Ebu Ubejde Ibn el-Xherrah

Paraqitja e tij ka qenë e habitshme. Ai ka qenë i hollë dhe i gjatë. Fytyra e tij ka qenë e ndritshme dhe ai pati një mjekër të rrallë. Ka qenë kënaqësi të shikosh në të dhe takimi me të ka qenë freskues. Ai ka qenë skajshmërisht i sjellshëm, i thjeshtë dhe shumë i turpshëm. Megjithëkëtë, në raste të rrezikshme, ai bëhej serioz dhe vigjilent, që i ngjasonte tehut të ndezur të shpatës në ashpërsinë dhe mprehtësinë e tij.

Ai qe përshkruar si „Emin“ apo besnik i komunitetit të Muhamedit. Emri i plotë i tij ishte Amir Abdullah ibn el-Xherrah. Ai qe i njohur si Ebu Ubejde. Në lidhje me të, Abdullah Ibn Umer, një nga shoqëruesit e pejgamberit, ka thënë:

„Tre persona nga fisi Kurejsh qenë më të shquarit, patën karakterin më të mirë dhe qenë më të thjeshtit. Nëse ata do t’ju folnin, ata nuk do t’ju mashtronin; nëse do t’ju folje atyre, ata s’do t’ju akuzonin për gënjeshtër: Ebu Bekr es-Siddik, Uthman ibn Affan dhe Ebu Ubejde ibn el-Xherrah“.

Ebu Ubejde qe një nga personat e parë që pranuan Islamin. Ai u bë musliman një ditë pas Ebu Bekrit. Në fakt, ai u bë musliman nëpërmjet Ebu Bekrit. Ebu Bekr e çoi atë, Abdur-Rahman Ibn Aufin, Uthman Ibn Me’zun dhe el-Erkam Ibn Ebi el-Erkam te pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] dhe së bashku ata shpallën pranimi e së vërtetës nga ana e tyre. Kështu, ata qenë shtyllat e para mbi të cilat qe ndërtuar ngrehina e parë Islame.

Ebu Ubejde pati një përvojë të hidhur, nëpër të cilën kaluan muslimanët në Meke, prej fillimit deri në fund. Së bashku me muslimanët e hershëm, ai duroi sharjet dhe dhunën, dhimbjen dhe pikëllimin e atij përjetimi. Në çdo sprovë, ai mbeti i vendosur dhe i pandryshueshëm në besimin e tij në Zotin dhe pejgamberin e Tij [salallahu alejhi ue selam]. Një nga përvojat më pikëlluese që ai pati, ndërkaq, qe beteja e Bedrit.

Ebu Ubejde ishte në pararojë të forcave muslimane, duke luftuar fuqishëm dhe si dikush që s’ia kishte fare frikën vdekjes. Kalorësia Kurejshite ishin skajshmërisht syçelë ndaj tij dhe i shmangeshin përballimit me të. Një njeri në veçanti, ndërkaq, vazhdonte ta përcillte Ebu Ubejden kudo që ai kthehej, ndërsa Ebu Ubejde përpiqej sa mundej të mos i dilte përpara dhe t’i ikte ndeshjes me të.

Njeriu u hodh në sulm. Ebu Ubejde u përpoq t’i shmangej atij. Përfundimisht njeriu arriti ta bllokojë udhën e Ebu Ubejdes dhe qëndroi si pengesë mes tij dhe Kurejshitëve. Ata tash ishin kokë më kokë me njëri-tjetrin. Ebu Ubejde s’mundi të përmbahej më. Ai ia dha një goditje në kokë njeriut. Njeriu ra në tokë dhe vdiq menjëherë.

Mos provoni t’ia qëlloni se kush ishte ky njeri. Kjo ishte, siç u tha më herët, një nga përvojat më pikëlluese nëpër të cilën iu desh të kalonte Ebu Ubejdes, dhe sa pikëlluese!, gati e pamundshme të imagjinohet. Ky njeri në fakt ishte Abdullah Ibn el-Xherrah, babai i Ebu Ubejdes!

Ebu Ubejde evidentisht nuk donte ta vriste babanë e tij, por në betejën mes besimit në Zot dhe politeizmit, zgjidhja që ai duhej ta bënte ishte thellësisht shqetësuese por e qartë. Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se ai nuk e vrau babanë e tij, ai vetëm vrau politeizmin në figurën e babait të tij.

Në lidhje me këtë ngjarje, Zoti shpalli ajetet vijuese të Kur’anit:

„S’do të gjeni njerëz që besojnë në Allahun dhe Ditën e Fundit, të bëjnë miqësi me ata që kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur këta të ishin baballarët e tyre, vëllezërit e tyre apo fisi i tyre. Allahu e ka vendosur besimin në zemrat e tyre dhe i përforcoi ata më shpirt prej Tij. Ai do t’i bëjë ata të hyjnë në kopshtet nën të cilat rrjedhin lumenj, që ata të banojnë aty. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ata janë grupi i Allahut. A nuk është grupi i Allahut i suksesshëm?“ [el-Muxhadileh, 22]

Reagimi i Ebu Ubejdes në Bedr kur u ballafaqua me babanë e tij nuk qe i papritur. Ai kishte arritur një fuqi në besimin në Allahun, përkushtim ndaj fesë së Tij dhe një shkallë interesimi për umetin e Muhamedit, gjë që shumë njerëz e synonin.
Është transmetuar nga Muhamed Ibn Xha’fer, një shoqërues i pejgamberit, se një delegacion i Krishterë erdhi te pejgamberi dhe tha: „O Ebul Kasim, dërgoje një nga shoqëruesit e tu me ne, ndonjë me të cilin je i kënaqur, që të gjykojë mes nesh mbi disa çështje pronash rreth të cilave kemi mospajtime ndërmjet veti. Ne e respektojmë shumë popullin tënd musliman“.

„Kthehu prapë tek unë në mbrëmje“, u përgjigj pejgamberi, „dhe unë do ta dërgojë me ty një që është i fortë dhe besnik“.

Umer ibn el-Hatab dëgjoi pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] të thotë këtë dhe më vonë tha:

„Shkova herët për ta falë namazin e drekës me shpresë të jem ai që do t’i përshtatej përshkrimit të pejgamberi [salallahu alejhi ue selam]. Kur pejgamberi mbaroi namazin, ai filloi të shikojë në të djathtë dhe në të majtë të tij, dhe unë lartësohesha në mënyrë që ai t’më shihte. Por ai vazhdoi të kërkonte midis nesh derisa pa Ebu Ubejd Ibn el-Xherrah. Ai e thirri atë dhe tha: ‚Shko me ta dhe gjyko mes tyre me të vërtetën rreth asaj për të cilën ata kundërshtohen‘. Dhe kështu Ebu Ubejde u caktua“.

Ebu Ubejde s’qe vetëm besnik. Ai shfaqi një qëndrueshmëri të madhe në zbatimin e besimit të tij. Kjo qëndrueshmëri u pa në disa raste.

Një ditë prej ditësh, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] dërgoi një grup shoqëruesish të tij për ta takuar një karvan Kurejshit. Ai e caktoi Ebu Ubejden si emir [udhëheqës] të grupit dhe u dha atyre vetëm një trastë me hurma për ushqim. Ebu Ubejde i jepte secilit njeri nën komandën e tij vetëm nga një hurmë çdo ditë. Ai e thithte këtë hurme mu sikur fëmija gjirin e nënës së tij. Ai pastaj pinte ujë dhe kjo i mjaftonte atij për gjithë ditën.

Në ditën e Uhudit kur muslimanët ishin duke u shpartalluar, një nga mushrikët filloi të bërtasë: „Më tregoni ku është Muhamedi, më tregoni ku është Muhamedi!“ Ebu Ubejde ishte njëri nga grupi prej dhjetë vetash, të cilët kishin rrethuar pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] për ta mbrojtur nga shtizat e mushrikinëve.

Kur mbaroi beteja, u pa se një nga dhëmballat e pejgamberit ishte thyer, balli i tij ishte shkallmuar dhe dy disqe nga mburoja e tij kishin depërtuar në faqet e tij. Ebu Bekr u nis me qëllim që t’ia nxjerrë këto disqe, por Ebu Ubejde tha: „Të lutem ma lerë mua këtë“.

Ebu Ubejde kishte frikë se do t’i shkaktonte dhimbje të dërguarit nëse do t’ia nxirrte disqet me dorën e tij. Ai e kafshoi fort njërin nga disqet. Disku doli por një nga dhëmbët e tij prerës ra në tokë gjatë këtij procesi. Me dhembin tjetër prerës ai nxori diskun tjetër, por e humbi edhe këtë dhëmb po ashtu. Ebu Bekr vlerësoi: „Ebu Ubejde është njeriu më i mirë në thyerjen e dhëmbëve prerës!“

Ebu Ubejde vazhdoi të përfshihej në të gjitha ngjarjet e rëndësishme gjatë jetës së pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]. Pasi vdiq pejgamberi, shoqëruesit u mblodhën për të zgjedhur një trashëgimtar në Sakifeh apo vendtakimin e Benu Se’adas. Kjo ditë është e njohur në histori is dita e Sakifes. Në këtë ditë, Umer Ibn el-Hatab i tha Ebu Ubejdes: „Zgjate dorën të të zotohem për besnikëri, se kam dëgjuar pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] të thotë: „Çdo umet ka një emin [besnik] dhe ti je emini i këtij umeti“.

„Unë s’do të pranoj“, tha Ebu Ubejde, „që të dal përpara në prani të njeriut të cilin pejgamberi e urdhëroi të na udhëheq në namaz dhe i cili na udhëhoqi deri në vdekjen e pejgamberit“. Ai pastaj iu zotua për besnikëri Ebu Bekr es-Sidikut. Ai vazhdoi të jetë këshilltar i afërt i Ebu Bekrit dhe përkrahës i fortë në kauzën e së vërtetës dhe mirësisë. Pastaj erdhi hilafeti i Umerit dhe Ebu Ubejde po ashtu i dha atij mbështetje dhe iu bind. Ai nuk e kundërshtoi atë në asnjë çështje veç njëres.

Ky rast ka ndodhur kur Ebu Ubejde ishte në Siri duke udhëhequr forcat muslimane nga një fitore në tjetrën, derisa e gjithë Siria u vu nën kontrollin musliman. Lumi
Eufrat gjendej në të djathtë dhe Azia e Vogël në të majtë.

Ishte atëherë kur një murtajë goditi Sirinë, dhe ata kurrë më parë nuk kishin provuar diçka të tillë. Kjo e shkretoi popullin. Umeri dërgoi një lajmëtar te Ebu Ubejde më një letër, ku shkruante:

„Kam nevojë të ngutshme për ty. Nëse letra ime të mbërrin natën, të nxisë që të largohesh para agut; nëse kjo letër të mbërrin gjatë ditës, të nxisë fuqimisht të largohesh para mbrëmjes dhe të nxitosh për tek unë“.

Kur Ebu Ubejde pranoi letrën e Umerit, ai tha: „E di përse emir el-mu’min ka nevojë për mua. Ai do që ta sigurojë mbijetesën e dikujt, i cili s’është i përjetshëm“. Kështu që ai i shkroi Umerit:

„E di që ke nevojë për mua. Por, unë jam në ushtrinë muslimane dhe nuk kam dëshirë ta shpëtojë veten nga ajo që i dëmton ata. S’dua të ndahem prej tyre derisa të dojë Allahun. Pra, kur të të mbërrijë kjo letër, më liro nga urdhëri yt dhe më lejo të qëndroj këtu“.

Kur Umeri lexoi këtë letër, sytë iu mbushëm me lot dhe ata që ishin me të pyetën:

„A ka vdekur Ebu Ubejde, o emir el-mu’minin?“

„Jo“, tha ai, „por atij i është afruar vdekja“.

Intuita e Umerit s’qe e gabuar. Pa vonuar shumë, Ebu Ubejde u pllakos. Ndërsa vdekjen e kishte afër, ai i foli ushtrisë së tij:

„Më lejoni t’ju jap këshilla të cilat do t’ju ndihmojnë të qëndroni në shtegun e mirësisë përherë. Faleni namazin, agjërojeni muajin e Ramazanit, jepni sadaka, kryeni haxhin dhe umren, qëndroni të bashkuar dhe mbështeteni njëri-tjetrin, jini të sinqertë ndaj udhëheqësve tuaj dhe mos fshihni gjë prej tyre, mos lejoni që t’ju shkatërrojë kjo botë, se edhe po të jetonte njeriu një mijë vjet, ai megjithatë do të përfundonte kështu siç po më shihni mua. Paqja dhe mëshira e Allahu qofshin mbi ju“.

Ebu Ubejde pastaj iu kthye Muadh Ibn Xhebelit dhe tha: „O Muadh, fale namazin me njerëzit [udhëhoqi në namaz]“. Teksa po e thoshte këtë, shpirti i tij i dëlirë u largua.

Muadhi u çua dhe tha: „O njerëz, ju jeni goditur me vdekjen e një njeriu. Pasha Allahun, nuk di të kem parë ndonjë njeri që kishte zemër më të drejtë, i cili ishte më larg të keqes dhe i cili ishte më i sinqertë ndaj njerëzve sesa ai. Luteni Allahun ta kaplojë atë me mëshirë dhe Allahu do të jetë i mëshirshëm ndaj jush“.