Zejd ibn Thabit

Jemi në vitin e dytë të Hixhretit. Medina, qytetit i pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] po gumëzhin nga aktiviteti ndërsa muslimanët po përgatiten për marshimin e gjatë për në Bedr.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] bëri kontrollin përfundimtar e ushtrisë së parë që po mobilizohej nën komandën e tij për të zhvilluar luftë kundër atyre që kishin torturuar muslimanët për vite me radhë dhe të cilët ende ngulmonin për t’i dhënë fund misionit të tij.

Një i ri, ende pa mbushur të trembëdhjetat, iu afrua radhëve. Ai ishte me besim në vete dhe vigjilent. Ai mbante një shpatë e cila ishte e gjatë apo mbas gjase pak më e gjatë se vetë ai. Ai shkoi tek pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] dhe tha:“Të përkushtohem ty, o i dërguar i Allahut. Më jep leje të jem me ty dhe t’i luftojë armiqtë e Allahut nën flamurin tënd“.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] e shikoi atë me admirim dhe e qëlloi lehtë në krahët e tij me butësi të përzemërt. Ai e lavdëroi atë për guximin e tij por nuk pranoi që ta fuste në ushtri ngaqë ai ishte tepër i ri.

I riu, Zejd Ibn Thabit, u kthye dhe u largua zemërvrarë dhe i pikëlluar. Ndërsa ecte, me një hap të ngadaltë dhe të matur, ai nguli shpatën e tij në tokë në shenjë dëshpërimi. Atij i qe mohuar nderi i shoqërimit të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] në fushatën e parë të tij. Prapa tij qëndronte nëna e tij, en-Neuer bin Melik. Edhe ajo ndjehej e brengosur dhe e pikëlluar. Ajo kishte qejf të shihte të birin e saj të shkonte me ushtrinë e muxhahidinëve dhe të ishte me pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] në momentet vendimtare.

Një vit më vonë, ndërsa po zhvilloheshin përgatitjet për ndeshjen e dytë me Kurejshitët e cila zuri vend në Uhud, një grup muslimanësh të rinj që po mbartnin lloje të ndryshme të armëve – shpata, shtiza, harqe dhe mburoja – iu afruan pejgamberit. Ata kërkonin të rekrutoheshin në çfarëdo forme në radhët muslimane. Disa nga ata, si Refi Hadi dhe Samureh ibn Xhundub, të cilët ishin të fortë dhe të ndërtuar mirë për vjetët që kishin dhe të cilët kishin dëshmuar aftësi për t’u kacafytur dhe përdorur armët, iu dha leja nga pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] për t’iu bashkangjitur forcave muslimane. Të tjerët si Ibn Umer dhe Zejd ibn Thabit ende konsideroheshin nga pejgamberi si tepër të rinj dhe të papjekur për luftim. Ndonëse ai u premtoi se do të merreshin parasysh në fushatat e mëvonshme. Ishte vetëm në betejën e Hendekut kur Zejdi ishte rreth gjashtëmbëdhjetë vjeç që atij më në fund iu dha leje të mbartë armët në mbrojtje të komunitetit musliman.

Ndonëse Zejdi mezi priste të merrte pjesë në luftime, ai nuk kujtohet si luftëtar. Pas refuzimit të tij për fushatën e Bedrit, ai pranoi faktin se ishte tepër i ri për të luftuar në betejat e mëdha. Mendja e tij vigjilente iu kthye fushave tjera të shërbimit, të cilat s’kishin lidhje me moshën dhe të cilat do të mund ta afronin atë më afër pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]. Ai konsideronte fushën e diturisë dhe në veçanti mësimin përmendsh të Kur’anit. Ai ia përmendi këtë ide nënës së tij. Ajo u gëzua dhe menjëherë u orvat që ta realizonte këtë ambicie. en-Neuer bisedoi me disa njerëz nga Ensarët në lidhje me dëshirën e të birit dhe ata e trajtuan këtë çështje me pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] duke thënë:“O i dërguar i Allahut, biri ynë, Zejd Ibn Thabit, ka mësuar përmendsh shtatëmbëdhjetë kaptina të Kur’anit dhe i këndon ato mu ashtu siç t’u kanë shpallur ty. Veç kësaj, ai është i mirë në shkrim dhe lexim. Me këtë shërbim ai dëshiron të të afrohet. Dëgjoje atë nëse do“.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] dëgjoi Zejdin duke recituar disa kaptina që ai kishte mësuar përmendsh. Këndimi i tij ishte i qartë dhe i bukur dhe ai ndalej dhe bënte pauzë, gjë që tregon se ai kuptonte mirë atë çfarë këndonte.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] u nda i kënaqur. Vërtet, ai gjeti se aftësitë e Zejdit i tejkalonin lavdërimet që i ishin dhënë nga të afërmit e tij. Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] pastaj e ngarkoi me një detyrë e cila kërkonte inteligjencë, aftësi dhe ngulmim.

„Zejd, mëso shkrimin e çifutëve“, instruktonte pejgamberi. „Si urdhëro, o i dërguar Allahut“, përgjigjej Zejdi i cili iu qas mësimit të gjuhës çifute me entuziazëm. Ai u bë tepër i aftë në këtë gjuhë dhe e shkruante atë për pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] kur ai dëshironte të komunikonte me çifutët. Zejdi po ashtu lexoi dhe përktheu nga hebraishtja kur çifutët i shkruanin pejgamberit. Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] e instruktoi atë të mësonte gjuhën Siriane po ashtu dhe ai e bëri këtë. Kështu Zejdi kryente funksionin e rëndësishëm të përkthyesit për pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] në marrëdhëniet me folësit jo-Arabë.

Entuziazmi dhe aftësia e Zejdit ishin të qarta. Kur pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] u ndie i sigurt për besueshmërinë e tij në ngarkimin e detyrave dhe kujdesin, saktësinë dhe të kuptuarit me të cilat ai kryente punët, ai ia besoi Zejdit përgjegjësinë e madhe të të shënuarit të shpalljes hyjnore.

Kur pejgamberit i shpallej ndonjë pjesë e Kura’nit, ai shpesh kërkonte Zejdin dhe instruktonte atë të sillte materiale që shkruhej në to: pergamenë, bojë shkrimi, dhe shkruante shpalljen.

Zejdi s’ishte i vetmi që kryente punën e shkruesit për pejgamberin. Një burim ka njehsuar katërdhjetë e tetë persona që shkruanin për të. Zejdi ishte shumë i shquar ndër ta. Ai jo vetëm që shkruante, por gjatë kohës së pejgamberit ai mblodhi pjesë të Kur’anit që ishin shkruar nga të tjerët dhe i radhiste ato nën mbikëqyrjen e pejgamberit. Ai është transmetuar të ketë thënë:

„Ne bënim përmbledhjen e Kur’anit nga dorëshkrime të vogla në praninë e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]“. Në këtë mënyrë, Zejdi e ndiente Kur’anin drejtpërdrejt nga vetë pejgamberi [salallahu alejhi ue selam]. Mund të thuhej që ai u rrit me ajetet e Kur’anit, duke kuptuar mirë rrethanat e secilës shpallje.

Kështu ai mësoi sekretet e Sheriatit dhe në një moshë të re ai fitoi reputacionin e merituar si dijetari kryesor mes shoqëruesve të pejgamberit [salallahu alejhi ue selam].

Pas vdekjes se pejgamberit, barra ra mbi këtë të ri fatlum i cili specializoi në Kur’an për të vërtetuar referimin e parë dhe kryesor për Umetin e Muhamedit. Kjo u bë një detyrë që kërkonte zgjidhje të menjëhershme pas luftërave të Braktisjes [femohimit] dhe betejës së Jemames në veçanti në të cilën u vranë një numër i madh atyre që kishin mësuar përmendsh Kur’anin.

Umeri e bindi halifen Ebu Bekr se po që se Kur’ani s’mblidhet në një dorëshkrim, një pjesë e madhe e tij rrezikonte të humbiste. Ebu Bekr thirri Zejd Ibn Thabitin dhe i tha: „Ti je një djalosh inteligjent dhe ne nuk dyshojmë në ty [se gënjen apo se ke mbamendje të dobët] dhe ti ke shkruar shpalljen për të dërguarin e Allahut. Andaj, kërko pjesët e Kur’anit dhe mblidhe atë në një dorëshkrim“.

Zejdi ishte i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie. Ai më vonë tha: „Pasha Allahun, sikur ai [Ebu Bekr] të më urdhëronte për të zhvendosur një kodër nga vendi i saj, s’do të ishte më rëndë për mua sesa ajo çfarë më kishte urdhëruar lidhur me mbledhjen e Kur’anit“.

Zejdi më në fund pranoi detyrën dhe, sipas tij, „filloi të gjente materialin Kur’anor dhe mbledhjen e tij në pergamene, kërcell të gjetheve të palmës së hurmës dhe nga kujtesa e njerëzve [që e dinin përmendsh]“.

Kjo ishte një detyrë mjaft e përpiktë dhe Zejdi ishte i kujdesshëm që asnjë gabim
i vetëm, sado i vogël apo i paqëllimtë, të përvidhej në punën. Kur Zejdi përfundoi detyrën e tij, ai la fletët e përgatitura tek Ebu Bekri. Para se të vdiste, Ebu Bekri i la fletët tek Umeri i cili sipas radhës ia la ato të bijës së tij, Hafsas. Hafsa, Umm Seleme dhe Aisha ishin gratë e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], të cilat e mësuan përmendsh Kur’anin.

Gjatë kohës së Uthmanit [radiallahu anhu] gjatë të cilës Islami ishte përhapur gjerë e gjatë, dallimet në leximin e Kur’anit u bënë të qarta. Një grup sahabësh të pejgamberit, të udhëhequr nga Hudhejfe ibn el-Jeman, i cili aso kohe gjindej në Irak, erdhi tek Uthmani dhe e nxiti atë të „ruajë Umetin Islam para se ata të përçaheshin lidhur me Kur’anin“.

Uthmani e mori dorëshkrimin e Kur’anit nga Hafsa dhe prapë thirri autoritetin kryesor, Zejd ibn Thabitin, dhe disa tjerë sahabë kompetentë për të bërë një kopje të saktë të tij. Zejdi qe caktuar mbikëqyrës i tërë operacionit. Ai e plotësoi detyrën me pedantrinë e njëjtë me të cilën mblodhi fletët origjinale gjatë kohës së Ebu Bekrit.

Zejdi dhe ndihmësit e tij shkruan shumë kopje. Njërën nga këto Uthmani e dërgoi në çdo provincë muslimane me urdhrin që të gjitha materialet tjera Kur’anore, qofshin ato të shkruara në dorëshkrime fragmentare apo kopje të tëra, të digjeshin. Kjo ishte më rëndësi me qëllim që të eliminohej çfarëdo versioni apo dallimi nga teksti standard i Kur’anit. Uthmani mbajti një kopje për vete dhe ia ktheu dorëshkrimin origjinal Hafsas.

Kështu Zejd ibn Thabit u bë një ndër autoritetet kryesore të Kur’anit. Umer ibn el-Hatab një herë e një kohë iu drejtua muslimanëve dhe tha: „O njerëz, kushdo që dëshiron të pyes lidhur me Kur’anin, le të shkojë tek Zejd Ibn Thabit“.

Dhe kështu është e mirënjohur se kërkuesit e diturisë ndër shoqëruesit e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] dhe gjenerata që i trashëguan ata, të njohur si Tabiunë, vinin nga larg për të përfituar nga ditura e tij. Kur Zejdi vdiq, Ebu Hurejre tha: „Sot vdiq dijetari i këtij Umeti“.

Kur një musliman mban Kur’anin dhe e këndon atë apo e dëgjon atë duke u kënduar, kaptinë pas kaptine, ajet pas ajeti, ai duhet të dijë se i ka borxh falënderimin dhe njohjen një shoqëruesi vërtet madhështor të pejgamberit, Zejd Ibn Thabit, për ndihmën e ofruar në ruajtjen e librit të urtësisë së përjetshme për të gjitha kohërat që do të vijnë. Vërtet ka thënë Allahu i bekuar dhe i lartësuar:

„Vërtet, Ne kemi shpallur librin e përkujtimit dhe Ne me siguri do ta ruajmë atë“.[el-Hixhr, 9]