Historia e profetit Junus alejhi selam është nga historitë e rralla që pamenden në Kuranin famë lartë. Lidhur me gjenealogjinë e tij, nuk ceket gjëkundi ashtu siç ceket për profetët e tjerë. Gjithçka që dimë rreth tij, është se quhej Junus biri i Meta, nga pasardhësit e profetit Ibrahim alejhi selam. Në Kuran, ai njihet edhe me emrin „Dhunun“ ose njeriu i balenës.
Zoti e dërgoi si profet në një qytet të madh që njihej me emrin Nejneva. Ky qytet, ndodhet në veri të Irakut përballë qytetit Mosul. Dy qytetet i ndan lumi Tigër.
Tregon historiani Ibnu Kethir lidhur me kohën e tij:“Në këtë qytet ekzistojnë mbetje të vendbanimeve të këtij populli, si dhe shumë statuja të kthyera përmbys.“
„Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit.“ (Saffat, 139)
Banorët e Nejnevas ishin të shumtë në numër, gjë e cila ceket dhe në një ajet të Kuranit:“Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz.“ (Saffat, 147)
Dijetarët mendojnë se se numri i banorëve ishte njëqind e njëzet mijë dhe ishin jobesimtarë. Junusi alejhi selam vazhdoi t’i ftojë në besimin e drejt pa u lodhur. Veçse e refuzuan Junusin alejhi selam, ata edhe e kërcënuan siç kishte ndodhur me profetët e tjerë para Junusit alejhi selam. I gjendur në një situatë të tillë, Junusi alejhi selam i paralajmëroi për dënimin e Zotit, duke u thënë:“Keni kohë tre ditë.“ Menjëherë pas kësaj, Junusi alejhi selam u largua nga populli i tij. Zoti i kishte dhënë leje që t’ju tregojë mbi afatin tre ditor, por nuk i kishte dhënë leje të largohej nga qyteti.
„(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar…“ (Enbija, 87)
Disa interpretues të Kuranit, thonë se Junusi alejhi selam u largua i zemëruar prej Zotit, gjë e cila është një gafë e pafalshme. Junusi alejhi selam iku i zemëruar me popullin e tij, të cilët e refuzuan fenë, siç duket qartë dhe nga konteksti.
Ai e braktisi popullin e tij, pa marrë leje nga Zoti i lartësuar.
„(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta arrijmë…“
Shumë dijetarë dhe interpretues të Kuranit, bëjnë gafa të rënda në interpretimin e këtij ajeti. Thotë imam Raziu:“Kushdo që mendon se Zoti është i pafuqishëm për diçka ka rënë kufr.“
Kështu, shprehja se Junusi alejhi selam mendoi se Zoti nuk do e arrijë, ka një kuptim krejtësisht tjetër nga ai që mund t’i vijë dikujt ndërmend. Qëllimi nuk është se Junusi alejhi selam mendoi se Zoti është i pafuqishëm për ta kapur. Në një transmetim nga Muavija, i cili i thotë Abdullah ibnu Abasit:“Dje, më kanë goditur valët e Kuranit (më kanë bërë të lëkundur). Doja të dilja nga kjo lëkundje dhe hezitim, por e kisha të pamundur. Shpresa ime për të shpëtuar nga kjo gjendje je vetëm ti.“ Kjo pasi Abdullah ibnu Abasi ishte njeriu më i ditur lidhur me interpretimin e Kuranit fisnik. Kur e dëgjoi, Ibnu Abasi e pyeti:“E cilat qenkan këto ajete o Muavije?!“
Muavije iu përgjigj:“Si është e mundur që Junusi alejhi selam, profet i Zotit, të mendojë se Zoti nuk e mbërrin dot?!“
Abdullah ibnu Abasi iu përgjigj:“Nuk është ashtu o Muavije. Por fjala „kadere“ që përmendet në këtë ajet, ka dy kuptime: I pari është ai që mendove ti dhe i dyti është dënimi dhe ndëshkimi. Kështu, Junusi alejhi selam mendoi se duke qenë profet i Zotit, dhe se populli i tij e kishte refuzuar madje dhe kërcënuar, nuk do të ndëshkohet po të largohet nga qyteti, qoftë dhe pa lejen e Zotit.“
Kështu, Junusi alejhi selam e braktisi qytetin, duke menduar se Zoti nuk ka përse ta ndëshkojë, pasi u përcolli afatin treditor të ndëshkimit. Menjëherë ai u nis drejt detit për t’u larguar.

Reja e zezë mbi Nejneva

Ndërkohë, shenjat e para të ndëshkimit filluan të shfaqeshin në Nejneva. Një re e madhe dhe e zezë plot me shkreptima filloi t’u afrohej banorëve të qytetit. Kur e panë renë në ditën e parë, banorët e kuptuan se po u afrohej ndëshkimi, ashtu siç i kishte paralajmëruar Junusi alejhi selam. Duke qenë se ishin afër popullit të Lutit, e dinin se çfarë i kishte ngjarë atij populli. Të frikësuar, paria e Nejnevasë u mblodhën të diskutojnë mbi hapat e mëtejshëm. Ata vendosën që të mbledhin të gjithë njerëzit e qytetit dhe u thanë:“Kjo që po na ndodh është pikërisht paralajmërimi i Junusit alejhi selam. Sot nuk kemi shpëtim tjetër veçse të pendohemi dhe të pranojmë fenë e Junusit alejhi selam.“ Kështu të gjithë banorët e qytetit, njëqind e njëzet mirë, pranuan besimin monoteist, ndërkohë që Junusi alejhi selam nuk ndodhej aty. Veç kësaj, ata veshën rroba plot arna, si shenjë përuljeje ndaj Zotit, i ndanë nënat nga foshnjat e tyre që të qajnë të dy palët, u ngjitën në kodra dhe filluan të luteshin dhe të përgjëroheshin. Kjo, ndërkohë që reja e zezë qëndronte sipër kokave të tyre. Për tre ditë ata u lutën me përgjërim, derisa Zoti ua pranoi lutjet dhe e largoi ndëshkimin e Tij. Thotë Zoti në Kuran:“Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe.“ (Junus, 98)
Përveç popullit të Junusit alejhi selam, asnjë popull tjetër nuk ka besuar pasivisht në fenë e profetit të tyre.
Thotë Ibnu Kethiri:“Vetë ajeti tregon se nuk ekziston fshat dhe qytet tjetër që të kenë besuar të gjithë siç besoi populli i Junusit alejhi selam.“ Në çdo fshat dhe qytet, do të gjesh besimtarë dhe jobesimtarë. Kurse populli i Junusit alejhi selam të gjithë pa përjashtim përqafuan fenë e vërtetë, islamin.

Junusi alejhi selam në det

Sakaq, Junusi alejhi selam nuk dinte çfarë ka ndodhur me popullin e tij. Ai vajti tek porti dhe u ngjit në një anije të mbushur plot me udhëtarë. Thotë Zoti në Kuran:“Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot“ (Saffat, 140)
Gjatë lundrimit, fillon një stuhi e madhe, e cila rrezikonte anijen bashkë me njerëzit. Të frikësuar nga mundësia e mbytjes, njerëzit filluan të hedhin në det të gjithë ngarkesën e anijes. Edhe pse barra u lehtësua, rrezikua vazhdonte të ishte prezent. Dikush propozoi që në det të hidhen edhe disa nga udhëtarët që të lehtësohej barra e anijes. Për këtë, propozuan shortin. Kujtdo që i binte shorti të hidhej në det, do të hidhej, derisa të lehtësohej anija. Kur hodhën shortin, të parit i qëlloi Junusit alejhi selam të hidhej në det. Të tjerët, thanë:“Jo, ky është një djalë i ri dhe ka shenja ndershmërie. Le ta falim këtë herë dhe të hedhim sërish short.“ Edhe për herë të dytë, shorti i ra Junusit alejhi selam. Po ashtu dhe herën e tretë. Thotë Zoti në Kuran:“dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi.“ (Saffat, 141)
Atëherë të gjithë ranë dakord që ta hedhin në det. Me ta hedhur në det Junusin alejhi selam, stuhia pushoi dhe deti u qetësua. Me ta hedhur në det, Junusin alejhi selam e gëlltiti balena. „Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar“ (Saffat, 142)
Zoti e urdhëroi balenën që të mos ia thyejë eshtrat dhe mos ia dëmtojë mishin. Junusi alejhi selam e kuptoi se kjo i ndodhi për shkak se u largua nga populli i tij pa lejen e Zotit. Ai filloi ta kritikojë veten për gjithçka kishte ndodhur. Shenja e parë e pendimit është kur njeriu kritikon dhe qorton veten për një akt të gabuar. Fakti që balena nuk e bluante dot, do të thotë se Junusi alejhi selam ishte në një burg, por të një lloji të veçantë. Sipas disa transmetimeve, thuhet se Junusi alejhi selam qëndroi në barkun e balenës për tre ditë. Ndërkohë që në disa transmetime të tjera thuhet se qëndroi dyzet ditë.
I vetëm në barkun e balenës, Junusi alejhi selam filloi të lutej me përgjërim. Thotë Zoti në Kuran:“andaj thërriti nga errësirat.“ (Enbija, 87 Junusi alejhi selam ndodhej në errësirën e barkut të balenës, errësirën e detit dhe të natës.
„dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.“ (Saffat, 143-144)
Në disa transmetime, thuhet se Junusi alejhi selam i la lutjet dhe vazhdoi vetëm me tesbih (subhanallah). Thuhet se në barkun e balenës, ai filloi të ndijojë dhe dëgjojë tesbihun e krijesave të tjera, gjë që ia kujtoi që edhe ai duhet të bëjë tesbih.
„andaj thërriti nga errësirat: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija, 87)
E gjitha kjo i ndodhi sepse u largua nga qyteti i tij pa lejen e Zotit. Ai ishte një i dërguar i Zotit dhe si çdo i dërguar tjetër, duhet të respektojë urdhrat dhe direktivat e atij që e ka dërguar. Kjo histori, ishte përkujtim për profetin Muhamed alejhi selam që t’i respektojë me fanatizmin më të madh urdhrat dhe porositë e Zotit.
Thotë profeti Muhamed alejhi selam në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Nesai, Tirmidhiu dhe të tjerë:“Lutja e Dhununit (Junusit) në barkun e balenës ishte:“ S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Nuk ka besimtar që e lut Zotin me këtë lutje, veçse Ai do ia pranojë lutjen.“
Kjo lutje ka efekt të menjëhershëm, sidomos në zgjidhjen e halleve dhe largimin e fatkeqësive.
„Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.“(Enbija, 88)
Një nga sahatet e pyeti profetin Muhamed alejhi selam:“O i dërguar i Allahut! Lutja që bëri Junusi alejhi selam:“S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” është specifike për të, apo vlen dhe për besimtarët e tjerë pas tij?!“ Profeti alejhi selam iu përgjigj:“Ajo ishte specifike për Junusin alejhi selam dhe vlen për besimtarët në përgjithësi. A nuk e ke lexuar vazhdimin e ajetit:“ Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.“
Gjatë gjithë qëndrimit në barkun e balenës, Junusi alejhi selam përsëriste fjalët: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”
Pasi Zoti ia pranoi lutjen, balena e afroi pranë bregut dhe e nxorri jashtë. Thotë Zoti në Kuran:“Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë.“ (Saffat, 145)
Vendi ku e nxori balena ishte një vend i shkretë pa bimë dhe pemë. Junusi alejhi selam ishte i sëmurë – sipas interpretuesve të Kuranit – pasi i ishte qëruar lëkura në barkun e balenës. Në këtë gjendje, Junusi alejhi selam e kishte të pamundur të lëvizë. Ai qëndronte i shtrirë dhe i pamundur. Në këtë çast ndodh një mrekulli tjetër, ku pranë tij mbin një kungull. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije).“ (Saffat, 146)
Shkaku që mbiu një kungull dhe jo diçka tjetër, është se gjethet e kungullit janë të mëdha dhe i shërbenin për hije. Ato e mbulonin gjithë trupin e tij, duke e mbrojtur nga dielli dhe era. Kungulli kishte një aromë të këndshme, por jo vetëm. Ajo kishte një specifikë tjetër, i largonte insektet dhe mizat nga trupi i Junusit alejhi selam. Për ushqim – sipas interpretuesve të Kuranit – Zoti i kishte mundësuar drenushat, të cilat i afroheshin, hapnin këmbët dhe i lëshonin qumësht për të pirë. Junusi alejhi selam vazhdoi në këtë gjendje derisa u shërua plotësisht. Pasi u shërua dhe iu kthye shëndeti, Zoti e dërgoi sërish tek populli i tij në Nejneva.
„Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz, dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.“ (Saffat, 147-148)
Historia e Junusit alejhi selam është një mësim për të gjithë ata që ftojnë njerëzit në rrugën e Zotit, që të mos i humbasin shpresat. Nuk ka përse të mendosh se me filanin nuk ia vlen të merresh dhe ta ftosh në islam. Junusi alejhi selam kishte vite që e ftonte popullin e tij në besim, por asnjë nuk i ishte përgjigjur ftesës së tij. Në çastin që i këputi shpresat dhe u largua, ata besuan. Ne nuk e dimë kur mund të udhëzohet një person në islam.
„Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë.“ (Kasas, 56)
Në fund, lidhur me Junusit alejhi selam, Zoti thotë:“Por Zoti i tij e zgjodhi dhe e futi me punëdrejtët.“(Kalem, 50)
Thotë profeti Muhamed alejhi selam në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi dhe të tjerë:“Askujt nuk i takon të thotë:“Unë jam më i mirë se Junus biri i Metta.“
Nuk ka përse të thotë dikush:“Unë jam më i mirë se Junusi alejhi selam, pasi ai u largua nga populli kurse unë jo.“
Mësimi që Zoti i jepte profetit Muhamed alejhi selam nga kjo histori përmblidhet në ajetin që i drejtohet vetë Profetit alejhi selam:“ Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut.“(Kalem, 48)

Përshtati: Elmaz Fida