Ebu Ubejde bin Xherah

Ai është Amir bin Abdilah bin Xherah el Kureshi el Fihri el Mekil. Prej të parëve që pranuan Islamin dhe njeri prej atyre të cilin Ebu Bekri donte ta shihte Halife të Muslimaneve sepse besonte plotësisht se ai e meritonte diçka të tillë. Në kohën kur i dërguari i Allahut ndërroi jete Ebu Bekri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- tha:

Unë pranoj që tu udhëheqë njeri prej këtyre dy burrave: Omeri ose Ebu Ubejdja.

I dërguari i Allahut ka dëshmuar për të se do jetë banor i xhenetit dhe e ka quajtur besniku i këtij umeti, ndërkohe vlerat e tij janë të shumta dhe te njohura.

I dërguari i Allahut ka thëne: “Vërtet çdo umet ka besnikun e vet e besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde bin Xherah“.[1] Kur i treguan Omer bin Hatabit se në Sham kishte rënë një kolerë e rrezikshme tha: “Nëse me vjen vdekja ndërkohe që Ebu Ubejdja është gjallë atë do lë udhëheqës. Nëse më pyet Allahu pse e le atë udhëheqës për umetin e Muhamedit? Unë do i përgjigjem: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë: Vërtet çdo umet ka besnikun e vet e besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde bin Xherah”.

Hudhejhfe bin Jeman përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë do u dërgoj një burrë besnik. Të gjithë shokët e Profetit –paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- donin që të ishin ai burrë. Por Profeti –paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- dërgoi Ebu Ubejde bin Xherahun“.

Ai ka transmetuar hadithe të pakta por ka dëshmuar beteja të mëdha.
Ibn Seadi në librin Tabakat thotë: Malik bin Jehamir tregoi për pamjen e EbU Ubejdes duke thëne: Ishte i dobët ne fizik me fytyrë të mprehtë dhe me mjekër të vogël.[2]

Ebu Ubejde njihej për moralin e lartë urtësinë dhe thjeshtësinë e madhe.
Jezid bin Ruman thotë: Ibn Medhuni Ubejde bin Harithi Abdurrahman bin Aufi Ebu Seleme bin Abdil Esed dhe Ebu Ubejde bin Xherah shkuan tek Profeti –paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- ndërkohe ai ua prezantoi islamin dhe i njoftoi për ligjet e tij dhe ata e pranuan në një orë të vetme. Kjo ndodhi para se i dërguari i Allahut të shkonte tek shtëpia e Erkamit.

Ebu ubejde ishte prej atyre që emigruan në Abisini këtë e ka shprehur Ibn Is’haku dhe Uakidiu. Them: Nëse vërtet ka emigruar atje atëherë nuk ka qëndruar gjatë atje.

„Ai ka prezantuar në luftën e Bedrit në të cilën vrau babanë, ndërsa në Uhud luftoi trimërisht. Ditën e Uhudit ai me dhëmbët e tij të parë hoqi dy hallka që ishin futur në dy faqet e Profetit –paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- e duke ia hequr dhëmbët e tij ranë dhe kjo e bëri atë edhe më të bukur nga ç’ishte përpara.”

Ibn Nexhihu tregon se njëherë Omeri u tha shokëve që ishin ulur me të: „Çfarë dëshire keni? Dhe ata i thanë dëshirat e tyre. Ndërsa Omeri tha: Unë dëshiroj të kem një shtëpi të mbushur me burra si shembulli i Ebu Ubejde bin Xherahut.”

Halife bin Hajati thotë: Ebu Bekri e dërgoi Ebu Ubejden si udhëheqës në Sham dhe të njëjtën detyrë i dha edhe Omeri i cili shkarkoi Halid bin Uelidin dhe në vend të tij vuri Ebu Ubejden.

Eslemi përcjell se Omerin e njoftuan se armiku e kishte rrethuar Ebu Ubejden në Sham dhe ai i shkroi Ebu Ubejdes duke i thënë: Çdo vështirësi që i vjen robit pas saj Allahu do i sjell lehtësim dhe nuk e mund dot vështirësia lehtësimet “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur.”

Ebu Ubejdja -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- ia ktheu duke i thënë: Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet jeta e kësaj bote është lojë dhe dëfrim” deri tek fjala e Allahut që thotë: “Përjetim mashtrues” pas kësaj Omeri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- e mori letrën dhe e lexoi në minber duke thënë: O Banorët e Medines Ebu Ubejdja ose u ka për qëllim ju ose mua prandaj ngrihuni për në luftë.

Kur Omeri shkoi në Sham atje e pritën udhëheqës dhe njerëz të mëdhenj. Ai pyeti: ku është vëllai im Ebu Ubejdja? I thanë tani vjen tek ti. Ai erdhi hipur mbi një deve dhe i dha selam. Omeri u tha njerëzve na lini vetëm. Ai eci me të derisa shkuan tek shtëpia e Ebu Ubejdes. Ai hyri dhe nuk pa në shtëpinë e tij veç shpatës dhe mburojës. Omeri i tha: sikur të përdorje ndonjë gjë. Ebu Ubejde ia ktheu: o prijësi i besimtarëve e me këtë që posedojmë e shtyjmë jetën që kemi.
Betohem në Allahun ky është zuhdi i vërtetë dhe jo zuhdi i atij që është i varfër e që nuk posedon asgjë.[3]

Tariku tregon se Omeri i shkroi një letër Ebu Ubejdes në kohën kur ra kolera ku i thoshte: Më ka ndodhur një problem dhe më duhesh patjetër prandaj nxito eja tek unë. Kur e lexoi letrën tha: e kuptova problemin e prijësit të besimtarëve ai kërkon të mbajë në jetë diçka që nuk do jetë përgjithmonë. Prandaj ia ktheu duke i shkruar: unë e kuptova problemin tënd, të kërkoj ndjesë sepse jam në mesin e ushtrisë muslimane dhe nuk dua të shpëtoj veten e ata t’i lë aty. Omeri kur e lexoi letrën qau. Kur e pyetën: ndërroi jetë Ebu Ubejdja? Ai tha jo por gati është.

Ebu Ubejdja ndërroi jetë në Sham në vitin 18 h pasi mbushi 58 vjeç.

Marrë shkurtimisht nga libri “Sijer Alami Nubela” me autor imam Dhehebiun.
Përshtati në shqip: Fatjon Isufi.
——————————————————————————————————-
[1] Buhariu dhe Muslimi.[2] Et Tabakat (3/1/303).
[3] Këto janë fjalët e Dhehebiut autorit të librit. Marre nga http://www.udhaebesimtareve.com