Ebu Bekr Sidik

“Sikur të kisha marrë ndonjë mik tjetër përveç Allahut, da ta merrja Ebu Bekrin.”( Hadith )

Domethënia e fjalës ‘Halife’

Fjala ‘Halif’ është forma shqipe e fjalës Arabe ‘Halife’, e cila është shkurtesë për Halifatu Resulil-lah. Shprehja e fundit do të thotë Trashëgues i të Dërguarit të Zotit, Pejgamberit të shenjtë Muhamed (sallallahu alejhi ue selam). Titulli ‘Halifetu Resulil-lah’ së pari qe përdorur për Ebu Bekrin (radiallahu anhu), i cili qe zgjedhur udhëheqës i komunitetit Musliman pas vdekjes së Pejgamberit.

Rëndësia e Hilafetit

Misioni i Pejgamberit Muhamed (sallallahu alejhi ue selam), si ai i të dërguarve të mëhershëm të Allahut, ishte që të thërret njerëzit në adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Një Zoti të Vërtetë. Në praktikë, nënshtrimi ndaj Zotit do të thotë që t’i zbatojmë urdhërat e Tij siç është dhënë në Kur’anin e Shenjtë dhe siç është shpjeguar në Sunet. Si trashëgues i Pejgamberit, Halifeja ishte udhëheqës i komunitetit Musliman dhe përgjegjësia primare e tij ishte që të vazhdojë në rrugën e Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Meqë feja qe përsosur dhe dera e shpalljes hyjnore qe mbyllur me vdekjen e Pejgamberit, Halifeja duhej t’i bënte të gjitha ligjet në pajtim me Kur’an dhe Sunet. Ai ishte sundues mbi Muslimanët por jo edhe supremi i tyre, meqë supremiteti i përket vetëm Allahut. Atij i duhej bindur përderisa ai të ishte i bindur ndaj Zotit. Ai qe përgjegjës për krijimin dhe vazhdimin e gjendjes në të cilën do të ishte më lehtë për Muslimanët që të jetojnë sipas parimeve Islame. Ebu Bekr (radiallahu anhu), në kohën kur e pranoi Hilafetin, deklaroi pozicionin e tij:

“Të dobëtit prej jush do të jenë të fortë me mua derisa të drejtat e tyre të jenë përligjur; dhe të fortët nga mesi juaj do të jenë të dobët me mua derisa, nëse do Allahu, ta marr atë që atyre u takon ta japin. . .Më dëgjoni përderisa unë t’i bindem Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kur unë ta kundërshtoj Atë dhe Pejgamberin e Tij, atëherë mos më dëgjoni.”

Zgjedhja për në Hilafet

Shoqëruesi më i afërt i Pejgamberit, Ebu Bekr (radiallahu anhu), nuk ishte prezent kur Pejgamberi vdiq në banesën e gruas së tij të dashur, A’ishes (radiallahu anha), bijës së Ebu Bekrit.

Kur Ebu Bekri (ra) doli nga banesa e Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) dhe kumtoi lajmin, mosbesimi dhe llahtaria e kaploi komunitetin e Muslimanëve në Medine. Muhamedi (sallallahu alejhi ue selam) kishte qenë udhëheqësi, udhëzuesi dhe bartësi i shpalljes hyjnore përmes së cilit ata qenë nxjerrur nga idhujtaria dhe barbarizmi në rrugën e Zotit. Si ka mundur që të vdes ai? Madje edhe Umeri (radiallahu anhu), njëri prej Shoqëruesve më të fortë dhe më të guximshëm të Pejgamberit, e humbi vetëpërmbajtjen dhe nxorri shpatën e tij dhe u kërcënua se do ta mbys këdo i cili thotë se Pejgamberi ka vdekur. Ebu Bekr (radiallahu anhu) butësisht e shtyu atë anash, u ngrit në shkallët e minberit dhe iu adresua njerëzve, duke thënë:

  • “O njerëz, kushdo që e ka adhuruar Muhamedin, vëni re! Muhamedi vërtet ka vdekur. Por kushdo që e ka adhuruar Zotin, vëni re! Zoti është i gjallë dhe kurrë s’do të vdes.”

Dhe pastaj ai e përfundoi me vargun Kur’anor:

“Dhe Muhamedi s’është tjetër veçse një i Dërguar. Shumë të dërguar kanë vdekur para tij; pra nëse ai vdes apo mbytet, a do të largoheni ju?” Al-Imran 3:144

Me të dëgjuar këto fjalë, njerëzit u ngushëlluan. Dëshpërimi i lëshoi vendin vetëbesimit dhe qetësisë. Momenti kritik kaloi. Por komuniteti Musliman tash përballej me një problem serioz: atë të zgjedhjes së udhëheqësit. Pas një diskutimi në mes të Shoqëruesve të Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) të cilët ishin mbledhur që ta zgjedhin udhëheqësin, u bë e qartë se askush nuk qe më i përshtatshëm për këtë përgjegjësi se Ebu Bekr (radiallahu anhu). Një pjesë e fjalimit të cilën e mbajti Halifeja i Parë pas zgjidhjes së tij tashmë qe cituar në hyrje.

Jeta e Ebu Bekrit (radiallahu anhu)

Ebu Bekr (Poseduesi i Deveve) nuk ishte emri i tij i vërtetë. Ai e fitoi këtë emër më vonë në jetë për shkak të interesit të madh të tij në mbajtjen e deveve. Emri i vërtetë i tij ishte Abdul Kaba (Robi i Kabes), të cilin Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) ia ndryshoi në Abdullah (Rob i Allahut). Pejgamberi gjithashtu ia dha atij titullin ‘Sidik’ – ‘Dëshmuesi i së Vërtetës.’

Ebu Bekr (radiallahu anhu) ishte një tregtar i pasur dhe i drejtë, i cili edhe para se ta pranonte Islamin ishte një qytetar i repektuar i Mekës. Ai ishte tri vite më i ri se Muhamedi (sallallahu alejhi ue selam) dhe një afinitet natyror i bashkoi ata prej fëmijërisë së hershme. Ai mbeti Shoqëruesi më i afërt i Pejgamberit gjatë tërë jetës së tij. Kur Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) i thirri shokët më të afërt të tij dhe farefisin e tij në Islam, Ebu Bekr ishte prej të parëve të cilët e pranuan atë. Ai po ashtu e bindi Uthmanin dhe Bilallin (radiallahu anhuma) që ta pranojnë Islamin.

Në ditët e hershme të misionit pejgamberik, kur një numër i vogël i besimtarëve i qe nënshtruar persekutimit dhe torturës së vazhdueshme, Ebu Bekr e barti një pjesë të madhe të vështirësisë. Më në fund kur erdhi lejimi i Allahut që të migrohet prej Mekës, ai qe i cili u zgjodh nga Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) që ta shoqëronte atë në udhëtimin e rrezikshëm për në Medine. Në betejat e shumta të cilat zunë vend gjatë jetës së Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) Ebu Bekr gjithmonë ishte pranë tij. Njëherë, ai ia solli tërë pronën Pejgamberit, i cili grumbullonte të holla për mbrojtjen e Medines. Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) e pyeti, “Ebu Bekr, çfarë ke lënë për familjen tënde?” Përgjigja erdhi: “Allahun dhe pejgamberin e Tij.”

Edhe para Islamit, Ebu Bekr (radiallahu anhu) qe i njohur si njeri me karakter të drejtë dhe me natyrë të përzemërt dhe të dhimbshme. Gjatë tërë jetës së tij ai ishte i ndjeshëm ndaj vuajtjeve njerëzore dhe i sjellshëm ndaj të varfërve dhe të pambrojturve. Edhe pse ai ishte i pasur, ai jetonte shumë thjesht dhe shpenzonte paratë e tija në lëmoshë, për lirimin e robërve dhe për kauzën Islame. Ai shpesh e kalonte një pjesë të natës në namaz dhe lutje. Ai ndau me familjen e tij një jetë shtëpiake gazmore dhe të dhimbshme.

Hilafeti i Ebu Bekrit (radiallahu anhu)

Si i tillë, në atë kohë, ai qe njeriu mbi të cilin ra barra e udhëheqjes në periudhën më të ndjeshme në historinë e Muslimanëve.

Pasi që u përhap lajmi për vdekjen e Pejgamberit, një numër i fiseve u rebeluan dhe refuzuan që ta paguajnë Zekatin, duke thënë se kjo ishte obligim vetëm ndaj Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Në të njëjtën kohë disa mashtrues pohuan se pejgamberllëku ka kaluar në ta pas Muhamedit (sallallahu alejhi ue selam) kështu që ata ngritën bajrakun e revoltës. Përveç kësaj, dy perandoritë e fuqishme, ajo Romake Lindore dhe Persiane, po ashtu iu kërcënuan shtetit të porsalindur Islam në Medine.

Nën këto rrethana, shumë nga Shoqëruesit e Pejgamberit, përfshirë këtu edhe Umerin (radiallahu anhu), e këshilluan Ebu Bekrin që të bëjë koncesione ndaj atyre që s’jepnin Zekatin, së paku përkohësisht. Halifeja i ri kundërshtoi. Ai insistonte se Ligji Hyjnor s’mund të ndahej, atë se s’kishte dallim në mes obligimit të Zekatit dhe Namazit, dhe atë se çfarëdo kompromisi me urdhrat e Allahut përfundimisht do t’i shkatërronte fundamentet e Islamit. Umeri dhe të tjerët shpejt e kuptuan gabimin e gjykimit të tyre. Fiset e rebeluara e sulmuan Medinen por Muslimanët qenë të përgaditur. Ebu Bekr (radiallahu anhu) vetë e udhëhoqi sulmin, duke i detyruar ata që të tërhiqen. Ai pastaj bëri një luftë të papajtueshme me pohuesit e rrejshëm të pejgamberllëkut dhe shumica e tyre u nënshtruan dhe sërish ushtruan Islamin.

Kërcënimi prej Perandorisë Romake në të vërtetë ishte paraqitur më herët, gjatë jetës së Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Pejgamberi kishte organizuar një ushtri nën komandën e Usames (radiallahu anhu), i biri i robit të liruar. Ushtria nuk shkoi larg kur Pejgamberi u sëmurë, kështu që ata u ndalën. Pas vdekjes së Pejgamberit u paraqit dilema se a duhej që ushtria të dërgohej përsëri apo të mbetej në mbrojtjen e Medines. Ebu Bekr përsëri tregoi vendosmëri. Ai tha:

“Unë do ta dërgoj ushtrinë e Usames ashtu siç qe urdhëruar nga Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam), edhe nëse mbetem vetëm.”

Instruksionet e fundit të cilat ia dha Usames (radiallahu anhu) parashkruan një kod të sjelljes në luftë i cili është mbetur i patejkaluar deri më sot. Pjesë të instruksioneve të tija ndaj ushtrisë Muslimane ishin:

“Mos dezertoni as mos kundërshtoni. Mos e mbytni njeriun e moshuar, gruan apo fëmijën. Mos i dëmtoni drurët e palmës dhe mos i preni drurët frytdhënës. Mos preni ndonjë dele, lopë apo deve përveç se për ushqim. Ju do të hasni në njerëz të cilët i kalojnë jetët e tyre në manastire. Lini ata rehat dhe mos i ngacmoni.”
Halid ibn Uelid (radiallahu anhu) qe zgjedhur nga Pejgamberi në disa raste për udhëheqës të ushtrisë Muslimane. Një njeri me trimëri të madhe, gjeniu ushtarak i të cilit doli në pah gjatë Hilafetit të Ebu Bekrit. Gjatë gjithë sundimit të Ebu Bekrit, Halid ibn Uelid udhëhoqi trupat e tij prej fitores në fitore kundër Romakëve.
Një tjetër kontribut i Ebu Bekrit (radiallahu anhu) ndaj çështjes Islame qe përmbledhja e vargjeve të Kur’anit.

Ebu Bekr (radiallahu anhu) vdiq më 21 Xhemedi-el Ahir, 13 P.H. (23 Gusht 634 p.e.r.), në moshën gjashtëdhjetë e tri vjeçare, dhe qe varrosur anash pranë Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Hilafeti i tij zgjati njëzet e shtatë muaj. Në këtë periudhë të shkurtër kohore, Ebu Bekr arriti, me Vullnetin e Allahut, që ta forcojë dhe konsolidojë komunitetin dhe shtetin e tij, dhe t’i sigurojë Muslimanët kundër rreziqeve të cilat i kërcënoheshin ekzistencës së tyre.