Ali Ibn Ebi Talib

“Ti (Ali) je vëllai im në këtë botë dhe në Tjetrën.” (Hadith)

Zgjedhja e Aliut (radiallahu anhu)

Pas rënies së Uthmanit (radiallahu anhu), pozita e Halifes mbeti e zbrazët për dy apo tri ditë. Shumë njerëz insistonin që Aliu (radiallahu anhu) duhej ta merrte këtë pozitë, por ai qe zënë ngushtë nga fakti se njerëzit të cilët e favorizonin atë më së shumti ishin kryengritësit, prandaj ai refuzoi në fillim. Kur Shoqëruesit e Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) e nxitën atë, prapëseprapë, ai më në fund u pajtua.

Jeta e Aliut

Ali ibn Ebi Talib ishte kushëriri i parë i Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Përveç kësaj, ai kishte qenë rritur në shtëpinë e vetë Pejgamberit, dhe më vonë u martua me të bijën më të re të tij, Fatimen (radiallahu anha), dhe mbeti në shoqërimin më të afërt me të për gati tridhjetë vite.

Aliu ishte dhjetë vjeç kur Porosia hyjnore i erdhi Muhamedit (sallallahu alejhi ue selam). Një natë, ai pa Pejgamberin dhe bashkëshorten e tij Hadixhen (radiallahu anha) duke bërë ruku dhe sexhde. Ai e pyeti Pejgamberin (sallallahu alejhiu e selam) për domethënien e veprimit të tyre. Pejgamberi i tha atij se ata qenë duke iu lutur Zotit më të Lartit dhe se Aliu gjithashtu duhej ta pranonte Islamin.

Kur erdh urdhri Hyjnor, “Dhe paralajmëroji familjarët tu” Esh-Shu’ara 214, Pejgamberi i ftoi familjarët e tij në një racion. Pasi që përfundoi, ai iu adresua atyre dhe pyeti, “Kush do të më bashkëngjitet në kauzën e Allahut?” Një heshtje e plotë mbizotëroi për një moment, pastaj Aliu (radiallahu anhu) u ngrit. “Unë jam më i riu prej të gjithëve që janë të pranishëm këtu”, tha ai, “Sytë e mi më bezdisin sepse ata janë të pezmatuar dhe këmbët e mia janë të holla dhe të dobëta, por unë do të bashkangjitem ty në çfarëdo mënyre që mundem.”

Mbledhja u shpërbë me të qeshur ironik. Por gjatë luftërave të vështira në Meke, Aliu (radiallahu anhu) qëndroi në këto fjalë dhe u përballë me të gjitha vështirësitë të cilave u qenë nënshtruar Muslimanët. Ai fjeti në shtratin e Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) kur Kurejshitët planifikuan mbytjen e Pejgamberit. Ishte ai, të cilit Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) i la në dorëzim, kur ai e lëshoi Mekën, gjërat e çmuara të cilat i ishin dhënë atij që t’i ruaj, që më pas t’u kthehen pronarëve të tyre.

Përveç ekspeditës së Tebukut, Aliu (radiallahu anhu) luftoi në të gjitha betejat e mëhershme të Islamit me një shkëlqim të madh, posaçërisht në ekspeditën e Hajberit. Thuhet se në Betejën e Uhudit ai morri më shumë se gjashtëdhjetë plagë.

Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) e donte Ali ibn Ebi Talibin dhe e thirrte atë me shumë emra ledhatues. Njëherë Pejgamberi e gjeti atë duke fjetur në pluhur. Ai i shkundi teshat e Aliut dhe tha me dashuri: “Ngrihu, Ebu Turab (Babai i Pluhurit).” Pejgamberi atij gjithashtu ia dha titullin ‘Esadullah’ (Luan i Zotit).
Nënshtrimi, asketizmi, devotshmëria, dituria e thellë e Aliut dhe mendjemprehtësia e tij i dhanë atij dallueshmëri të madhe në mesin e Shoqëruesve të Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Ebu Bekr Sidik, Umer dhe Uthman konsultoheshin shpesh me të gjatë Hilafetit të tyre. Shumë herë Umeri e kishte bërë atë zëvendës regjent në Medine kur ai s’ishte aty. Aliu (radiallahu anhu) gjithashtu ishte një dijetar i madh i literaturës Arabe dhe nismëtar në fushën e gramatikës dhe retorikës.

Fjalimet e tija, ligjeratat dhe letrat shërbyen për gjeneratat vijuese si model i shprehjes letrare. Shumë nga thëniet e tija të urta dhe aforistike janë ruajtur. Kështu Aliu pati një personalitet të pasur dhe të gjithanshëm. Përkundër këtyre arritjeve, ai mbeti një njeri i përvuajtur dhe modest. Njëherë gjatë Hilafetit të tij kur ai ishte duke shkuar në treg, një njeri u ngrit në respekt dhe e përcolli atë. “Mos e bën këtë” tha Aliu (radiallahu anhu). “Sjelljet e këtilla janë sprovë për sunduesin dhe një poshtërim për të sunduarit.”

Aliu dhe familja e tij jetuan një jetë skajshmërisht të thjeshtë dhe askete. Nganjëherë ata i kaplonte uria për shkak të bujarisë së madh te Aliut, dhe askush i cili ka kërkuar ndihmë kurrë s’është larguar nga dera e tij (duarzbrazët). Jeta e tij e thjeshtë dhe askete nuk ndërroi madje edhe kur ai qe sundues i një territori të madh.

Hilafeti i Aliut

Siç u përmend më parë, Aliu (radialllahu anhu) e pranoi Hilafetin më shumë ngurrim. Vrasja e Uthmanit (radiallahu anhu) dhe ngjarjet që e rrethonin atë qenë një simptomë, dhe gjithashtu u bë edhe shkak i një konflikti civil në masë të madhe. Aliu mendonte se situata tragjike kryesisht qe për shkak të guvernatorëve të paaftë. Prandaj, ai i shkarkoi të gjithë guvernatorët e emëruar nga Uthmani (radiallahu anhu) dhe caktoi të tjerë. Të gjithë guvernatorët përveç Muauijes (radiallahu anhu), guvernatorit të Sirisë, iu nënshtruan urdhrave të tij. Muauije refuzoi që të dëgjojë derisa të bëhej hakmarrja për gjakun e Uthmanit. E veja e Pejgamberi A’isha (radiallahu anha) gjithashtu qe e mendimit se Aliu së pari duhej t’i sillte dorasit para drejtësisë. Për shkak të gjendjes kaotike gjatë ditëve të fundit të Uthmanit, ishte shumë vështirë që të identifikoheshin vrasësit, ndërsa Aliu refuzonte që të dënojë ndonjë, fajësia e të cilit s’ishte dëshmuar legalisht. Kështu zuri vend beteja në mes ushtrisë së Aliut (radiallahu anhu) dhe përkrahësve të A’ishes (radiallahu anha).

A’isha më vonë e kuptoi gabimin e gjykimit të saj dhe kurrë nuk ia fali vetes për këtë.

Situata në Hixhaz (pjesë e Arabisë në të cilat gjinden Meka dhe Medina) u bë aq e çrregullt sa që Aliu u zhvendos në Irak. Muauije (radiallahu anhu) tash haptazi u rebelua kundër Aliut (radiallahu anhu) dhe në mes ushtrive të tyre ndodhi një betejë shumë e ashpër. Kjo betëjë qe jopërfundimtare, dhe Aliut (radiallahu anhu) i qe dashur që ta pranojë udhëheqjen de fakto të Muauijes në Siri.

Sidoqoftë, edhe pse epoka e Hilafetit të Aliut (radiallahu anhu) qe dëmtuar me kryengritjen civile, ai megjithatë prezantoi një numër reformash, veçanërisht në mbledhjen e të ardhurave.

Ishte viti i katërdhjetë i Hixhretit. Një grup fanatik i quajtur Hauarixh, i përbërë nga njerëzit të cilët qenë ndarë prej Aliut (radiallahu anhu) për shkak të kompromisit të tij me Muauijen (radiallahu anhu), pohuan se as Aliu, Halifja, as Muauije sunduesi i Sirisë, as Amr bin El-As, sunduesi i Egjiptit, s’janë të denjë për sundim. Në të vërtetë, ata shkuan aq larg sa që thanë se Hilafeti i vërtetë përfundoi me Umerin (radiallahu anhu) dhe se Muslimanët duhet të jetojnë pa sundues mbi ta, përveç Allahut. Ata u zotuan se do t’i mbysin të tre sundimtarët, dhe kështu vrasësit qenë nisur në tri drejtimet.

Vrasësit të cilët qenë caktuar ta mbysin Muauijen dhe Amrin nuk patën sukses dhe qenë kapur dhe ekzekutuar, por Ibn Mulxhim, vrasësi i cili qe mandatuar ta vrasë Aliun e përfundoi detyrën e tij. Një mëngjes, kur Aliu qe thelluar në namaz në xhami, Ibn Mulxhim e therri atë me një shpatë helmuese. Më 20 të muajit Ramadan, 40 P.H., vdiq i fundit nga Halifet e Udhëzuar Drejt të Islamit. Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe ua dhuroftë shpërblimin e përjetshëm të Tij. Amin

Me vdekjen e Aliut (radiallahu anhu), përfundoi etapa e parë dhe më e shquar në historinë e Muslimanëve. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë Libri i Allahut dhe praktikat e të Dërguarit të Tij që është, Kur’ani dhe Suneti e cila udhëzoi udhëheqësit dhe të udhëhequrit, vendosi standardet e sjelljes së tyre dhe i frymëzoi veprat e tyre. Ishte koha kur sunduesi dhe të sunduarit, të pasurit dhe të varfrit, të fuqishmit dhe të dobëtit, i qenë nënshtruar njësishëm Ligjit Hyjnor. Ajo qe një epokë e lirisë dhe barazisë, nënshtrimin dhe të qenit i vetëdijshëm për Zotin, e drejtësisë sociale e cila nuk njihte privilegje, dhe e një ligji të paanshëm i cili s’pranonte grupe që bëjnë trysni apo interesa të kufizuara.

Pas Aliut (radiallahu anhu), Muauije (radiallahu anhu) mori Hilafetin dhe pas kësaj Hilafeti u bë i trashëgueshëm, duke kaluar prej një mbreti në tjetrin.