Hyrje

Lavdërimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e humb dhe kë e largon nga rruga e vërtetë s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër përveç Allahut, i Cili është Një, i Vetëm e pa shok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Çështja për të cilin do të ketë mundësi lexuesi të mësojë në këtë shkrim është një çështje mjaft delikate, posaçërisht për trojet tona.

Mendojmë se rinia islame te ne ka nevojë për ngritje dhe tejkalim të barrierave me të cilat është duke u ballafaquar dhe forma më e qëlluar për këtë është dija e mirëfilltë e bazuar, larg nga anshmëria dhe favorizimi i padrejtë.

Leximi i Kuranit për të vdekurit është një çështje për të cilën dijetarët tanë të nderuar e kanë trajtuar në përgjithësi, pothuajse të gjitha librat voluminoz të fikhut flasin për këtë pikë, duke shpjeguar qëndrimet e fukahave, mendimet e tyre, normalisht, edhe argumentet në të cilat ata ulema (dijetarë) ndërtojnë konkluzionet e tyre.

Të trajtohet kjo çështje në formë që lexuesi shqiptar të kuptojë qëndrimet e këtyre ulemave, argumentet me të cilat janë mbështetur dhe metodat me të cilat këta ulema debatojnë, duke respektuar mendimin e kundërt, duke larguar nga vetja fanatizmin, pasimin e verbër (taklidin), nënvlerësimin e njëri-tjetrit. Të gjitha këto ndikojnë që të ngremë edhe tek ne kulturën e mospajtimit, largimin e pasimit të verbër, fanatizmin në qëndrime dhe arrogancën, e cila është e vërejtur te rinia jonë.

Ndoshta, dikush do të thoshte se kjo formë e zgjeruar e shtjellimit të çështjeve është e rëndë për lexuesin dhe më e komplikuar. Themi se dijetarët në shkrimet e tyre zakonisht përdorin dy metoda në shtjellimin e çështjeve:

  1. Atë të thjeshtë dhe të kapshme, duke mos e rënduar në sjelljen e argumenteve dhe mospajtimeve ekzistuese në çështje, por e tëra është e sjellë si konkluzë e qëndrimit. Edhe nëse sillet ndonjë argument, atëherë ajo bëhet në formë të thjeshtësuar. E kjo formë u dedikohet njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk kanë ambicie, apo interesim të dinë më shumë rreth çështjes.
  2. Forma e dytë është studioze, në të cilën sillen qëndrimet ekzistuese, argumentet duke bërë krahasimin e tyre, përgjigjen ndaj argumenteve të ndërsjella dhe duke përfunduar me sjelljen e qëndrimin të saktë në çështje.

Çështja e leximit të Kuranit sipas formës së parë, pra duke sjellë qëndrimin pa u thelluar shumë në çështje, është bërë nga shumë hoxhallarë tanë të respektuar, në të kaluarën, por edhe tani. Prandaj, vendosëm të shkruajmë rreth kësaj teme, në formë më të zgjeruar, me lutje në Allahun e Lartësuar të na i përmirësojë qëllimet dhe veprat.

Jam i bindur se kjo formë e shtjellimit do të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes te ne në formën se si duhet të perceptohen gjërat, kuptimin e ndërsjellë edhe gjatë mospajtimit, zbehjen e arrogancës dhe vënien në binarë të entuziazmit të pakontrolluar.

Gjithashtu, mendojmë se kjo formë e shtjellimit të çështjeve të fesë ngre një vetëdijesim te muslimanët në vendin tonë, posaçërisht te rinia islame, pasi ata me këtë mënyrë të njohjes, arrijnë ta kuptojnë vlerën e shkencave islame dhe dijetarëve, të cilët kanë lënë pas vete dije të shumta, thesare të çmuara, për të cilat ia vlen të krenohet dhe nëpërmjet të cilave duhet të japë mundin t’i kthejë umetit të tij krenarinë e mos të kërkojë krenari, përparim dhe avancim në gjërat të cilat i serviren atij nga armiqtë.

Për çdo mangësi, gabim apo paqartësi, të gjitha sugjerimet janë të mirëseardhura.

Lusim Allahun e Lartësuar të  na frymëzojë me udhëzim, të na mbrojë nga të këqijat e vetes dhe të na dhurojë saktësi në qëllime dhe vepra.

 

Kurani libër i shenjtë

Ekziston konsensus (ixhma) te muslimanët se Kurani është libri i shenjtë i fundit nga Allahu i Lartësuar, krahas librave të mëhershme të shpallura si: Zeburi,Teurati, Inxhili. Ata besojnë se ky libër i fundit është edhe i vetmi i ruajtur nga devijimi dhe ndryshimi, ndërsa librat e tjerë nuk janë ruajtur, por në to ka hyrë shtrembërimi, falsifikimi dhe humbja. Kurse Kurani nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë deri në fund të kësaj bote. Atë për ruajtje e ka marrë Allahu i Lartësuar. Ai në Kuran thotë: “Vërtet, Ne e zbritëm Përkujtuesin[1] dhe Ne do ta ruajmë atë”. Suretu Hixhër, 9.

Pasi Kurani është Libri i fundit që Allahu i Lartësuar zbriti për njerëzimin, atëherë edhe mësimet, dispozitat dhe njohuritë që gjenden në to do të jenë valide që kur i është shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), derisa të ekzistojë kjo botë. Dhe kjo është mrekullia më e madhe që përmban ky libër i shenjtë.

Sot, njerëzimi, muslimanë qoftë apo jomuslimanë, nxjerrin mësime, zbulojnë njohuri, u binden vërtetësive që kanë qenë të shkruara në këtë libër të shenjtë, para më shumë se katërmbëdhjetë shekujve.[2]

Ajo që e bënë edhe më të veçantë këtë libër është se vetë leximi i tij konsiderohet adhurim (ibadet) dhe nga besimtari kërkohet të mësojë përmendësh pjesë nga origjinali i Kuranit. Disa pjesë të caktuara janë edhe të detyrueshme të mësohen, pasi kur të falet besimtari duhet t’i lexojë ato, sikurse që është kapitulli i Fatihasë, që është kreu i parë hapës i Kuranit dhe, njëkohësisht, më i vlefshmi.

Për vlerën e leximit të Kuranit dhe shpërblimin që e arrin muslimani, Profeti (Bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut (Kurani) ka një shpërblim për atë dhe ky shpërblim arrin dhjetëfishin. Nuk them: ‘Elif, Lam, Mim’ se është një shkronjë, por Elifi është shkronjë, Lami është shkronjë, Mimi është shkronjë.”[3]

Janë të shumtë citatet që vërtetojnë se leximi i Kuranit me qëllim të fitimit të shpërblimin tek Allahu i Lartësuar (pra si adhurim) është i pranuar, bile edhe se kjo në disa raste është e kërkuar (obligim)[4].

Por, nëse njeriu dëshiron që shpërblimin e këtij leximi t`ia dhurojë ndonjë të vdekuri: nënës, babait apo dikujt tjetër, a lejohet kjo dhe a i arrin ky shpërblim të vdekurit, apo…?

Pastaj nëse njeriu nuk di të lexojë arabisht, a lejohet të marrë dikë me para të lexojë, me qëllim që ky shpërblim t’i dhurohet të vdekurit? Apo kjo nuk lejohet?

Këto dy çështje bazë, me ndihmën e Allahut, do të mundohemi t`i shtjellojmë në këtë punim. Krahas kësaj do të shtjellohet edhe çështja  se cilat nga veprat i lejohet muslimanit t’ia dedikojë të vdekurve dhe disa çështje të tjera që janë me rëndësi. Lusim Atë, në Dorën e të Cilit janë shpirtrat tanë, të na udhëzojë në dritën e së vërtetës dhe të na largojë nga çdo e keqe. Amin!

Alaudin Abazi

16.12.2006

Vazhdon…

[1] Edhikër (përkujtues); është një nga emrat e Kuranit, pasi në të ka përkujtime të nevojshme për njeriun.

[2] Në kohën bashkëkohore është një lëmi e cila e studion Kuranin që quhet “El i`xhazu ilmi fi Kuran”-“Mrekullitë shkencore të Kuranit”. Në bazë të përkthimit të disa librave në gjuhën shqipe, tani më është e njohur edhe për lexuesin shqiptarë kjo lëmi.

[3] Transmeton Tirmidhiu, Darimiu dhe hadithi cilësohet i saktë nga Tirmidhiu, Hakimi dhe Albani. Allahu i mëshiroftë të gjithë!

[4] Për vlerën e leximit të Kuranit kemi me dhjetëra hadithe të tjera, por ne nuk i përmendëm këtu, pasi kjo nuk është temë shqyrtimi tani.

Veprat nga të cilat përfiton i vdekuri pas vdekjes së tij

Në Islam, esencë është se për çdo vepër që e ka bërë njeriu do të shpërblehet ai personalisht, Allahu i Lartësuar thotë:

“فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَه”ُ

E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” Zelzele, 7.

Nga ky ajet nënkuptojmë se çdo njeri do të shpërblehet për veprat që i bën ai vetë. Por pasi Islami nuk është fe individuale dhe nuk e sistematizon jetën e njeriut vetëm individualisht, por e trajton atë se ka nevojë të ketë lidhje shoqërore me të tjerët. Prandaj kërkohet nga ai të kontribuojë në mbajtjen e raporteve, duke manifestuar sjellje dhe vepra që nuk derdhen direkt në llogarinë e tij të shpërblimeve. Duke u nisur nga kjo pikëpamje nga muslimani kërkohet të bëjë lutje dhe të kërkojë falje për muslimaët e tjerë, të vdekur qofshin dhe të gjallë. Pastaj i lejohet të kryej disa vepra, ku shpërblimin që e fiton mundet t’ia dhurojë të vdekurve.

Në vazhdim do të shohim se cilat janë ato vepra që mund të kryhen në formën e lartpërmendur?

  1. Lutja (duaja)[1]:

Çështja se lutja që e bën muslimani për të vdekurin musliman i arrin atij, është nga çështjet në të cilën ka ixhma (konsensus) te të gjithë muslimanët.

Argument për këtë kemi ajetin kuranor:

}والذين جاؤوا من بعدهم يقولون ربنا اغفر لنا ولاخواننا الذين سبقونا بالايمان ولا تجعل في قلوبنا غلا للذين آمنو ربنا إنك رؤوف رحيم } . [ سورة الحشر 10 ] .

Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: ‘Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues’.”[2]

Kurse hadithe që aludojnë në këtë janë shumë. Sikurse hadithet që tregojnë lutjet që i bëhen gjatë vizitës së varrezave.

Thënia e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në duanë e xhenazes: “O Zot im, fali të gjallët tanë dhe të vdekurit tanë.”

Gjithashtu transmeton Ebu Davudi në sunenin e tij se Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur ka përfunduar me varrosjen e kufomës ka qëndruar pranë tij dhe i ka porositur të tjerët  duke thënë: “Kërkoni falje për vëllain tuaj, lutuni për të që të forcohet, sepse ai tani është duke u pyetur.”[3]

Dhe hadithe të tjera të shumta.

  1. Sadakaja (dhënia e lëmoshës) për të vdekurin[4]:

Imam Neveviu rrëfen me konsensus (ixhma) se shpërblimi i lëmoshës i arrin të vdekurit, qoftë nga fëmija i tij apo dikush tjetër. Gjithashtu Muslimi në parathënie të koleksionit të tij tregon se Abdullah Ibën Mubarekut ka thënë: “Në çështjen e sadakasë nuk ka mospajtim.”[5]. Ibën Kethiri thotë: “Kurse lutja dhe sadakaja janë nga ato që ka konsensus (ixhma) se u arrinë (të vdekurve)”.[6]  Hadithet që vërtetojnë këtë janë  të shumtë gjithashtu. Nga këto hadithe po i përmendim:

  1. a) Transmetohet nga Ebu Hurejre se një njeri i ka thënë Muhamedit (salallahu alejhi ue selem:“Babai im ka vdekur dhe ka lënë pasuri dhe nuk ka lënë asnjë testament. A i shpaguhet (shpërblehet) atij nëse jap sadaka për të?”Muhamedi (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) tha: “Po.”[7]
  2. b) Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) thotë:“Kur të vdesë njeriu i ndërpritet vepra e tij, përveç tri gjërave: sadakaja rrjedhëse…[8]” 
  3. c) Transmetohet nga Hasani se Saëd ibën Ubade i kishte vdekur nëna në mungesë të tij dhe tha:“O i Dërguar i Allahut, nëna më ka vdekur duke mos qenë prezent unë, a i bën dobi nëse jap lëmoshë në emër të saj.”Ai tha: “Po.”, pastaj Saëdi tha: “Pra ti (Muhamed) je dëshmitar se kopshti Mihraf[9] është sadaka për të.”[10]

Është e nevojshme këtu të theksojmë se të vdekurit i arrin sadakaja që jepet për të, pa marrë parasysh në çfarë forme bëhet ajo. P.sh.: nëse paguan në lirimin e ndonjë robi, jep sadaka të varfërve, e rrit apo e ushqen ndonjë jetim, boton ndonjë libër, ndihmon në ndërtimin e ndonjë xhamie, shkolle apo ndonjë formë tjetër. Vetëm se kushtëzohet ta bëjë nijet se shpërblimin e fituar ia dhuron të vdekurit.

 Sqarim rreth prerjes së kurbanit për të vdekur

Nëse muslimani vendos të prej kurban, me qëllim që këtë shpërblim t`ia dedikojë të vdekurit, babait, nënës apo dikujt tjetër, është e lejuar, por duhet të kihen parasysh këto gjëra:

  1. Duhet ta ketë parasysh se ai e bën therjen në emër të Allahut, pasi therja (kurbani) është adhurim sikurse namazi, agjërimi, etj. Dhe ajo vepër bëhet vetëm për Allahun. Nëse bëhet për hir të dikujt tjetër, atëherë ajo vepër është shirk. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj, ti falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd.”[11].

Me fjalë të tjera duhet të dallojmë atë se muslimani e bën kurbanin vetëm për hir të Allahut, kurse shpërblimin e fituar nga ky adhurim ia dhuron të vdekurit.

Nëse qëllimi i tij nga prerja është diçka tjetër, si kërkim shërimi apo ndihme nga të vdekurit, sikurse disa që u bëjnë kurban, varrezave, ndonjë hoxhë të ditur që ka vdekur, evliaje, shejtanëve, për magji, etj. Kjo e tëra është e ndaluar dhe konsiderohet shirk i madh, Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj! Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok në këtë…”[12]

  1. Personi që e bën therjen duhet të bëjë nijet se shpërblimin e kurbanit ia dedikon babit, nënës, apo dikujt tjetër.
  2. Nuk i lejohet të përzgjedhë ndonjë kohë të caktuar, duke pretenduar apo besuar se ajo është kohë në të cilën duhet të prehet kurbani për të vdekur, ashtu si mendojnë disa si nata e Bajramit. Pasi ky adhurim nuk ka kohë të caktuar dhe për të vërtetuar se kjo ka kohë të caktuar na duhet argument. Me fjalë të tjera kjo vepër është e lejuar të kryhet në çdo kohë.
  3. Nëse muslimani zgjedh ditët e vlefshme të vitit, si ditët e Ramazani, dhjetëditëshin e parë të Dhulhixhes, apo edhe ditën e Kurban Bajramit, pasi në këto ditë shumëfishohen veprat, i lejohet, por jo të mendojë se kjo është koha në të cilën duhet të prehet kurbani për të vdekur.[13]
  4. Është e preferuar që ky ushqim t’u shpërndahet të varfërve, nevojtare dhe atyre familjeve që hanë rrallë mish në shtëpitë e tyre.

Alaudin Abazi

22.12.2006

[1] “Sherhu sahihi Muslim”, Nevevi, vëll. VII, f. 94; “Sherhu akide Tahavije”, vëll.II, f. 664; ‘Sherhu Fet`hi kadir”, vëll.II, f. 308; “Hashijetu Ibën Abidin”vëll.I, f. 605; “Mexhmu Fetava” Ibën Tejmije, vëll.XXIV, f. 306-307; “Tefsir Ibën Kethir”, vëll. IV, f. 276; “El mugni”, Ibën Kudame, vëll.III, f. 519; “Ahkamul Xhenaiz”, Albani, f. 213; “Fetava lexhne daime” vëll. IX, f. 26; “Fetava Ibën Baz” vëll.XIII, f,249; “Err Rruh” Ibën Kajim, vëll.II, f. 435; “Ehdhu Mal ala amali kureb”, vëll. II, f.505.

[2] Suret Hashër, ajeti 10.

[3] Haditi është cilësuar i saktë.

[4] “Sherhu akide Tahavije”, vëll.II, f. 664; ‘Sherhu Fet`hi kadir”, vëll.II, f. 308; “Hashijetu Ibën Abidin”vëll.I, f. 605; “Mexhmu Fetava” Ibën Tejmije, vëll.XXIV, f. 306-307; “Tefsir Ibën Kethir”, vëll. IV, f. 276; “El mugni”, Ibën Kudame, vëll.III, f. 519;  “Sherhu sahihi Muslim”, Nevevi, vëll. VII, f. 94; ; “Ahkamul Xhenaiz”, Albani, f. 213; “Fetava lexhne daime” vëll. IX, f. 26; “Fetava Ibën Baz” vëll.XIII, f,249; “Err Rruh” Ibën Kajim, vëll.II, f.435; “Ehdhu Mal ala amali kureb”, vëll. II, f.505.

[5] “Mukedimetu Sahihi Muslim”, f. 90; “Nejlul Evtar” Shevkani, vëll.IV, f. 99

[6] “Tefsir Ibën Kethir” vëll.VII, f. 465

[7] Transmeton Muslimi, Ahmedi, Nesaiu dhe të tjerë.

[8] Hadithin e plotësuar do ta sjellim më poshtë. Transmeton Muslimi.

[9] Mihraf- Kështu është njohur kopshti i Saëd ibën Ubadës dhe u quajt kështu pasi jepte shumë fruta, pasi “Mihraf” do të thotë që japësh fruta të shumta.

[10] Transmeton Buhariu, Ebu Davudi, Ahmedi dhe Nesaiu.

[11] Suretu Keuther, 2.

[12] Suretu Enam, 162-163

[13] “Fetava Ibën Baz”, Vëll. XIII, f. 256.

  1. Agjërimi për të cilin është zotuar i vdekuri[1]

Agjërimi për të cilën zotohet (bën nedhër)[2] muslimani, por nuk ka arritur ta kryejë atë zotim për shkak të vdekjes. Transmetohet nga Aishja se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

من مات وعليه صيام، صام عنه وليه”.)أخرجه البخاري, ومسلم(

“Kur të vdesë njeriu duke pasur për sipër agjërim, ia kompenson me agjërim përgjegjësi i tij.”[3]

Gjithashtu, transmetohet nga Abdullah Ibën Abasi se vjen një njeri te Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe e pyet: “O i dërguar i Allahut, nëna ime ka vdekur duke pasur obligim agjërimin e një muaji, a ta kompensoj në vend të tij? Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nëse nëna jote do të kishte ndonjë borxh a do ta kompensoje ti për të? Ai tha: “Po. Pastaj thotë: “Borxhi i Allahut është edhe më primar të kompensohet.”[4]

Sqarim

Është e nevojshme të cekim këtu se disa nga ulematë kanë lejuar që t`i kompensohet të vdekurit agjërimi, qoftë ai i zotuar (nedhër) apo i Ramazanit.[5]

Kurse Imam Ebu Hanife dhe disa të tjerë kanë thënë se nuk ka kompensim me agjërim as për nedhër, as për Ramazan, por kompensimi bëhet vetëm me kefaret (ushqim një të varfër për çdo ditë).

Ibën Ebil Iz Hanefi thotë: “Por Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë!) thotë se kompensimi për të vdekurin bëhet me ushqim e jo me agjërim, duke argumentuar me hadithin e Ibën Abasit dhe kjo çështje është e njohur në librat e fikhut.”[6]

Hadithi me të cilën argumenton Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë!) është: “Mos të falet asnjëri për tjetrin dhe mos të agjërojë asnjëri për tjetrin, por (për të kompensuar) le të ushqejë për çdo ditë sa një mud (katër grushta) grurë.”[7]

Pra, ashtu siç e vërejtëm hadithet në këtë janë të ndryshme disa lejojnë e disa ndalojnë. Mendimi i saktë është ai me të cilën bëhet bashkimi i të gjitha haditheve.

Mendimi më i saktë dhe më të cilën punohet me të gjitha hadithet, të cilat ekzistojnë në këtë mesele është se lejohet të kompensohet agjërimi nedhër (i zotuar) për të vdekurin, kurse agjërimi obligativ (i Ramazanit), kompensohet me ushqim. Ky qëndrim është edhe thënie e Abdullah Ibën Abasit, Lejth ibën Sadit, Ebu Thevrit, Ibën Kajimit dhe dijetarë të tjerë.[8] Allahu e di më së miri.

Në fund të kësaj çështje vetëm dëshirojmë t`ia bëjmë me dije lexuesit se kompensimi i nedhrit me agjërim për të vdekurin nuk është i detyruar për të afërmit, por lejohet apo më mirë të themi preferohet. Nëse ata nuk i agjërojnë këto ditë, u lejohet atyre t`i kompensojnë këto ditë duke shpaguar me ushqim numrin e ditëve dhe kjo mund të bëhet ose duke nxjerrë nga pasuria që ka lënë i vdekuri apo qoftë edhe nga pasuria e të afërmve të tij.

Alaudin Abazi

29.12.2006

[1]“Err Rruh” Ibën Kajim, vëll.II, f.435; “Sherhu akide Tahavije”, vëll.II, f. 664; ‘Sherhu Fet`hi kadir”, vëll.II, f. 308; “Hashijetu Ibën Abidin”vëll.I, f. 605; “Mexhmu Fetava” Ibën Tejmije, vëll.XXIV, f. 306-307; “Tefsir Ibën Kethir”, vëll. IV, f. 276; “El mugni”, Ibën Kudame, vëll.III, f. 519; [1] “Sherhu sahihi Muslim”, Nevevi, vëll. VII, f. 94; ; “Ahkamul Xhenaiz”, Albani, f. 213; “Fetava lexhne daime” vëll. IX, f. 26; “Fetava Ibën Baz” vëll.XIII, f. 249.

[2] P.sh.: kur njeriu zotohet se nëse arrin ta përfundojë ndonjë punë të rëndësishme, për të do t`i agjërojë pesë ditë dhe ai e përfundon atë punë, por nga vdekja nuk arrin t`i agjërojë ato ditë. Këto ditë  i lejohet fëmijës të tij ose dikush tjetër t`i agjëroj për të.

[3] Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe të tjerë.

[4] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[5] Ky është qëndrimi i Ibën Hazmit, disa nga Hanbelit dhe disa nga Shafitë, gjithashtu në këtë qëndrim anojnë edhe disa nga fukahatë bashkohorë si: Muhamed Muhtar Shinkiti, ligjëruesi i mirënjohur në Xhaminë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) në Medinë .

[6] “Shërhu Tahavije”, vëll.II, f. 667.

[7] Transmeton Abdurrezaku, Maliku dhe të tjerë.

[8] “Bedaiu Sanai”, Kasani, vëll.II, f. 103; “Ehkamu Xhenaiz”, Albani, f. 215

Therja e kurbanit për të vdekur

Kurbani është term që përdoret për një adhurim të caktuar. Gjithashtu, njihet edhe me emërtimin “ud`hije”. Me këtë term nënkuptohet riti i cili aplikohet gjatë Kurban Bajramit, duke bërë therjen e kafshës (dele, lopë apo deve). Koha e therjes fillon pas faljes së namazit të Bajramit, deri në perëndim të diellit të ditës së katërt.[1]

Nëse therja bëhet jashtë kësaj kohe, atëherë ai nuk llogaritet kurban. Muhamedi (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) thotë: “Kush ther (kafshën) para namazit (të Bajramit), atëherë ai ka bërë tjerrjen për veten e tij, kurse kush e therë pas namazit, ai e ka realizuar sakrifikimin (për Allahun) dhe e ka qëlluar rrugën (e saktë) të myslimanëve.[2]

” من ضحى قبل الصلاة فإنما ذبح لنفسه، ومن ذبح بعد الصلاة فقد تم نسكه وأصاب سنة المسلمين .

Gjithashtu, në ditën e Bajramit ka thënë: “Kush e ka therur (kafshën)  para namazit (të Bajramit) le ta përsërisë atë.[3]

Nga ajo që u tha, kuptuam se kurbani është një adhurim, të cilin e kryen myslimani, i cili ka mundësi gjatë festës së Bajramit. Nuk është e kërkuar që çdo person ta bëjë atë, por mjafton që një familje të therë një kurban.

Por, a është ky adhurim për të vdekurit apo për të gjallët?

Kurbani është adhurim për të gjallët, pasi nuk është transmetuar nga Resulullahu (salallahua alejhi ue selem) e as nga sahabët se bënin kurban për të vdekur në veçanti. Me fjalë të tjera, themi se në Islam nuk njihet se ekziston “kurban për të vdekur”, si adhurim apo rit i veçantë që preferohet ose obligohet të kryhet në ndonjë kohë të caktuar.

Muhamedit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) i vdiqën fëmijët, vajza dhe djem, pastaj i vdiq gruaja, Hatixhja, dhe të afërm të tjerë, por nuk i theri asnjërit kurban. Xhaxhait të tij Hamzës nuk i theri, gjithashtu. Po të ishte ky veprim i ligjësuar, do ta sqaronte atë në praktikë apo edhe duke inkurajuar me gojë, ashtu siç bëri për të tjerat.

Kurse, hadithi i imam Ahmedit ku tregohet se Muhamedi (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) kur bënte kurban, i blinte dy dele dhe pas namazit të Bajramit i therte ato, ku në të parën thoshte: “O Zot im, ky (kurban ) është për (muslimanët) e umetit tim që janë deklaruar për Ty me teuhid dhe janë deklaruar se kanë besuar në mua si përcjellës (të shpalljes).” Kurse në të dytën thoshte: “Ky (kurban) është për Muhamedin dhe familjen e tij.[4]

Thënia e tij në delen e dytë:

“هذا عن محمد و آل محمد”

“Ky (kurban) është për Muhamedin dhe familjen e tij (ehli bejtin)

Në ehli bejtin e Muhamedit (salallahu alejhi ve selem) hynin edhe gratë e tij që ishin të vdekura dhe të gjalla.

Gjithashtu, edhe në delen e parë, kur thoshte se është për muslimanët e umetit të tij, në këtë hyjnë të gjallët dhe të vdekurit, bile hyjmë edhe ne që kemi ardhur më pas dhe ata që do të vijnë më vonë.

Por, të argumentuarit me këtë hadith, për ta trajtuar kurbanin si adhurim i cili kryhet i veçantë për të vdekur, nuk është me vend. Pasi në hadith shumë qartë vërehet se esenca e kurbanit që e bëri ai, ishte për vete dhe familjen e tij, kurse të vdekurit janë futur në këtë domethënie në formë përfshirëse.

Prandaj themi se praktika e therjes së kurbanit, duke menduar se është një adhurim i veçantë, është e pavend, posaçërisht të bëhet therja në natën e Bajramit, duke menduar se kjo është koha kur duhet të kryhet ky rit[5]. Më lartë u sqarua se afati i prerjes së kurbanit është prej pas  faljes së namazit të Bajramit, deri në ditën e katërt.

Mirëpo, nëse muslimani nuk e bën kurbanin për të vdekur, duke menduar se është rit i veçantë për të vdekur, por ai e bën këtë si sadaka për të vdekur, me fjalë të tjera, ai e ther kurbanin dhe e shpërndan të varfërve mishin, me qëllim që ky shpërblim t`i arrijë të vdekurit, atëherë kjo lejohet, pasi therja e kurbanit dhe shpërndarja e tij të varfërve mund të futet në kategorinë e sadakasë dhe sadakaja për të vdekurin  është e lejuar. Këtë formë të prerjes së Kurbanit për të vdekur (pra duke e llogaritur atë si lloj i sadakasë) e kanë lejuar një numër i konsiderueshëm i dijetarëve[6].

Në këtë çështje duhet të theksohen disa pika me qëllim që kjo vepër të mos ndeshet me ndonjë ndalesë evidente:

  1. Duhet ta ketë parasysh se ai e bën therjen në emër të Allahut, pasi therja (kurbani) është adhurim, sikurse namazi, agjërimi, etj., dhe ajo vepër bëhet vetëm për Allahun. Nëse bëhet për hir të dikujt tjetër, atëherë ajo vepër është shirk. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj, ti falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd.”[7]

Me fjalë të tjera, duhet të dallojmë atë se muslimani e bën kurbanin vetëm për hir të Allahut, kurse shpërblimin e fituar nga ky adhurim ia dhuron të vdekurit.

Nëse qëllimi i tij nga prerja është diçka tjetër si kërkim shërimi apo ndihme nga të vdekurit, madhërimi i tyre apo edhe adhurimi, sikurse që e bëjnë disa, atëherë kjo është rreptësisht e ndaluar.

Është e njohur se ka nga njerëzit, për fat të keq edhe nga muslimanët e padijshëm, që therin kurban për varre, evlia (njerëz të arritur), magjistarë, shejtanë, pastaj edhe ndonjë hoxhe të ditur që ka vdekur (dhe mendojnë se do t’u ndihmojë atyre), etj. Kjo e tëra është e ndaluar dhe konsiderohet shirk i madh, Allahu i Lartësuar thotë:

“قل ان صلاتي ونسكي ومحياي ومماتي لله رب العالمين. لا شريك له وبذلك امرت وانا اول المسلمين”

Thuaj! Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë thjesht vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok në këtë…[8]

  1. Personi që e bën therjen duhet të bëjë nijet se shpërblimin e kurbanit ia dedikon të vdekurit; babait, nënës, apo dikujt tjetër.
  2. Nuk i lejohet të përzgjedhë ndonjë kohë të caktuar, duke pretenduar apo besuar se ajo është kohë në të cilën duhet të prehet kurbani për të vdekur, ashtu siç mendojnë disa, si nata e Bajramit. Pasi kjo kohë (nata e Bajramit) nuk është koha e prerjes dhe për të vërtetuar se kjo kohë është e legjitimuar për therjen e kurbanit na duhet argument.
  3. Nëse muslimani dëshiron të therë ndonjë kafshë jashtë kohës në të cilën theret Kurbani[9]dhe t’ua shpërndajë sadaka të varfërve, atëherë kjo lejohet, por nuk llogaritet kurban dhe nuk lejohet të quhet ashtu[10], por ajo është sadaka e përgjithshme.[11]
  4. Është e preferuar që ky ushqim t`u shpërndahet të varfërve, nevojtarëve dhe atyre familjeve që hanë rrallë mish në shtëpitë e tyre.

Kjo ishte, sa i përket therjes së Kurbanit për të vdekur, edhe pse vlen të përmendet se disa dijetarë janë më rigoroz në këtë dhe e quajnë këtë risi (bidat), duke e pasur parasysh perceptimin e shtrembëruar që mbretëron te muslimanët. Por e qëlluar është që të mos jemi të ashpër në këtë, pasi ajo vepër mund të radhitet në kategorinë e sadakave të përgjithshme. Allahu e di më së miri. [12]

Alaudin Abazi

13.01.2007

[1] Disa nga ulematë e kanë kufizuar prerjen e Kurbanit vetëm në tri ditët e Bajramit, por e sakta nga qëndrimet e dijetarëve është se edhe dita e katërt llogaritet ditë e Bajramit dhe therja në këtë ditë konsiderohet kurban. “Fetava lexhne daime”, vëll. XI, f. 410.

[2] Shënon Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Daudi, Darimiu dhe Ahmedi.

[3] Shënon Buhariu dhe Muslimi.

[4] Hadithin e shënon Ahmedi dhe cilësohet i saktë nga Albani. “Irvau galil”, Albani, vëll.IV, f. 360.

[5] Ashtu siç praktikohet edhe te ne.

[6] “Sherhu Mumti”, Uthejmin, vëll.VII, f. 423-424; “Mexhmu fetave, Ibën Tejmije”, vëll.XXVI, f. 226; “Mexhmu fetave, Ibën Baz”, vëll.XVIII, f. 40.; “Mexhmu fetave, Uthejmin”, vëll.XVII, f. 245; “Fetava Lexhne Daime”, vëll.XI, f. 417; “Salatu Mumin”, Kahtani, vëll.III, f. 1376.

[7] Suretu Keuther, 2.

[8] Suretu Enam, 162-163.

[9] Është sqaruar më herët se kurbani duhet të prehet vetëm gjatë ditëve të Bajramit.

[10] E sqaruam më herët se nocioni “kurban” është term sheriatik dhe duhet të përdoret vetëm për atë që është e definuar.

[11] “Fetava, Ibën Baz”, vëll. XIII, f. 256.

[12] “Sherhu Mumti”, vëll.VII, f. 423-424.

A u arrin shpërblimi i leximit të Kuranit  të vdekurve?

Qëndrimet e dijetarëve dhe argumentet e tyre

Leximi i Kuranit është një adhurim me vlerë dhe myslimani, nga mësimet esenciale, mësohet të jetë shoqëror dhe jo individual, atëherë edhe këtë shpërblim do ta dëshironte t`ia dhuronte dikujt nga të afërmit e vdekur, të cilët kanë nevojë për shpërblime, pasi veprat e tyre kanë përfunduar me vdekjen e tyre.

Por, pasi kjo praktikë nuk kishte ndonjë argument decidiv të qartë, që mbi të do të ndërtohej dispozita, qoftë e lejimit apo ndalimit, për shkak se Islami është fe e argumentit dhe e pasimit, atëherë mendimi i dijetarëve ka ndryshuar, pasi secili nga ata kur ka dhënë mendimin, atë e ka bërë ne bazë të argumenteve të përgjithshme ekzistuese dhe qasjes që ua bënte atyre.

Në vazhdim do të njihemi me mendimet e tyre dhe më pas do t’u qasemi argumenteve.

Fukahatë (juristët islam) kanë dy mendime në këtë çështje:

  1. Mendimi i parë:Shpërblimi i leximit të Kuranit u arrin të vdekurve.
  2. Mendimi i dytë: Shpërblimi i leximit të Kuranit nuk u arrin të vdekurve.

Mendimi i parë: Shpërblimi i leximit të Kuranit u arrin të vdekurve.

Këtë mendim e përmbajnë shumica dërmuese e dijetarëve.

-Dijetarët e medhhebit hanefi, edhe pse komentuesi i njohuri librit të Ebu Hanifes “Fikhu Ekber”, dijetari Mulla Ali Elkari Hanefi thekson se Ebu Hanife e urrente (e konsideronte mekruh) këndimn e Kuranit në varreza (të vdekurve)[1], por dy nxënësit e tij Ebu Jusufi dhe Muhamedi, por edhe të gjitha ata që kanë ardhur pas tyre e lejojnë qartë këtë.

Merginani[2] i cili është nga dijetarët hanefi thotë: “Dhe esencë në këtë te ehli suneti është se njeriu ka mundësi që t`i dhurojë shpërblimet e veprave të tij dikujt tjetër, si: namazi, sadakaja, apo vepra të tjera.[3]”.

-Kështu thonë edhe disa fukaha të medhhebit maliki, posaçërisht ata më të vjetrit, ashtu siç thekson Edurejdir në “Sherhu kebir”.[4]

-Që leximi i Kuranit u arrin të vdekurve thonë edhe disa fukaha të medhhebit shafi. Imam Neveviu thotë: “Kanë thënë disa nga pasuesit (e Shafiut) se shpërblimi (i leximit të Kuranit) i arrin të vdekurit.”[5]

-Gjithashtu edhe vetë Neveviu, i cili konsiderohet nga dijetarët medhhebit shafi, anon në këtë qëndrim, ashtu siç vërehet në librin e njohur të tij “El Edhkar”[6].

-Mendimi se leximi i Kuranit u arrin të vdekurve, gjithashtu e përmbajnë edhe shumica e fukahave të medhhebit hanbeli.

-Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe shejhul Islam Ibën Tejmije[7] dhe nxënësi i tij Ibën Kajimi. Ky i fundit në librin “Err Rruh” thotë:” Dijetarët kanë mospajtim në adhurimet trupore, si: namazi, agjërimi, leximi i Kuranit dhe dhikri se a u arrijnë të vdekurve. Medhhebi i Ahmedit (Ibën Hanbelit) dhe shumicës së selefëve[8] është se ato u arrijnë dhe kjo është thënie e shokëve të Ebu Hanifes”[9]

Mendimi i dytë: Shpërblimi i leximit të Kuranit nuk u arrin të vdekurve.

Ky mendimi është më i njohuri në medhhebin maliki[10] dhe është qëndrimi i medhhebit shafi[11].

Gjithashtu këtë qëndrim e përmban mufesiri i njohur Ibën Kethiri[12], El Iz Bin Abduselam[13], Sheukani[14], Muhamed Reshid Rida[15], Abdulaziz bin Baz[16], Muhamed Nasirudin Albani,[17] të gjithë dijetarët e Komisionit të Përhershëm për Studime dhe Fetua    “Lexhne daime” [18], si dhe një numër i konsiderueshëm i dijetarëve bashkëkohorë, të njohur si pasues tradicionalist.

Argumentet e mendimit të parë

Ata të cilët kanë thënë se dhurimi i shpërblimit të Kuranit u arrin të vdekurve kanë argumentuar me citate nga Kurani, Hadithi dhe logjika e arsyeshme.

Argumenti i parë – Lutja dhe kërkimi i faljes për të vdekur.

Allahu i Lartësuar thotë:

“والذين جاؤوا من بعدهم يقولون ربنا اغفر لنا ولاخواننا الذين سبقونا بالايمان ولا تجعل في قلوبنا غلا للذين امنوا ربنا انك رؤوف رحيم”

Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: ‘Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!” [19]

Forma e argumentimit me këtë ajet

Argumentimi se lejohet leximi i Kuranit për të vdekur, nga ajeti i lartpërmendur, nxirret në aludimin e ajetit se duaja (lutja), istigfari (kërkimi i faljes) që e bëjnë muslimanët për të vdekurit e tyre, ajo u arrin atyre. Kërkimi i faljes (istigfari) është nga adhurimet trupore (ibadat bedenije) dhe nga kjo nënkuptohet se adhurimet trupore u arrijnë të vdekurve, e në adhurime trupore bënë pjesë edhe leximi i Kuranit.[20]

Argumenti i dytë – I vdekuri dënohet nga vaji i familjes.

Transmetohet se kur vdiq Umeri (radijallahu anhu) vajza e tij Hafsa ka qarë dhe Abdullah Ibën Umeri i thotë: “Ngadal, oj grua, a nuk e ke ditur se Muhamedi (bekimi dhe paqja qoftë mbi të!)  ka thënë: ‘I vdekuri dënohet nga të qarët e familjes ndaj tij’”[21].

Argumenti nga hadithi është se Profeti (paqja dhe bekimi qoftë mbi të!) na ka informuar se i vdekuri dënohet nga të qarët e familjes dhe kjo është arritje e mëkatit të vdekurit nga dikush tjetër, e Allahu është më Fisnik se të lejojë arritjen e mëkatit dhe ta ndalojë arritjen e shpërblimit, në këtë rast arritjen e shpërblimit të leximit të Kuranit, prandaj më primare është që ai u arrin të vdekurve[22].

Argumenti i tretë – Analogji me veprat që i arrijnë të vdekurit.

Dijetarët të cilët kanë thënë se të vdekurit, nëse i dhurohet shpërblimi i  leximit të Kuranit, i arrin, kanë argumentuar me hadithet, të cilat vërtetojnë se muslimanët në kohën e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem) kryenin vepra të ndryshme dhe shpërblimet e tyre ua dhuronin të vdekurve të tyre. Siç janë: duaja, sadakaja, agjërimi, haxhi, etj. P.sh.:

-Për duanë Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur përfundonte me varrosjen e kufomës qëndronte pranë tij dhe porosiste të tjerët  duke thënë: ” Kërkoni falje për vëllain tuaj, lutuni për të që të forcohet, sepse ai tani është duke u pyetur.”[23]

-Për sadakanë transmetohet nga Hasani se Sad ibën Ubades kur i kishte vdekur nëna, në mungesë të tij, e pyeti Profetin (salallahu alejhi ue selem): “O i Dërguar i Allahut, nëna më ka vdekur duke mos qenë prezent, a i bën dobi nëse jap lëmoshë në emër të saj? Ai tha: “Po.”, pastaj Sadi tha: “Pra ti (o i dërguar) je dëshmitar se kopshti Mihraf[24] është sadaka për të.”[25]

-Për agjërim transmetohet nga Aishja se Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur të vdesë njeriu duke pasur për sipër agjërim, ia kompenson me agjërim përgjegjësi i tij.”[26]

-Për haxhin rrëfen Buhariu nga Ibën Abasi se vjen te Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) një grua dhe thotë: “Nëna ime ishte zotuar të bëjë haxh, por nuk e bëri atë derisa vdiq. A lejohet të bëj haxh për të?” Muhamedi (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) tha: “Po, bëje haxhin në vend të saj. Po të kishte nëna jote borxh, a do t`ia paguaje ti borxhin? Paguani borxhin ndaj Allahut, pasi Ai është më meritori që t`i paguhet.”[27]

Ekzistojnë edhe transmetime të tjera të shumta që vërtetojnë se sahabët kanë kryer vepra të ndryshme dhe shpërblimin ia dhuronin të vdekurve.

Këto të gjitha janë vepra trupore që i kryen muslimani, gjithashtu edhe leximi i Kuranit është nga kjo esencë, prandaj edhe kjo është e lejuar. Thënia se kjo dallon është ndarje ndërmjet dy të ngjashmeve.[28]

Argumenti i katërt – “Lexoni të vdekurve tuaj suren Jasin”.

Transmetohet nga Makil bin Jesar se ka thënë Resulullahu (salallahu alejhi ue selem): “Lexoni të vdekurve tuaj suren Jasin.”[29]

Nga ky hadith nënkuptojmë se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar leximin e Jasinit të vdekurve, prandaj edhe është qartë se lejohet leximi i Kuranit për të vdekur.

Argumenti i pestë – Ixhmaja.

Leximi i Kuranit dhe dhurimi i tij të vdekurve është një praktikë e njohur në të gjitha kohët dhe këtë gjë e kanë bërë muslimanët gjithmonë. Mohimi i kësaj është mohim i një realitetit të pranuar në praktikë te të gjithë. Ibën Kudame thotë: “…Ka konsensus (ixhma) te muslimanët në këtë praktikë. Ata në çdo kohë dhe vend mblidhen, këndojnë Kuran dhe u dhurojnë të vdekurve të tyre pa i qortuar askush.”[30]

Argumentet e mendimit të dytë

Dijetarët të cilët kanë qëndrim se shpërblimi i leximit të Kuranit nuk i arrin të vdekurit, kanë argumentuar me citate nga Kurani, Suneti (hadithi), dhe argumente nga logjika e arsyeshme.

Argumenti i parë – Njeriut i takon vetëm vepra e tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

” وأن ليس للانسان إلا ما سعى”

Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se atë që ka punuar[31]

Forma e argumentimit me këtë ajet:

Forma e argumentimit me këtë ajet është se njeriu nuk përfiton nga shpërblimi, përveç atë që e ka fituar vetë. Kurse shpërblimi i këndimi i Kuranit është vepër e dikujt tjetër dhe përderisa nuk është nga përfitimi i tij, atëherë edhe nuk i arrin ajo.

Ibën Kethiri gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: “Nga ky ajet ka konkluduar Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) dhe ata që e pasuan atë (në këtë qëndrim) se nuk u arrin të vdekurve dhurimi i shpërblimit të këndimit të Kuranit. Pasi kjo nuk është nga veprat dhe fitimet e tyre.”[32]

Kurse veprat si duaja, sadakaja, haxhi dhe veprat e tjera, për të cilat vërtetohet se u arrin të vdekurve, janë të veçuara nga ky ajet me argumente të tjera të posaçme.[33]

Sheukani thotë: “Dhe për çdo vepër me të cilën ngrihet argumenti se njeriu përfiton nga ajo, duke mos qenë nga mundi, përpjekja e tij (vepër e kryer nga vetë ai), konsiderohet si e veçuar nga domethënia e përgjithshme e këtij ajeti.”[34]

 Argumenti i dytë – Me vdekjen e njeriut, ndërpriten veprat.

Transmetohet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur të vdesë njeriu i ndërpritet vepra e tij, përveç tri gjërave: sadakaja rrjedhëse (vazhduese), dituria (që ka lënë) me të cilën kanë dobi të tjerët, dhe nëse ka lënë fëmijë të mirë që bën lutje për të.[35]

Forma e argumentimit nga hadithi është se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) na tregon se vepra e njeriut shkëputet (ndërpritet) me vdekjen e tij, përveç ato vepra në të cilat ka qenë shkaktar gjatë jetës. Pra, ato janë tri veprat e përmendura në hadith, këto i arrijnë edhe pas vdekjes, kurse leximi i Kuranit nga dikush tjetër dhe dhurimi i tij të vdekurit nuk hynë në këtë.[36]

Argumenti i tretë – Leximi i Kuranit për të vdekur nuk është praktikë e të Dërguarit.

Dhurimi i shpërblimit të leximit të vdekurve është diçka e re dhe e papraktikuar nga Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) dhe nuk ka nxitur në të as me ndonjë citat të qartë apo edhe në formë të tërthortë. Ai i udhëzoi në sadaka, dua, haxh, etj, por nuk i udhëzoi me lexim të Kuranit. Po të ishte kjo e lejuar, apo e preferuar do të na urdhëronte Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe do të ishte i pari që do ta praktikonte atë.[37]

Argumenteti i katërt – Leximi i Kuranit për të vdekur nuk është praktikë e shokëve të të Dërguarit.

Këtë vepër nuk e ka bërë askush nga sahabët e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem). Dhe po të ishte kjo e lejuar apo e preferuar, ata do të ishin të parët që do të vepronin. Edhe ata që lejojnë leximin për të vdekur  janë pajtuar se kjo praktikë nuk ka qenë e njohur  tek ata (sahabët).[38]

Rezyme e argumenteve të dy palëve

Nga ajo që lexuam më lartë, pamë se të dy mendimet kanë sjellë argumente të ndryshme, gjithashtu ata përmendin edhe argumente të tjera që ne nuk do t`i përmendim për të mos u zgjatur më tepër dhe pasi këto janë më të njohurit dhe më të qëndrueshmet. Por, për të qenë më e kapshme për lexuesin, themi se esenca e këtij mospajtimi është te pikënisja e argumentimit te të dy palët, që manifestohet në këto dy çështje:

  1. Ata të cilët thanë se kjo është e lejuar janë nisur nga argumentimi i përgjithshëm i atyre citateve që aludojnë se shpërblimi u arrin të vdekurve. Duke filluar nga lutja (duaja), sadakaja, agjërimi, haxhi, etj. Për këtë, ata sjellin argumente të qarta, të cilat i lexuam më herët. Të gjitha këto vepra, nëse themi se u arrin të vdekurve, atëherë edhe me leximin  e Kuranit ndodh e njëjta. Do të thotë se ata bëjnë analogji (kijas) me veprat e sipërpërmendura. Pasi të gjitha këto vepra janë të njëjta (ibadat bedenije) dhe bërja dallim ndërmjet tyre është bërje ndarje ndërmjet të ngjashmeve.
  2. Ata që thanë se leximi i Kuranit nuk u arrin të vdekurve, janë nisur nga esenca se argumentet bazike aludojnë se i vdekuri nuk përfiton nga të gjallët me ajetin:

” Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.[39]

” وأن ليس للانسان إلا ما سعى”

Dhe argumenteve të tjera që na japin të kuptojmë se me vdekjen e njeriut i ndërpriten veprat e mira, përveç atyre veprave që përmenden apo veçohen se u arrijnë të vdekurve, me citatet kuranore dhe haditheve. Me fjalë të tjera, të gjitha ato gjëra që përmenden se u arrin të vdekurve, janë përjashtim nga citatet të cilat ndalojnë arritjen e shpërblimit. Ibadetet (adhurimet) janë statike (teukifije) dhe nuk ka vend aty për ixhtihad dhe analogji (kijas).[40]

Alaudin Abazi

19.01.2007

[1] “Fikhu Ekber” me koment të Mulla Ali Elkari, f. 110.

[2] Në librin “El hidaje sherhu bidaje”, vëll.II, f. 308.

[3] Ibën Humami kur komenton fjalinë “…apo vepra tjera”,  thotë: “Sikurse leximi i Kuranit dhe lutjet”. “Sherh fet`hul kadir”, vëll. II, f. 308.

[4] Vëll. I, f. 423.

[5] “Sherhu sahihi Muslim”, Nevevi, vëll. I, f. 90.

[6] “Edhkar”, Neveviu, f. 240.

[7] “Mexhmu Fetava”, Ibën Tejmije, vëll. XXIV, f. 300.

[8] Me termin “selef” këtu ka për qëllim dijetarët e vjetër që kanë ardhur pas sahabëve, e jo vetë sahabët, pasi siç do të kuptohet më poshtë edhe Ibën Kajimi pohon se leximi i Kuranit të vdekurve nuk ishte praktikë e njohur e sahabëve.

[9] “Er Ruh”, Ibën Kajim, vëll. II, f. 435.

[10] “Furuk”, El Karafi, vëll.III, f. 129.

[11] “Sherhu Muslim” Nevevi, vëll.I, f. 90; “El Edhkar”, Neveviu, f. 240.

[12] “Tefsir Ibën Kethir”, vëll.VII, f. 465.

[13] “Fetava Iz Bin Abduselam”, f. 43.

[14] Sheukani në tefsirin e tij vërehet se anon nga ky qëndrim, “Fet`hul kadir”, vëll. V, f. 114.

[15] “Tefsiru menar” vëll.VIII, f. 256.

[16] “Fetava bin Baz”, vëll.XIII, f. 260.

[17] “Ahkamul xhenaiz”, f. 221.

[18] Komisioni i Përhershëm për Studime dhe Fetua është organi më i lartë shkencor pranë Ministrisë së  Fesë në Arabinë Saudite. “Fetava lexhne daime”, vëll. IX, f. 34.

[19] Suretu Hashër, 10.

[20] Me këtë ajet kanë argumentuar dijetari i mirënjohur Ibën Humam (nga fukahat hanefi) në “Sherhu fet`hi kadir” vëll. III, f. 144, Ibën Kudame (nga dijetarët Hanbeli), “Mugni”,vëll.III, f. 519, dhe dijetarë të tjerë.

[21] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[22] “Mugni”, Ibën Kudame, vëll. III, f. 522.

[23] Hadithin e transmeton Ebu Davudi dhe është i cilësuar i saktë.

[24] Me këtë emër është njohur kopshti i Sadit.

[25] Transmeton Buhariu, Ebu Davudi, Ahmedi dhe Nesaiu.

[26] Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe të tjerë.

[27] Transmeton Buhariu, Nesaiu, Taberani, etj.

[28] “Sherhu mumti” Uthejmin, vëll. V, f. 371-373; “Er Rruh”, Ibën Kajim, vëll.II, f. 440-470 “Mugni”, vëll. II, f. 521.

[29] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Maxhe, Ahmedi, Bejhakiu dhe të tjerët. Më poshtë do të sqarohet shkalla e hadithit.

[30] “Mugni”, Ibën Kudame, vëll. III, f. 522.

[31] Suret Nexhm, 39.

[32] “Tefsiru Ibën Kethir”, vëll. VII, f. 440.

[33] Kjo formë e veçimit nga një citat i përgjithshëm është e njohur te ulematë e shkencës së Usulu Fikhut me termin “Et tehsis”.

[34] “Fet`hu Kadir” vëll. V, f. 114

[35] Transmeton Muslimi.

[36] “Err Rruh” Ibën Kajim, vëll. II, f. 436-437; “Ehdhu mal ala amal kure”, Shahin, vëll.II, f. 504-508.

[37] “Tefsir Ibën Kethir”, vëll. VII, f. 465.

[38] “Tefsiru Menar” Rashid Rida, vëll.VIII, f. 258

[39] Suretu Nexhm, ajeti 39.

[40] Kjo e tëra do të shtjellohet më qartë pak më vonë.

Përgjigjet e palës së parë ndaj argumenteve të palës së dytë

 

Përgjigja ndaj argumentit të parë

Përgjigja ndaj ajetit: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se atë që ka punuar[1] 

Këtij ajeti i janë përgjigjur në disa pikëpamje:

-Pikëpamja e parë: Qëllimi nga ky ajet janë jobesimtarët.[2]

-Pikëpamja e dytë: Se ky ajet është anuluar me ajetin tjetër:

والذين امنوا واتبعتهم ذريتهم بايمان الحقنا بهم ذريتهم وما التناهم من عملهم من شيء”

“E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t’ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe asgjë nuk u pakësojmë nga veprat e tyre (prindërve)….[3]

-Pikëpamja e tretë: Edhe nëse themi se ajeti nuk është i anuluar, por ai nuk mohon përfitimin nga shpërblimi i dikujt tjetër, por e mohoi që i vdekuri të bëhet pronar i veprave të tjetërkujt.

-Pikëpamja e katër: Edhe nëse themi se ajeti ndalon përfitimin nga veprat e dikujt tjetër në esencë, nga ky ajet janë përjashtuar veprat trupore si: sadakaja, agjërimi, haxhi, ndër to edhe leximi i Kuranit[4].

 

Përgjigja ndaj argumentit të dytë

Përgjigja ndaj hadithit:

“Kur të vdesë njeriu i ndërpritet vepra e tij, përveç tri gjërave…[5]

Në hadith flitet për ndërprerjen e veprave që i kryente vet i vdekuri, kurse leximi i Kuranit dhe dhurimi i shpërblimit është vepër e dikujt tjetër që ia dhuron atij.

Ibën Ebil Iz Hanefi thotë: “Kurse sa i përket argumentimit me hadithin: ‘Kur të vdesë njeriu…(hadithi i sipërpërmendur)’ është i pavend, pasi Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk ka thënë ndërprerja e dobisë, por tregoi ndërprerjen e veprave, kurse veprat e dikujt tjetër janë të atij që i vepron. Nëse ai i dhuron të vdekurit (me dëshirë), atëherë i arrin ajo atij dhe jo vlera e veprës që e kryen vet i vdekuri. Kjo është njësoj sikur borxhi që e lanë dikush në vend të dikujt tjetër dhe me këtë ai lirohet nga ai borxh.”[6]

 

Përgjigja ndaj argumentit të tretë

Përgjigja ndaj thënies se kjo nuk ka qenë praktikë e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem).

-Nuk pranojmë se kjo është diçka e re, pasi për këtë është aluduar në disa citate kuranore të cilat flasin për arritjen e shpërblimit të lutjes, sadakasë, haxhit, agjërimit. Dhe ne nuk bëjmë dallim ndërmjet sadakasë dhe leximit të Kuranit, apo haxhit dhe leximit të Kuranit, apo agjërimit dhe leximit të Kuranit. Pasi bërja e këtij dallimi është bërje dallimi ndërmjet dy gjërave të njëjta.[7]

 

Përgjigja ndaj argumentit të katërt

Përgjigja ndaj thënies se kjo praktikë nuk ka qenë e njohur te sahabët e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem).

Ibën Kajimi i përgjigjet kësaj thënie kështu: “Ai i cili thotë se këtë nuk e ka praktikuar askush nga të parët (selefi) e thotë një thënie për të cilën nuk di. Do të thotë se kjo është një dëshmi dhe mohim i diçkaje që nuk ka njohuri. Ku mund ta di ai, ndoshta selefët (sahabët) e bënin këtë, por nuk e lejonin ta shohin (këtë praktikë) ata që prezantonin tek ata. Mjafton që i Gjithëdijshmi i fshehtësive (Allahu) të ketë dije për qëllimet dhe synimet e tyre, posaçërisht pasi për këtë adhurim (dhurimin e shpërblimit të Kuranit për të vdekur) nuk është i kushtëzuar shqiptimi me gojë, ashtu siç është sqaruar më herët.”[8]

 

Përgjigjet e palës së dytë ndaj argumenteve të palës së parë

 

Përgjigje ndaj argumentit të parë

Përgjigja ndaj argumentimit me ajetin kuranor:

Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: ‘Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim…’[9]

Është e qartë dhe e pranuar se lutja dhe kërkimi i faljes u arrin të vdekurve, pasi për këtë kemi argumente të prera, por nuk pajtohemi se edhe leximi i Kuranit për ta është e njëjtë, por ajo dallon.

 

Përgjigje ndaj argumenti të dytë

Argumentimit me hadithin të cilin e transmeton Abdullah Ibën Umeri: “I vdekuri dënohet nga të qarët e familjes së tij ndaj tij”.

Pala e dytë e argumentimit me këtë hadith i është përgjigjur në disa pikëpamje, ne do t`i cekim dy:

Pikëpamja e parë: Përgjigja ndaj këtij argumenti është se komentatorët e këtij hadithi thonë se i vdekuri dënohet nga të qarët e të gjallëve vetëm atëherë kur porosit i vdekuri para vdekjes që të qajnë dhe vajtojnë për të, atëherë Allahu i Lartësuar e dënon të vdekurin nga të qarët, gjegjësisht të vajtuarit e familjes. I vdekuri dënohet nga kjo pasi është shkaktar në këtë, pasi ai ka kërkuar të vajtojnë ata dhe për këtë do të dënohet[10]. Kurse kush vajton pa porosi të të vdekurit, ai nuk përjeton dënim. pasi Allahu i Lartësuar thotë:

قل اغير الله ابغي ربا وهو رب كل شيء ولا تكسب كل نفس الا عليها ولا تزر وازرة وزر اخرى ثم الى ربكم مرجعكم فينبئكم بما كنتم فيه تختلفون”

“Thuaj! A të kërkoj Zot pos Allahut, e Ai është Zot i çdo sendi (ekzistues) dhe dëmi i secilit person është kundër vetes.  Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Mandej, kthimi juaj është te Zoti juaj; e Ai ju njofton për atë që përçaheshit.”[11]

Pikëpamja e dytë: Qëllimi i hadithit është për jobesimtarët e jo për besimtarët, prandaj Aishja. kur e dëgjoi këtë ndodhi, ia mohoi Ibën Umerit këtë duke thënë: “Allahu e mëshiroftë atë (Ibën Umerin) se ai ndoshta ka harruar”,  dhe tha se kjo është vetëm për jobesimtarët[12].

 

Përgjigje ndaj argumentit të tretë

Hadithet të cilat tregojnë se nëse të vdekurve u dhurojmë shpërblime, ato u arrijnë atyre,  si duaja (lutja), shpagimi i borxhit, sadakaja, haxhi, etj. Kryerja e veprave të tilla për të vdekur ka argumente të posaçme për secilën vepër, që përmendet në hadithet e përmendura shumë qartë. Kurse thënia se edhe dhurimi i shpërblimit të leximit është sikur ato vepra të cituara me hadith, kjo është analogji (kijas). Dhe nuk është e saktë kjo,  pasi rregulli i përgjithshëm në shkencën e Usuli Fikhut është se në ibadete (adhurime) nuk lejohet bërja analogji (La kijase fil ibadat).

 

Përgjigja ndaj argumentit të katërt

Argumentit:“Lexoni të vdekurve tuaj Suren Jasini”

Përgjigja ndaj këtij argumentimi është bërë në dy pikëpamje:

Pikëpamja e parë: Ky hadith nuk ka për qëllim leximin i sures Jasin atij personi që është i vdekur, por është për qëllim leximi i Jasinit ndaj atij personi që është i sëmurë dhe para vdekjes, pra ai që është duke i përjetuar agonitë e vdekjes. Fjala “të vdekurve” e cila përmendet në hadith nuk ka për qëllim ai i cili veçse ka vdekur, por ai që është pranë vdekjes, do të thotë ai i cili i përjeton agonitë dhe vështirësitë e vdekjes.[13] Kjo formë e përdorimit të emrave foljor në gjuhën arabe është e njohur, sikurse njeriu që është duke u përgatitur për udhëtim, i lejohet gjuhësisht të thotë: “Unë jam udhëtar” edhe pse ai faktikisht nuk ka filluar udhëtimin, por vetëm është duke u bërë gati.

I njëjti rast është edhe me hadithin: “Përkujtoni të vdekurit tuaj me ‘La ilahe il Allah’[14]. Edhe këtu nënkupton t`i rikujtojmë ata që janë në momentet e vdekjes, e jo t`i përkujtojmë ata pasi të vdesin.

-Pikëpamja e dytë: Hadithi i cekur është i dobët, pasi e kanë cilësuar atë si të dobët një grup i muhadithinëve, prandaj nuk lejohet të argumentohemi me të. Nga ata që e kanë cilësuar të dobët janë: Shejhul Islam Ibën Haxher Askalani në librin “Telhisul hebir” dhe Shejh Albani në Librin “Iruau galil” dhe muhadithinë të tjerë.[15] Kjo na tregon se argumentimi me këtë hadith nuk është i qëndrueshëm, pasi me hadith të dobët nuk vërtetohet ndonjë dispozitë sheriatike.

 

Përgjigje ndaj argumentit të pestë:

Pretendimi se në këtë ekziston ixhma (konsensus-pajtueshmëri).

Muhamed Reshid Rida në sqarimet që ia ka bërë librit të Ibën Kudames “Mugni”, kur ka arritur te kjo thënie, iu kundërvu kësaj dhe tha: “Shkrimtari (Ibën Kudame) , Allahu e faltë, ka pasuar rrugën e polemizuesve në këtë qëndrim. Pretendimi i tij se ka ixhma (pajtueshmëri) është e pa bazë definitivisht. Dhe kjo (të argumentuarit me pretendimin e ixhmas) ishte e parëndësishme te të gjithë të tjerët (të cilët e përmbajnë qëndrimin e Ibën Kudames të argumentojnë me të), derisa edhe Ibën Kajimi i cili e favorizon qëndrimin se shpërblimi i Kuranit u arrin të vdekurve nuk u thirrë dhe e pohoi atë, por ai qartësoi se nuk qëndron kjo. Do të thotë se kjo praktikë nuk është nga të parët (sahabët) …”[16]

Pra, thënia se në këtë ka ixhma (pajtueshmëri) nuk është e saktë, bile e kundërta është më e qëndrueshme, pasi është e qartë se të gjithë sahabët nuk kanë aplikuar një praktikë të tillë.

Alaudin Abazi

26.01.2007

[1] Suretu Nexhm, 39.

[2] Kjo formë e komentimit të këtij ajeti përmendet në: “Tefsir Begevi”, vëll. VII, f. 416

[3] Suretu Tur, 21.

[4] “Ehdhu mal ala amal kureb”, vëll.II, f.506

[5] Transmeton Muslimi.

[6] “Sherhu Tahavije”, vëll. II, f. 670-671

[7] “Err Rruh” Ibën Kajim, vëll. II, f. 497.

[8] “Er Rruh”, Ibën Kajim, vëll. II, f. 499.

[9] Suretu Tur, 21.

[10] “Sherhu Muslim”, Neveviu, vëll. VI, f. 238

[11] Suretu Enam, 164.

[12] “Sherhu Muslim”, Neveviu, vëll.VI, f. 238

[13] “Tefsir menar” Rashid Rida, vëll. VIII, f. 266.

[14] Transmeton Muslimi dhe të tjerët.

[15] “Telhisu habir”, Ibën Haxher, vëll. II, f. 104; “Irvau galil”, Albani, vëll III, f. 150

[16] “Talik ala Mugni”, Reshid Rida, vëll. II, f.429.

Sqarim i mendimit të saktë

Pas hulumtimit të qëndrimit të të dy palëve, analizimit të argumenteve dhe diskutimeve me përgjigje të ndërsjella, mund të arrijmë në përfundim se mendimi më i avancuar dhe më i qëndrueshëm është mendimi i dytë. Pra, qëndrimi i atyre që thonë se shpërblimi i Kuranit nuk u arrin të vdekurve. Kjo është kështu, pasi argumentet e tyre janë më të qëndrueshme dhe të punuarit me këtë është më e sigurt, posaçërisht, argumentimi i tyre se kjo praktikë nuk ishte nga udhëzimi dhe vepra e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem) dhe se kjo nuk ishte praktika e sahabëve, edhe pse mund të thuhet se nevoja për këtë ishte prezente edhe në kohën e tyre dhe nuk kishte ndonjë pengesë, që më vonë u largua. Gjithashtu, edhe përgjigjet e palës së dytë ndaj argumenteve të palës së parë janë më të qarta dhe më të qëndrueshme.

Arsyet e zgjedhjes së mendimit të dytë për më të saktë

Kjo përzgjedhje përforcohet edhe me aspektet që do të përmenden më poshtë:

Aspekti i parë

Parimi i përgjithshëm sheriatik vërteton se kapitulli i adhurimeve bën pjesë në kategorinë e çështjeve që duhet të përmbahemi në citatet ekzistuese.

باب الطاعات باب توقيفي يقتصر فيه على النصوص.

Me një fjalë, adhurimet janë të kufizuara (apo më qartë të themi janë të limituara) në citatet kuranore e hadithe dhe nuk ka vend për analogji (kijas) apo liri veprimi për t`u orvatur të nxjerrim ndonjë dispozitë (ixhtihad).

Prandaj edhe Ibën Kethiri shumë qartë e thekson këtë kur thotë:

“و باب قربات يقتصر فيه على النصوص, و لا يتصرف فيه بأنواع الأقيسة و الآراء”

“Në kapitullin e adhurimeve kufizohemi në citate (të Kuranit e hadithit) dhe nuk veprojmë duke u shërbyer me lloje të ndryshme të analogjive dhe ideve (mendimeve).”[1]

Nga kjo që u tha, konkludojmë se ato adhurime, për të cilat ekzistojnë citate se lejohet t`u dhurohen shpërblimet të vdekurve, si: sadakaja, haxhi, agjërimi, pagimi i borxhit…etj.,[2] janë të lejuara të veprohen.

Kurse veprat për të cilat nuk ka citate, si: falja e namazit (për të vdekur), qoftë nga namazet që ai nuk i ka falur (pra t’i falim kaza të vdekurit) ose nafile për të, leximi i Kuranit për të, bërja e dhiarit, ashtu si praktikohet bërja e qëllimeve për të vdekurin,[3]shkuarja në xhihad për të, urdhri në të mirë, ndalimi nga e keqja dhe adhurime të ngjashme, me qëllim të dhurimit të këtyre shpërblimeve  të vdekurve. Për të gjitha këto nuk kemi citate nga Kurani dhe Hadithi, që t`i ligjësojmë ato. Prandaj të ndaluarit në citatet e Kuranit dhe të hadithit është më me vend dhe konform rregullave (normave) të përgjithshme të sheriatit.

Aspekti i dytë

Thënia se të vdekurit nuk i arrin shpërblimi i leximit të Kuranit është më e saktë, pasi kjo thënie është në përputhje edhe me rregullin sheriatik të përgjithshëm, -“se shpërblimi i njeriut do të jetë në bazë të veprave të tij, ashtu siç do të jetë edhe dënimi i tij”.

Ky rregull edhe pse nxirret nga ajeti kuranor:

” وأن ليس للانسان إلا ما سعى”

Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se atë që ka punuar[4]. Për të cilën ajet janë sjellë nga pala e parë disa pikëpamje, si përgjigje se nuk është e qëndrueshme argumentimi me të, mund të thuhet se:

Ekzistojnë me dhjetëra citate të tjera që vërtetojnë një gjë të tillë, si ajetet kuranore:

“لها ما كسبت وعليها ما اكتسبت1.”

“… Atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi.[5]

ولا تكسب كل نفس الا عليها ولا تزر وازرة وزر اخرى2.”

“…Dhe dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit.[6]

“ان احسنتم احسنتم لانفسكم وان اساتم فلها3.”

“Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes[7].”

“من عمل صالحا فلنفسه ومن اساء فعليها وما ربك بظلام للعبيد4.”

“Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve.[8]

“ومن تزكى فانما يتزكى لنفسه والى الله المصير5.”

“E kush pastron veten, ai ka bërë pastrimin për të mirën e vet, se vetëm tek Allahu është e ardhmja.[9]

“من اهتدى فانما يهتدي لنفسه ومن ضل فانما يضل عليها ولا تزر وازرة وزر6.”

“Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm vetveten e vet, e kush e humbë (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetvetes së vet, e askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit.[10]

Dhe ajete të tjera të cilat aludojnë se veprat e njeriut, në esencë, i kthehen atij dhe nëse ndodh që dikush të përfitojë nga vepra e dikujt tjetër, atëherë kjo duhet të jetë vetëm në rastet për të cilat kemi argumente.

Prandaj është mjaft sqaruese edhe thënia e Sheukanit në lidhje me ajetin:

” وأن ليس للانسان إلا ما سعى”

Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se atë që ka punuar[11]

Ku thotë: “Dhe për çdo vepër me të cilën ngrihet argumenti se njeriu përfiton nga ajo, duke mos qenë nga mundi dhe përpjekja i tij (vepër e kryer nga vetë ai), konsiderohet si e veçuar nga domethënia e përgjithshme e këtij ajeti”.[12]

Me fjalë të tjera, ky ajet nuk konsiderohet i anuluar dhe dispozita e cila nxirret nga ajo është e qëndrueshme, pasi vërteton një rregull që është valid me shumë citate të tjera.

Këtë mund ta fuqizoj edhe fakti se vet pyetja e sahanëve drejtuar Profetit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) rreth asaj se a lejohet kryerja e disa punëve për të vdekurin, si: sadakaja, haxhi, etj., vërteton se në mendjet e tyre ishte i ngulitur rregulli se njeriu nuk do të shpërblehet vetëm në bazë të veprave të tij.

Aspekti i tretë

Kur sahabët e kanë pyetur Profetin (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) për veprat e caktuara, se a lejohet t’i bëjmë për të vdekurit si: sadakaja, haxhi..etj., ai (Resulullahu salallahu alejhi ue selem) nuk i udhëzoi në veprat të tjera si: në kryerjen e namazit (për të vdekur), lexim të Kuranit, dhikrin (ziqër) për ta, edhe pse këto janë më lehtë të kryhen se ato të tjerat dhe është e mundur të bëhen në çdo kohë dhe vend. Megjithatë, ai nuk i udhëzoi në praktika të tilla, kurse ne e dimë se metodologjia e tij ka qenë shpeshherë t`i përgjigjet pyetësit me më shumë dobi se që ai ka kërkuar.

Kurse përgjigja ndaj thënies së Ibën Kajimit: “Ai i cili thotë se këtë nuk e ka praktikuar askush nga selefët, të parët (sahabët), e thotë një thënie për të cilën nuk di. Do të thotë se kjo është një dëshmi dhe mohim i diçkaje që nuk ka njohuri. Ku mund ta di ai ndoshta selefët (sahabët) e bënin këtë, por nuk e lejonin ta shohin (këtë praktik) ata që prezantonin tek ata. Mjafton që i Gjithëdijshmi i fshehtësive (Allahu) të ketë dije për qëllimet dhe synimet e tyre, posaçërisht pasi për këtë adhurim (dhurimin e shpërblimit të Kuranit për të vdekur) nuk është i kushtëzuar shqiptimi me gojë, ashtu siç është sqaruar më herët”[13]

Ky është një pretendim jo i qëndrueshëm dhe nëse zbatohet kjo formë e argumentimit për praktikat e ndryshme që janë prezente te muslimanët, atëherë vetëm se i kemi hapur rrugën novatorisë dhe kemi legalizuar të gjitha risitë (bidatet) prezente tek ata. Prandaj edhe përkundër respektit dhe vlerës që kemi ndaj këtij dijetari, i cili, padyshim, konsiderohet edhe një nga bartësit dhe mbrojtësit e metodologjisë tradicionaliste, themi se kjo formë e argumentimit për praktikat dhe dispozitat është e papranuar. Dhe për shkak të argumentimeve të këtilla të këtij imami në librin “Err-Rruh”, disa nga ulematë kanë dyshuar se ky libër është i shkruar nga Ibën Kajimi. [14]

Aspekti i katërt

Aspekti i fundit që do ta përmendim si arsye e zgjedhjes së mendimit të dytë më të saktë, është se si shkak i këndimit të Kuranit për të vdekur, është devijuar botëkuptimi i muslimanëve ndaj vlerës së Kuranit. Është prezente te shumë myslimanë, jo vetëm të rajonit tonë, por edhe në shumicën e vendeve islame, që mendojnë se Kurani duhet të lexohet vetëm për të vdekur. Apo çfarë është edhe më keq, nëse dikush dëshiron të dëshmojë se edhe pse nuk është ndonjë musliman i përkushtuar ai, megjithatë, rregullisht çdo vit ose çdo Ramazan e paguan dikë t`i këndojë “Hatme” apo “Jasin” babait dhe nënës, duke menduar se me këtë është duke e kryer një rit mjaft të rëndësishëm në Islam.

Të menduarit se Kurani është vetëm një përmbledhje lutjesh (duash), të cilat njeriu i shqipton për afrim tek Allahu i Lartësuar, kjo mënyrë e trajtimit të Kuranit, është shumë e padrejtë për këtë Libër Hyjnor dhe shmangie nga objektivi kryesor për të cilën është shpallur. Por, për fat të keq, ajo është prezente te shumë muslimanë.

Pjesa që më së shumti është traditë t`u lexohet të vdekurve është kaptina e 36 e Kuranit, surja “Jasin”. Më lartë është sqaruar se për këtë argumentohet me një hadith të paqëndrueshëm. Por, ajo që vlen të përmendet në këtë rast është fakti se po në këtë sure e cila mund të quhet edhe surja e të vdekurve (pasi ajo njihet ashtu), Allahu i Lartësuar na e tërheq vërejtjen se ky Kuran të cilin ne e mendojmë se është për t`ua lexuar të vdekurve është ligj dhe kushtetutë për të gjallët e jo vetëm përmbledhje lutjesh. Allahu i Lartësuar në suren “Jasin” në ajetin 69-70 thotë:

“ان هو الا ذكر وقران مبين .لينذر من كان حيا ويحق القول على الكافرين”

” …Ai nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kuran i qartë. Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (pra jo për të vdekur) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.”

Urtësia e Allahut ishte që kjo tërheqje vërejtjeje të bëhet në suren e cila më së shumti u lexohet për të vdekurve!.

Përfundim rreth zgjedhjes së qëndrimit të saktë

Me aspektet që u përmendën më herët po e përmbyllim diskutimin rreth kësaj çështjeje. Edhe një herë e theksojmë se arsyet e përmendura janë motivuese të anohet nga qëndrimi i mendimit të dytë. Ndoshta dikush do thoshte se ky qëndrim nuk është qëndrim i shumicës. Themi se edhe pse shumica mund të ketë peshën e vetë prapë ajo në Islam kurrë nuk ka qenë peshojë në vete me të cilën është gjetur dhe argumentuar një e vërtetë. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

03.02.2007

[1] “Tefsir ibën Kethir”, vëll VII, f.465

[2] Në pjesën e fundit të këtij studimi janë përmbledhur veprat të cilat mund t`i dhurohen të vdekurit, për të cilat ekzistojnë citate nga Kurani dhe Hadithi.

[3] Thënia “La ilahe il Allah” shumë herë, pastaj atë shpërblim t’ia dhurosh të vdekurit.

[4] Suretu Nexhm, ajeti 39.

[5] Suretu Bekare, ajeti 286.

[6] Suretu Enam, ajeti 164.

[7] Suretu Isra, ajeti 7.

[8] Suretu Fusilet, ajeti 46.

[9] Suretu Fatir, ajeti, 18.

[10] Suretu Isra, ajeti 15.

[11] Suretu Nexhm, ajeti 39.

[12] “Fet`hu Kadir” vëll. V, f. 114. Kjo formë e veçimit nga një rregull i përgjithshëm është i njohur te ulematë e shkencës së Usulu Fikhut me termin “Et tehsis”.

[13] “Rruh”, Ibën Kajim, vëll.II, f.499.

[14] Libri “Err-Rruh”, “Shpirti” është një libër i shkruar nga dijetari i njohur Ibën Kajim Xheuzije. Ky është një libër që studion shpirtin dhe çështjet që kanë të bëjnë rreth tij. Gjithashtu, në të flitet gjerësisht edhe për leximin e Kuranit të vdekurve dhe fuqimisht e përmban qëndrimin e atyre që e lejojnë, pastaj flet edhe për disa çështje të tjera si talkini dhe të dëgjuarit e të vdekurve, etj.

Këtë libër disa dijetarë e kanë përjashtuar se mund të jetë shkruar nga ky dijetar, i cili konsiderohet imam i shkollës tradicionaliste dhe që pikënisje të argumentimit, ne radhë të parë, e kanë Kuranin dhe Sunetin. Ata dyshojnë që ky libër të jetë vepër e këtij dijetari, pasi në të, në disa qëndrime është bazuar në transmetime të dobëta, pastaj disa ëndrra dhe ngjarje i përmend si argumente shoqëruese për të vërtetuar dispozitat sheriatike.

Sido që të jetë, e sakta është se ky libër është i shkruar nga ky dijetar. Këtë e vërteton edhe studiuesi Dr. Besam Ali Amush, i cili temë të disertacionit të doktoraturës e kishte studimin e këtij libri dhe çështjeve të cekura në të. Gjithashtu, edhe dijetari i njohur Bekër Ebu Zejd e vërteton një gjë të tillë pas studimit të librit. Ai e përmend se ky libër definitivisht është i shkruar nga ai, në librin e tij të njohur ku studion jetën e këtij dijetari,“Ibën Kajim hajatuhu, atharuhu”.

Kurse ajo pse në ndonjë çështje kundërshton argumentet e qarta dhe përzgjedhë mendimin e paqëndrueshëm në argumente, nuk ul vlerën e këtij dijetari, pasi, në esencë, metodologjia e tij është arritja tek e vërteta. Dhe librat e tjera të shumta dëshmojnë personalitetin e këtij dijetari, i cili me plotë të drejtë meriton të quhet edhe “Kolos i shkencave”, pasi në çdo lëmi që ka folur ka treguar zotësi dhe mjeshtri. Por, megjithëkëtë, absoluteti është një specifikë vetëm e Allahut dhe të gjithë dijetarët kanë pasur gabime.

Disa sqarime të nevojshme në fund të kësaj teme

Edhe pse kemi saktësuar qëndrimin se leximi i Kuranit nuk i arrin të vdekurit dhe kemi sqaruar arsyet se pse ky mendim është më i qëndrueshëm, megjithatë mendimin e atyre që thonë se ajo u arrin të vdekurve ne në asnjë formë nuk e nënvlerësojmë dhe e shpërfillim, por themi se edhe ky qëndrim është i arsyetuar dhe i pranuar në sheriatin islam, në kuptimin se nuk refuzohet dhe mohohet. Prandaj, me këtë rast, pasi këtë mendim (pra se ajo u arrin të vdekurve) e përmbajnë një numër i konsiderueshëm i dijetarëve është e  nevojshme të bëhen edhe disa sqarime që të kuptohet si duhet thënia e këtyre ulemave. Me qëllim që mos të ngatërrohet ky qëndrim i ulemave me disa praktika që aplikohen te disa muslimanë të thjeshtë, që shumë prej këtyre praktikave kalojnë edhe në risi. Prandaj ne do të mundohemi t’i përmbledhim në këto pika:

  1. a) Këndimi i Kuranit për shpirt të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem)

Shumë nga muslimanët  e thjeshtë që këndojnë Kuran për të vdekur, praktikojnë leximin e tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), sikurse ai ka nevojë që dikush t`i lexojë atij! Ajo që është e kërkuar nga ne, karshi Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), është salavati për të dhe lutja drejtuar Allahut të Lartësuar të na e mundësojë arritjen e shefatit (ndërmjetësimit) të tij Ditën e Gjykimit, pastaj pasimi i sunetit. E assesi që ne t’i këndojmë Kuran atij.

Në librin “Mevahibul Xhelil”[1] të Hatabit tregohet se është pyetur dijetari Imadudin Atar i cili është një nga nxënësit e imam Neveviut se a lejohet t`i dhurohet leximi i Kuranit Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe a ka në këtë ndonjë transmetim? Ai u përgjigj kështu: “Leximi i Kuranit vërtet është një nga adhurimet më të lavdëruara, por dhurimi i tij Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) nuk është transmetuar nga askush që mund të llogarisim në të. Prandaj, është e nevojshme ta ndalojmë atë, që e bën një gjë të tillë pasi ai bën agresion në diçka që nuk ka lejuar ai. Edhe pse mund të themi se shpërblimi i leximit i arrin atij me esencën të cilën e ka vënë Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) pasi të gjitha veprat e umetit të tij janë në peshoren e tij.[2]

Kurse Shemsudin Sahavi kur u pyet se nëse dikush lexon pjesë nga Kurani dhe në fund thotë: “O Zoti im, bëje nga shpërblimi i këtij leximi t’i shtohet nderi i Resulullahut (salallahu alejhi ue selem)” Ai u përgjigj: “Ky është një shpikës nga lexuesit e mëvonshëm dhe nuk di se ka paraardhës (nga sahabët) në të cilët mund të bazohet”.

Prandaj kjo praktikë duhet të largohet, pasi Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) nuk është i nevojshëm për ne dhe leximin tonë.

Kurse sa i përket shpërblimeve të Muhamedit (alejhi salatu ue selam) pas vdekjes së tij, atij nuk i ndërpriten ato derisa në këtë botë do të ketë muslimanë, pasi për çdo njeri të udhëzuar shkaktar ishte ai dhe secili besimtar që e ka marrë këtë rrugë të vërtetë, ai këtë e ka bërë nëpërmjet mësimeve, udhëzimeve dhe këshillave të tij. Dhe ai për të gjitha këto vepra që i kryejnë muslimanët ka shpërblime.

Në një hadith ai thotë: ”Kush thërret në udhëzim ka shpërblim (për këtë) dhe shpërblimin e atyre që veprojnë me këtë udhëzim, duke mos iu pakësuar ky shpërblim (atij që realisht e kryen veprën)”[3]

  1. b) Përcaktimi i ndonjë dite për t’i lexuar Kuran të vdekurve.

Ekziston praktika te disa muslimanë që të vdekurit në ditën e shtatë pas vdekjes ose ditën e dyzetë, ose ndonjë ditë tjetër, anëtarët e familjes së të vdekurit i mbledhin njerëzit dhe i këndojnë Kuran atij, me pretendimin se leximi i Kuranit në këto ditë të caktuara është më e dobishme për të. Të përcaktohet këndimit i Kuranit për të vdekur në ditë të caktuara dhe dhënia privilegj këtyre ditëve, ose mbledhja e njerëzve me këtë qëllim është e panjohur në Islam dhe kjo llogaritet risi (bidat). Prandaj duhet të mundohemi t`i largojmë muslimanët nga praktikat e tilla dhe mos të kuptoj se nëse dikush ka lejuar leximin e Kuranit për të vdekur se ka lejuar edhe praktikat e tilla.

  1. c) Leximi i Kuranit për të vdekur me para.

Nëse dikush nga dijetarët thotë se lejohet dhurimi i shpërblimit të leximit të Kuranit të vdekurit, nuk do të thotë se ai e ka lejuar edhe të paguhet ndonjë person nga ana e familjes të vdekurit të lexoj Kuran me para. Prandaj këto janë dy çështje të ndara mes veti. Për këtë do të flasim më vonë, por e bëmë vërejtjen këtu, pasi është një nga problemet të cilat nuk i dallojnë njerëzit.

  1. d) Edhe nëse themi se leximi i Kuranit për të vdekur u arrin atyre, kjo nuk është e preferuar të bëhet.

Disa nga ata dijetarë që konsiderojnë se shpërblimi i leximit të Kuranit i arrin të vdekurve, përsëri ata thonë se kjo është vetëm e lejuar e jo se ajo është e lavdëruar apo preferuar (mustehab), e aq më pak të thuhet se ajo është e kërkuar të praktikohet.

Ata deklarohen me këtë qëndrim duke pasur pikënisje çështjen se kjo (shpërblimi i leximit të Kuranit u arrin të vdekurve) është e saktë pasi për këtë ekzistojnë argumente të përgjithshme se veprat trupore janë kryer për të vdekur, në kohën e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem), si: haxhi, duaja, agjërimi, etj. Por, megjithatë, nuk është e lavdëruar ose e preferuar të bëhet praktikë e muslimanëve kjo vepër (leximi për të vdekur), pasi këtë nuk e kanë aplikuar gjenerata e sahabëve. Prandaj më e preferuar është të aplikohen praktikat që janë bërë në kohën e të parëve, për të cilat kemi edhe argumente të qarta.

Nga dijetarët e njohur që kanë përkrahur këtë qëndrim me këtë formë të trajtimit janë Shejhul Islam Ibën Tejmije[4] dhe Muhamed bin Sali Uthejmin[5]. Në vazhdim do të sjellim shtjellimin e këtyre dy dijetarëve.

  1. Shejhul Islam Ibën Tejmije, ashtu si sqaruam më herët, është njëri nga ata dijetarë që e lejon arritjen e shpërblimit të Kuranit të vdekurve, por jo se kjo praktikë është e lavdëruar apo preferuar (mustehab).

Kur u pyet ai, rreth atij që e lexon Kuranin famëlartë, apo pjesë nga ajo. A është më mirë që këtë shpërblim t’ia dhurojë prindërve apo muslimanëve të vdekur? Apo është më mirë që këtë shpërblim t’ia dedikoj vetes?

Ai u përgjigj:

Adhurimet më me vlerë janë ato që janë në përputhje me udhëzimin e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem) dhe sahabëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Siç transmetohet nga Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) se gjatë hytbes thoshte: ‘Fjala më e mirë është thënia e Allahut, udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit. Dhe veprat më të këqija janë shpikjet e reja, çdo risi (bidat) është devijim“. Pastaj, në një hadith tjetër thotë: “Njerëzit më të mirë janë gjenerata ime pastaj ata që i  pasojnë”.

Ibën Mesudi thotë: “Kush dëshiron të ndjekë ndonjë rrugë le të ndjekë rrugën e atyre që kanë vdekur (Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe shokëve e tij), pasi ai që është i gjallë nuk është i sigurt se do t`i shpëtojë sprovave (fitneve)…

Nëse e kujtojmë këtë esencë, atëherë e dimë se ajo që ka qenë e njohur në mes muslimanëve në gjeneratat e lavdëruara ishte se ata adhuronin Allahun me lloje të ndryshme të obligimeve dhe nafileve, duke filluar nga namazi, agjërimi, leximi, dhikri dhe adhurime të tjera. Pastaj ata lusnin Allahun për besimtarët dhe besimtaret, ashtu siç urdhëroi Allahu i Lartësuar të gjallët të luten për të vdekurit e tyre, gjatë namazit të xhenazes, vizitës së varrezave dhe forma tjera[6].

Kurse ai pasi sqaron se zgjedhja nga ai është se leximi i Kuranit nëse i dhurohet të vdekurit, ajo është e lejuar dhe i arrin të vdekurit, ai thotë: “Megjithëkëtë, nuk ka qenë nga tradita e të parëve tanë që kur të faleshin nafile, agjëronin, kryenin haxhin, apo lexonin Kuranin, shpërblimin e këtyre adhurimeve t’ua dhuronin të vdekurve muslimanë apo të afërmve të tyre. Por ka qenë tradita e tyre ashtu siç përmendëm më herët (për të vdekurit luteshin…). Prandaj nuk do të duhej që njerëzit t’i shmangen apo largohen rrugës së të parëve tanë, pasi kjo është më e mirë dhe më e plotësuar[7].

  1. Muhamed bin Salih Uthejmin, i cili është një nga fukahatë bashkëkohorë të dalluar, e përmban mendimin se leximi i Kuranit të vdekurit i arrin, por ai është i mendimit se kjo nuk është e preferuar. Ai kur i përgjigjet pyetjes se a është e kërkuar nga muslimani tu këndoj të vdekurve Kuran thotë: “Ajo që e shohim ne është se kjo është nga veprat që janë të lejuara, por nuk është e preferuar (mustehab) të praktikohet. Por muslimanëve u preferohet të bëjnë lutje, kërkojnë falje për të vdekurit dhe çfarë ka të bëjë me këtë. Kurse kryerja e adhurimeve (si leximi i Kuranit) dhe dhurimi i tyre të vdekurve, më së paku çfarë mund të themi është se kjo lejohet dhe nuk është nga punët që preferohen. Për këtë nuk e udhëzoi Profeti (salallahu alejhi ue selem) umetin e tij në këtë praktikë, por i drejtoi në lutje për të vdekurit dhe se lutja është më e mirë se dhurimi i shpërblimeve[8].

Gjithashtu, ky dijetar, kur e shtjellon këtë çështje në librin “Sherhu Mumti” dhe tregon qëndrimin e ulemave, ai përzgjedh se në esencë leximi i Kuranit i arrin të vdekurit, por bën vërejtje për praktikën që është prezent te muslimanët.

Ai thotë:

“Na mbetet të shikojmë atë që e aplikojnë muslimanët e zakonshëm sot a është e saktë (e lejuar)?

Muslimanët e thjeshtë sot nuk veprojnë ndonjë vepër e që atë mos t’ia dedikojnë prindërve, xhaxhallarëve, dajallarëve apo të tjerëve. Derisa në Ramazan e këndojnë Kuranin, hatmen e parë ia dedikojnë nënës, të dytën për babanë, të tretën për gjyshen, të katërtën për gjyshin… (dhe kështu me radhë). E tërë kjo është gabim dhe nuk është prej udhëzimit të të parëve tanë.[9]

Ai më poshtë thotë:

“Kurse ne nuk mohojmë se i vdekuri përfiton (nga veprat e të gjallëve), por jo me këtë ekstremizëm (teprim) që çdo vepër që e kryejmë t’ia dedikojmë atyre (të vdekurve)!![10].

Në fund thekson duke treguar shkallën e injorancës në të cilën kanë arritur muslimanët:

“Por për fat të keq njerëzit kur ta bëjnë një vepër dhe nuk u tërhiqet vërejtja (për të me kohë), ajo vepër shndërrohet nga bidati (risia) në sunet, dhe (kur dikush e mohon atë praktik më vonë) reagojnë duke bërtitur se t`i ke zili ndaj të vdekurve tanë. Të vdekurit tanë kanë nevojë pasi veprat e tyre janë të ndërprera. Atyre ne u themi: bëj lutje për ta në vend që të kryesh vepra për ta. Kryej veprat për vete kurse për ta lute Allahun. Kjo është më mirë për ty dhe ti me këtë ke aplikuar praktikën e Profetit (salallahu alejhi ue selem)[11]

Këto pra, ishin vërejtjet  që i pamë të nevojshme për t’i bërë në këtë vend. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

09.02.2007

[1] Në mungesë të librit në fjalë nuk kemi arritur t`i referohem me numër të faqes, por këto citate janë marrë nga libri që gjendet në dispozicion në internet.

[2] Këtu ka për qëllim se për çdo vepër që e bën muslimani në të ka shpërblim edhe Resulullahu (salallahu alejhi ue selem), pasi ai na mësoi dhe urdhëroi në të, prandaj është pjesëmarrës në atë të mirë. Më poshtë do të sqarohet më qartë kjo.

[3] Transmeton Muslimi, më gjërsisht, “Salatu Muëmin” Kahtani, vëll. III, f. 1364; “Ahkamul xhenaiz” Albani, f. 220-222.

[4] “Mexhmu Fetava” Ibën Tejmije”, vëll. XXIV, f. 322-323 dhe “Iktida Sirati Mustekim”, vëll. II, f. 741.

[5] ” Mexhmu fetave” Ibën Uthejmin”, vëll.XVII, f. 227 dhe “Sherhu Mumti”, vëll. V, f. 373.

[6] “Mexhmu Fetava Ibën Tejmije”, vëll.XXIV, f. 323.

[7] “Mexhmu Fetava Ibën Tejmije”, vëll. XXIV, f. 323.

[8] “Mexhmu fetava Ibën Uthejmin”, vëll.XVII, f. 227.

[9] “Sherhu Mumti”, vëll. V, f. 373.

[10] “Sherhu Mumti”, vëll. V, f. 374.

[11] “Sherhu Mumti”, vëll.V, f. 375.

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.