Uthman

“Çdo Pejgamber e ka një ndihmës, dhe ndihmësi im do të jetë Uthmani” (Hadith)

Zgjedhja e Uthmanit

Kur Umer (radiallahu anhu) ra nga thika e vrasësit, para se ai te vdiste njerëzit kërkuan që ai ta emëronte trashëguesin e tij. Umeri e caktoi një komision që përbëhej nga gjashtë prej dhjetë Shoqëruesve të Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) për të cilët Pejgamberi kishte thënë: ”Ata janë njerëzit e Xhenetit” – Ali, Uhtman, Abdur Rahman Ibn Auf, Sa’ad, Ez-Zubejr dhe Talha (radiallahu anhuma) që të zgjedhin Halifen tjetër nga mesi i tyre. Ai po ashtu e përvijoi procedurën që duhet të ndiqej nëse paraqiten dallime në mendime. Abdur Rahman (radiallahu anhu) e tërhoqi kandidaturën e tij. Ai pastaj qe autorizuar nga komisioni që ta emërojë Halifen e Hilafetit. Pas dy ditë diskutimesh në mes të kandidatëve dhe pasi qenë përcaktuar mendimet e Muslimanëve të Medinës, zgjedhja në fund qe kufizuar në Uthmanin dhe Aliun (radiallahu anhuma). Abdur Rahman erdhi në xhami së bashku me Muslimanët tjerë, dhe pas një fjalimi të shkurtër dhe marrjes në pyetje të dy burrave, i bëri zotimin e besnikërisë Uthmanit (radiallahu anhu). Të gjithë ata që qenë të pranishëm vepruan kësisoj, dhe Uthmani u bë Halifja i tretë i Islamit në muajin Muharrem, 24 P.H.

Jeta e Uthmanit

Uthman Ibn Afan (radiallahu anhu) qe lindur shtatë vite pas Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Ai i përkiste degës Umejede të fisit Kurejsh. Ai mësoi shkrim-lexim në një moshë shumë të re, dhe si i ri ai u bë tregtar i suksesshëm. Edhe para Islamit, Uthmani qe dalluar për sinqeritetin dhe integritetin e tij. Ai dhe Ebu Bekr (radiallahu anhu) qenë shokë të ngushtë, dhe mu Ebu Bekr qe ai i cili e solli atë në Islam kur ai ishte tridhjetë e katër vjeç. Disa vite më vonë, ai u martua me të bijën e dytë të Pejgamberit, Rukejen (radiallahu anha). Përkundër pozitës dhe pasurisë së tij, të afërmit e tij ia nënshtruan atë torturës për shkak se ai kishte përqafuar Islamin, dhe ai qe detyruar të migrojë në Abisini (Etiopi). Pas një kohe ai u kthye në Meke, por së shpejti ai migroi në Medine me Muslimanët e tjerë. Në Medine tregtia e tij prapë filloi të lulëzojë dhe kështu ai e rimorri prosperitetin e mëparshëm. Bujaria e Uthmanit (radiallahu anhu) s’kishte kufijë.

Në raste të ndryshme ai shpenzoi një pjesë të madhe të pasurisë së tij për mirëqenien e Muslimanëve, për lëmoshë dhe për pajisjen e ushtrive Muslimane. Për këtë ai qe i njohur si ‘Gani’ që do të thotë ‘Bujar’.

Gruaja e Uthmanit, Rukeja u sëmurë seriozisht pak para Betejës së Bedrit dhe ai qe liruar prej Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam) nga pjesëmarrja në betejë. Sëmundja e Rukejës dëshmua të jetë fatale, duke e lënë Uthmanin të vrerosur.

Pejgamberi qe prekur dhe për këtë i ofroi Uthmanit (radiallahu anhu) dorën e bijës tjetër të tij, Kulthum (radiallahu anha). Për shkak se ai e pati privilegjin e të pasurit e dy bijave të Pejgamberit për gra, Uthman (radiallahu anhu) qe njohur si ‘Poseduesi i Dy Dritave.’

Uthmani mori pjesë në Betejën e Uhudit dhe Hendekun. Pas takimit të Hendekut, Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) vendosi ta bëjë Haxhin dhe dërgoi Uthmanin si emisar të tij te Kurejshitët në Meke, të cilët e ndaluan atë. Episodi përfundoi me një marrëveshje me Mekasit e njohur si Marrëveshja e Hudejbijes.
Përshkrimin që e kemi për Uthmanin (radiallahu anhu) është ai i një njeriu të thjeshtë, të ndershëm, të butë, bujar dhe të sjellshëm, sidomos i dalluar për modestinë dhe devotshmërinë e tij. Ai shpesh kalonte një pjesë të natës duke u falur, agjëronte çdo të dytën apo të tretën ditë, bënte Haxhin çdo vit, dhe përkujdesej për nevojtarët e tërë komunitetit. Përkundër pasurisë së tij, ai jetoi një jetë shumë të thjeshtë dhe flinte në zall në oborrin e xhamisë së Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). Uthmani e dinte tërë Kur’anin përmendësh dhe kishte një dituri të afërt mbi kontekstin dhe rrethanat që kishin të bënin me secilin ajet.

Hilafeti i Uthmanit

Gjatë sundimit të Uthmanit (radiallahu anhu) vazhduan karakteristikat e Hilafetit të Ebu Bekrit dhe Umerit (radiallahu anhuma) – drejtësia e paanshme për të gjithë, politika humane dhe e butë, përpjekja në rrugën e Allahut, dhe ekspansioni i Islamit. Mbretëria e Uthmanit (radiallahu anhu) shtrihej prej perëndimit të Marokut, në lindje të Afganistanit, si dhe në veri të Armenisë dhe Azerbejxhan. Gjatë Hilafetit të tij qe organizuar edhe marina, ndarjet administrative të shtetit qenë korrigjuar, dhe shumë projekte publike qenë shtrirë dhe përfunduar. Uthman (radiallahu anhu) dërgoi Shoqëruesit më të spikatur të Pejgamberit si përfaqësues personal të tij në provinca të ndryshme për t’i shqyrtuar hollësisht sjelljet e zyrtarëve dhe gjendjen e popullit.

Kontributi më i dalluar i Uthmanit (radiallahu anhu) ndaj fesë së Allahut ishte kompilimi i tekstit komplet dhe autoritativ të Kur’anit. Një numër i madh kopjesh të këtij teksti qenë bërë dhe shpërndarë nëpër të gjithë botën Muslimane.

Uthmani sundoi për dymbëdhjetë vite. Gjashtë vitet e para kaluan në shenjë të paqes së brendshme dhe rehatisë, por gjatë gjysmës së dytë të Hilafetit të tij ndodhi një kryengritje. Çifutët dhe Zjarrputistat, duke shfrytëzuar pakënaqësinë në mesin e njerëzve, filluan të konspirojnë kundër Uthmanit (radiallahu anhu), dhe duke i publikuar ankesat dhe ofendimet e tyre fituan aq shumë simpati sa që u bë shumë vështirë që të dallohej miku prej armikut.

Mund të duket e befasishme ajo sesi një sundues i territoreve aq të mëdha, ushtritë e të cilit ishin të pakrahasueshme, qe i paaftë që të ballafaqohet me këta kryengritës. Sikur të kishte dashur Uthmani (radiallahu anhu), rebelimi do të mund të shuhej mu në momentin kur edhe filloi. Por ai ngurronte që të jetë i pari që do ta derdh gjakun e Muslimanit, pa marrë parasysh se sa të pabindur mund të jenë ata. Ai preferonte që të diskutonte me ta, t’i bind ata me bujari dhe mirësi. Atij shumë mirë i kujtohej thënia e Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam): “Njëherë kur shpata të hiqet nga këllëfi në mesin e pasuesve të mi, ajo s’do të kthehet më në këllëf deri në Ditën e Fundit.”

Kryengritësit kërkonin që ai të abdikojë (të heq dorë nga pushteti) dhe disa prej Shoqëruesve e këshilluan që të veprojë kështu. Ai me gjithë qejf do ta ndiqte këtë rrjedhë të veprimeve, por prapë ai ishte i lidhur me një betim serioz që i kishte dhënë Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selam). “Ndoshta Allahu do të vesh ty me një këmishë, Uthman”. Pejgamberi i tha atij një herë: “dhe nëse njerëzit dojnë që ti ta heqësh atë, mos e heq për ta.” Uthmani i tha një dashamiri një ditë kur shtëpia e tij qe rrethuar nga kryengritësit, “I Dërguari i Allahut bëri një marrëveshje me mua dhe unë do të tregojë qëndrueshmëri në të.”

Pas një rrethimi të gjatë, kryengritësit hynë në shtëpinë e Uthmanit dhe e mbytën atë. Kur shpata e vrasësit të parë e goditi Uthmanin (radiallahu anhu), ai ishte duke lexuar ajetin:

“Vërtet, Zoti të mjafton ty; Ai është Dëgjuesi, i Gjithëdijshmi” Bekare 2:137

Uthmani ndërroi jetë në pasditen e së Premtës më 17 Dhul Hixhe, 35 P.H. (Qershor, 656 p.e.s.). Ai ishte tetëdhjetë e katër vjeç. Fuqia e kryengritësve ishte aq e madhe sa që trupi i Uthmanit mbeti i pavarrosur deri të shtunën pasdite kur ai qe varrosur në teshat e tija të njollosura me gjak, qefin i cili i ka hije të gjithë martirëve në rrugën e Allahut.