi ynë na është dhënë më herët [në këtë botë].” Ai nisi të qajë dhe të dënes dhe s’mundi të hante gjë. Allahu i dhashtë Abdur-Rahmanit lumturi midis “atyre që harxhojnë pasurinë e tyre në rrugë të Allahut dhe nuk e përcjellin dhënien e tyre me përmendje të bujarisë së tyre apo me mburrje. Shpërblimi i tyre gjendet te Zoti i tyre. Për ta s’do të ketë as frikë e as pikëllim.” [Bekare: 262]