Umer Ibn el-Hatab

“Allahu e ka vendosur të vërtetën në gjuhën dhe në zemrën e Umerit.” (hadith)

Jeta e Umerit

Gjatë sëmundjes së tij të fundit Ebu Bekr (radiallahu anhu) u këshillua me njerëzit e tij, posaçërisht me ata që ishin më të shquarit prej tyre. Pas një takimi, ata e zgjodhën Umerin (radiallahu anhu) si trashëgimtar. Umeri qe lindur në një familje të respektuar Kurejshite trembëdhjetë vite pas lindjes së Muhamedit (sallallahu alejhi ue selam). Umeri njihej për diturinë e tij të gjerë të gjenealogjisë. Kur u rrit, Umeri (radiallahu anhu) ishte shumë i aftë në këtë degë të diturisë dhe po ashtu në artin e përdorimit të shpatës, mundje dhe në artin e të folurit. Ai gjithashtu mësoi të shkruajë dhe të lexojë derisa ende ishte fëmijë, që ishte një gjë shumë e rrallë në Meke në atë kohë. Umeri fitonte për jetë duke bërë tregti. Tregtia e tij e çoi atë në shumë vende të huaja dhe kjo i mundësoi atij që t’i takojë të gjitha llojet e njerëzve. Personaliteti i Umerit ishte dinamik, me një vetëbesim të madh, i sinqertë dhe i hapur. Ai gjithmonë e fliste atë që kishte në mendjen e tij edhe nëse ajo i bezdiste të tjerët.

Umeri (radiallahu anhu) ishte njëzet e shtatë vjeçar kur Muhamedi (sallallahu alejhi ue selam) deklaroi misionin e tij. Idetë të cilat Pejgamberi i predikonte e hidhëruan atë aq shumë sa edhe njerëzit e tjerë të dalluar të Mekës. Ai ishte po aq i ashpër ndaj çdokujt që e pranonte Islamin sa edhe të tjerët nga mesi i Kurejshitëve. Kur robi i tij femër e pranoi Islamin, ai e rrahu atë derisa vetë u rraskapit, dhe i tha asaj, “Unë u ndala sepse jam lodhur, e jo për shkak të keqardhjes ndaj teje.” Rrëfimi i pranimit të Islamit nga ana e tij është mjaft interesant. Një ditë, derisa ishte përplot zemërim kundër Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam), ai nxorri shpatën e tij dhe doli që ta mbysë atë. Një shok i tij e takoi rrugës. Kur Umeri i tregoi atij se ç’kishte planifikuar, shoku i tij e informoi atë se motra e vetë Umerit, Fatima, dhe burri i saj gjithashtu e kishin pranuar Islamin. Umeri shkoi drejt te shtëpia e motrës së tij dhe e gjeti atë duke lexuar Kur’an. Ai iu vërsul asaj dhe e rrahu pamëshirshëm. Duke qenë e mavijosur dhe e përgjakur, ajo i tha vëllait të saj, “Umer, ti mund të bësh ç’të duash, por s’mundesh që të na i shmangësh zemrat nga Islami.”

Këto fjalë prodhuan një efekt të çuditshëm në Umerin (radiallahu anhu). Çfarë ishte besimi i cili madje edhe gruan e dobët e bëri aq zemërfortë? Ai kërkoi nga e motra që t’i tregojë atij se ç’ishte duke lexuar; ai përnjëherë qe prekur në zemër nga fjalët e Kur’anit dhe menjëherë e kapi të vërtetën e tyre. Ai shkoi drejt te shtëpia ku qëndronte Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) dhe iu betua atij për besnikëri.

Umeri (radiallahu anhu) nuk e mbajti fshehtë pranimin e tij të Islamit. Ai i mblidhte Muslimanët dhe falnin namaz te Kaba. Ky guxim dhe devocion i një qytetari me ndikim të Mekës e ngriti moralin e komunitetit të vogël të Muslimanëve. Megjithatë, edhe Umeri po ashtu iu nënshtrua keqtrajtimeve, dhe kur erdhi lejimi për migrim në Meke, ai po ashtu iku në Meke. Saktësia e gjykimit të Umerit, devotshmëria e tij ndaj Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam), sinqeriteti i tij dhe drejtësia e tij i fituan atij besimin dhe mbështetjen nga Pejgamberi, që ishte vetëm e dyta ndaj asaj që i qe dhënë Ebu Bekrit (radiallahu anhu). Pejgamberi ia dha atij titullin ‘Faruk’ që do të thotë: ‘Ndarësi i të vërtetës nga e pavërteta’. Gjatë Hilafetit të Ebu Bekrit (radiallahu anhu), Umeri ishte ndihmësi dhe këshilltari më i afërt i tij. Kur Ebu Bekri vdiq, të gjithë njerëzit e Medinës i bënë zotimin e bësnikërisë Umerit (radiallahu anhu), dhe më 23 Xhemedi-el-Ahir, 13 P.H., ai qe zgjedhur Halife.

Hilafeti i Umerit

Pasi që hipi në pozitë, Umeri u foli Muslimanëve të Medinës:

“…O njerëz, ju i keni disa të drejta në mua të cilat gjithherë mund t’i kërkoni. Njëra prej të drejtave tuaja është se nëse dikush prej jush vjen tek unë me një kërkesë, ai duhet të ndahet i kënaqur. Një tjetër prej të drejtave tuaja është se ju mund të kërkoni që unë mos të marr asgjë me pa të drejtë nga të ardhurat e Shtetit. Ju po ashtu mund të kërkoni që…unë t’ua përforcoj kufijtë dhe të mos u vë në rrezik. Është po ashtu e drejtë e juaja që nëse ju shkoni në betejë, unë të kujdesem për familjet tuaja sikur që babai do të kujdesej derisa ju jeni larg. “O njerëz, të jeni të vetëdijshëm për Allahun, mi falni gabimet e mia dhe më ndihmoni në detyrën time. Më ndihmoni në vendosjen e së mirës dhe ndalimin prej të keqes. Më këshilloni në lidhje me obligimet të cilat më janë ngarkuar nga Allahu. . .”

Prej veçorive më të dalluara të Hilafetit të Umerit (radiallahu anhu) ishte zgjerimi shumë i madh i Islamit. Veças nga Arabia, Egjipti, Iraku, Palestina, edhe Irani erdhi në mbrojtjen e qeverisë Islame. Por madhështia e vetë Umerit qëndron në kualitetin e sundimit të tij. Ai dha domethënien praktike të urdhrave të Kur’anit:

“O ju që besoni, qëndroni të vendosur për drejtësi si dëshmitar të Allahut, madje edhe kundër vetës suaj, apo prindërve tuaj, apo të afërmeve tuaj, edhe nëse keni të bëni me të pasur apo të varfër, se Zoti mund t’i mbrojë më së miri të dytë.” En-Nisa 4:135

Njëherë një grua e akuzoi Halifen Umer (radiallahu anhu). Kur Umeri u paraqit në gjykim para gjykatësit, gjykatësi u ngrit në shenjë të respektit ndaj tij. Umeri e qortoi atë duke thënë:

“Ky është akti i parë i padrejtësisë që ti e bëre ndaj kësaj gruaje!”

Ai insistonte që drejtuesit e caktuar nga ai të jetojnë një jetë të thjeshtë, të mos mbajnë roje te dyert e tyre dhe t’u jenë në dispozicion njerëzve në çdo kohë, dhe ai vetë vendosi shembull për ta. Shumë herë lajmëtarë dhe të dërguar të huaj që i ishin dërguar atij nga gjeneralët e tij, e gjetën atë duke pushuar nën drurin e palmës apo duke u falur në xhami në mesin e njerëzve, dhe ishte mjaft vështirë për ta që të dallojnë se cili njeri ishte Halifja. Ai kaloi shumë netë syhapur duke ecur rrugëve të Medinës që të shohë nëse i nevojitej ndihma ndokujt.

Toni i përgjithshëm moral dhe social i shoqërisë Muslimane në atë kohë është mjaft mirë i ilustruar nga fjalët e një Egjiptiani, i cili qe dërguar që t’i spiunojë Muslimanët gjatë ekspeditës së tyre ushtarake. Ai raportoi:

“Unë kam parë njerëz, ku secili prej tyre e do vdekjen më shumë sesa që e do jetën. Ata më parë kultivojnë nënshtrim sesa mburrje. Asnjëri prej tyre nuk u është dhënë ambicieve materiale. Mënyra e tyre e jetesës është e thjeshtë. . .Urdhëruesi i tyre është i barabartë me ta. Ata s’bëjnë dallim në mes superiorit dhe inferiorit, në mes të zotëriut dhe robit. Kur afrohet koha e namazit, asnjë nuk mbetet prapa. . .”

Umeri i dha qeverisë së tij një strukturë administrative. Departamentet e financave, ushtrisë dhe të hyrave publike qenë vendosur. Ushtarëve të rregullt u jepeshin rroga, si dhe bëhej regjistrimi i popullatës. Pastaj qe bërë ekspertiza e hollësishme e tokës për vlerësimin e taksave të paanshme. Qenë themeluar qytete të reja. Zonat që ranë nën sundimin e tij qenë ndarë në provinca dhe bëhej caktimi i guvernatorëve. Qenë shtruar rrugë të reja, qenë mihur kanale të reja dhe qenë ndërtuar motele përgjatë rrugëve. Qe bërë provizioni për përkrahjen e të varfërve dhe nevojtarëve nga fondet publike. Ai i definoi, me norma dhe me shembull, të drejtat dhe privilegjet e jo-Muslimanëve, shembull i së cilës është marrëveshja vijuese me të Krishterët e Jerusalemit:

“Kjo është mbrojtja të cilën robi i Allahut, Umeri, Sunduesi i Besimtarëve i ka dhënë njerëzve të Eilijasë (Jerusalemit). Mbrojtja është për jetët dhe pronat e tyre, kishat dhe kryqet e tyre, të sëmurit dhe të shëndoshët prej tyre dhe për bashkë-fetarët e tyre. Kishat e tyre s’do të përdoren si vendbanim, as që do të rrënohen, as që do të dëmtohen ata apo komplekset e tyre, apo kryqet e tyre, dhe as pronat e tyre s’do të lëndohen në asnjë mënyrë. Për këta njerëz s’do të ketë detyrim në çështje të fesë, dhe asnjëri prej tyre s’do të pësojë ndonjë lëndim në llogari të fesë…Çfarëdo që shkruhet këtu është nën marrëveshjen e Zotit dhe përgjegjësinë e Pejgamberit të Tij, të Halifeve dhe të besimtarëve, dhe do të mbetet mirë përderisa ta paguajnë Xhizjen (taksa për mbrojtjen e tyre) që u është ngarkuar atyre.”

Ata jo-Muslimanë që morën pjesë në mbrojtje së bashku me Muslimanët qenë shkarkuar nga pagimi i Xhizjes, dhe kur Muslimanët u desh të tërhiqen nga një qytet, jo-Muslimanët e të cilit e kishin paguar këtë taksë për mbrojtjen e tyre, taksa u qe kthyer jo-Muslimanëve. Të vjetrit, të varfrit dhe Muslimanët dhe jo-Muslimanët e paaftë qenë të furnizuar njëjtë nga arka publike dhe prej fondit të Zekatit.

VDEKJA E UMERIT MË 23 P.H., KUR AI U KTHY PREJ HAXHIT NË MEDINE; ai i ngriti duart e tija dhe u lut:

“O Zot! Unë jam vjetruar, eshtrat e mia janë lodhur, fuqitë e mia janë dobësuar, dhe njerëzit për të cilët jam përgjegjës janë shpërndarë larg. Më thirr tek vetja Jote, Zoti im!”

Pak kohë më vonë, kur Umeri (radiallahu anhu) shkoi në xhami për ta udhëhequr namazin, një zjarrputist me emrin Ebu Lulu Ferozi, i cili kishte armiqësi me Umerin në një çështje personale, e sulmoi atë me thikë dhe e theri disa herë. Umeri u tund dhe ra në tokë. Kur mësoi se vrasësi ishte zjarrputist, ai tha, “Falënderimi i qoftë Allahut që ai nuk është Musliman.”

Umeri vdiq në javën e parë të muajit Muharrem, 24 P.H., dhe qe varrosur anash pranë Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam).