Umeri radijallahu anhu u vra nga dora e Feiruzit ose si quhej ndryshe Ebu Luëlu el-Mexhusi, skllavi i Mugira ibën Shu`beh. Ky mexhus ishte sjellë nga Iraku për t`u mësuar muslimanëve disa lloj zanatesh që posedonte, si p.sh.: zdrukthtarinë, gdhendjen, kovaçhanen etj. Ai kishte përgatitur një thikë të veçantë me dy maja, të helmuar, për të vrarë kalifin e muslimanëve, gjë të cilën e arriti në një namaz sabahu, pasi kishte filluar namazi. Ai e goditi Umerin gjashtë herë, njëra prej këtyre goditjeve ishte poshtë kërthizës dhe u bë shkak për vdekjen e tij. Kjo ndodhi më 23 Dhulhixhe të vitit 23 hixhri. Bashkë me Umerin vrasësi theri edhe 13 burra gjatë ikjes së tij mes safeve, shtatë prej të cilëve vdiqën. Në fund, ky kriminel, kur e kuptoi se do kapej, u vetëvra. Pas kësaj Umeri jetoi edhe tri ditë dhe ndërroi jetë më datë 26 të muajit Dhulhixhe. E lau, e qefinosi dhe ia fali namazin djali i tij Abdullahiu dhe u varros pranë dy shokëve të tij. Halifati i tij zgjati dhjetë vjet e gjashtë muaj.

Transmeton Buhariu nga Amru ibën Mejmuni, i cili thotë: “Isha në këmbë afër Umerit Allahu qoftë i kënaqur me të, ku mes meje dhe tij ishte vetëm Abdullah ibën Abbasi në mëngjesin e asaj dite në të cilën u vra. Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të kalonte mes safeve dhe u thoshte: “Drejtohuni”, derisa nuk shikonte boshllëqe. Atëherë dilte përpara dhe merrte tekbir. Lexoi në rekatin e parë suren Jusuf ose Nahël, që të priste njerëzit derisa të vinin. Kur mori tekbir (për ruku) e dëgjova të thoshte në momentin e therjes: “Më vrau qeni.” Pastaj vrasësi u tërhoq duke kaluar mes safeve dhe therte kë të gjente majtas djathtas, duke therur kështu 13 burra, shtatë prej të cilëve vdiqën. Duke parë këtë situate një burrë prej muslimanëve i hodhi një rrobë përsipër kriminelit.

Vrasësi, kur u bind se do kapej, atëherë vrau veten. Ndërkohë Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të kapi për dore AbduRrahman ibën Avfin dhe e nxori përpara. Ata që ishin prapa Umerit e panë se ç’ndodhi, ndërsa ata që ishin në cepa nuk morën vesh gjë, bile filluan të thonë Subhanallah kur humbi zëri i Umerit. AbduRrahman ibën Avfi e plotësoi namazin shpejt e shpejt dhe kur mbaruan, Umeri tha: “O Ibën Abbas, shiko se kush më vrau.” Pas pak erdhi Ibën Abbasi dhe tha: “Ishte robi i Mugiras.” Umeri tha: “Zoti e vraftë! Elhamdulilah që nuk ishte vrasësi im ndonjë musliman.” Pas kësaj u vendos në shtëpinë e tij, pas pak i dhanë një lëng që ta pinte, por i doli nga plagët. Iu dha qumësht, por përsëri i doli nga vrimat, aty u kuptua se do të vdiste.

Filluan ta vizitonin njerëzit dhe t`i shprehnin lavdërime nga më të ndryshmet, derisa erdhi një djalosh dhe tha: “Përgëzohu, o emir i besimtarëve, me përgëzimin e Allahut! Ti që shoqërove Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ti që ke pozitë të veçantë siç e di dhe vetë, e more kalifatin dhe mbajte drejtësi, ndërsa tani je shehid.” Tha Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të: “Do doja të dilja nga kjo botë as për mua e as kundër meje.” Kur djaloshi iku, Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të e pa rrobën e tij poshtë zogut të këmbës dhe tha: “O djalosh, ngrije rrobën tënde sepse kjo është më e mirë për rrobën tënde dhe më e devotshme për Zotin tënd.” Tha: “O Abdullah, shiko se sa borxhe kam.”

Pasi i bënë llogarinë, gjetën se borxhi i tij arrinte 86.000 dërhemë. Pasi la porosi ta shlyenin borxhin, i tha Abdullahut: “Shko tek Aishja, bëji selam prej meje dhe mos i thuaj nga emiri i besimtarëve, sepse unë sot nuk jam më emir, por thuaji: “Të kërkon leje Umeri biri i Hattabit që të varroset pranë dy shokëve të tij.” Hyri Abdullahu tek Aishja dhe e gjeti atë duke qarë.” I tha asaj: “Të çon selam Umeri dhe të kërkon leje për t’u varrosur pranë shokëve të tij!” Aishja tha: “E kisha ruajtur atë vend për vete, por sot do t`i jap përparësi Umerit ndaj vetes time.” Erdhi Abdullahu, i tregoi për lejen e Aishes dhe Umeri tha: “Elhamdulilah, nuk kisha gjë më të dashur sesa këtë. Kur unë të vdes, më merrni dhe më çoni atje, kërkojini leje përsëri Aishes Allahu qoftë i kënaqur me të. Nëse jep leje, më varrosni. Nëse jo, më ktheni në varrezat e muslimanëve.” Pasi u përshëndet me njerëzit për herë të fundit dhe la porosinë e tij në lidhje me halifatin, vdiq Umeri Allahu qoftë i ,kënaqur me të halifi i dytë i muslimanëve, shoku i dytë i ngushtë i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Zoti e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij!

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.