Pyetje: Të nderuar, pranoni urimet më të mira për këtë web që po e mbani dhe çdo ditë kemi mundësi të jemi sa më shumë të informuar me këshilla islame. Allahu xh.sh. ju shpërbleftë me të mirat e Tij për punën që po e bëni dhe këshillat që po i jepni. Pyetja ime: Pres lindjen e vajzës tash, me ndihmën e Allahut shpresoj të shkoj mirë gjithçka. Ju lutem më njoftoni se si sipas Islamit i vihet emri fëmijës – procedurat. Në cilën ditë pas lindjes duhet vënë emrin fëmijës? A duhet të thirret ezani në veshin e fëmijës dhe të vehet emri? Kjo është çka kam lexuar në një libër, procedurat e emrit të fëmijës, s’di a është e saktë kjo? Jam në pritje të përgjigjes, motra juaj.

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk ka dyshim se fëmiu është dhuratë e madhe me të cilën Allahu (azzevexhel) e nderon njeriun, dhe për të cilën njeriu duhet të jetë falenderues ndaj Zotit të tij, si dhe të zbatojë atë me të cilën e ka urdhëruar Allahu dhe e ka porositur i Dërguari i Tij (salallahualejhivelseme).
Kështuqë, pas lindjes së fëmiut, Islami ka caktuar disa gjëra të cilat duhet të praktikohen dhe janë përgjegjësi e prindit ndaj fëmiut të posalindur. Prej tyre:

1.Thirrja e ezanit (me zë të ulët) në veshin e djathtë dhe ikametit në veshin e majtë të fëmiut: Edhepse në lidhje me këtë çështje dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre:

-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se është e pëlqyer thirrja e ezanit në veshin e djathtë dhe ikametit në veshin e majtë të fëmiut. Duke u bazuar në hadithe të dobëta për thirrjen e ezanit (që sipas disa dijetarëve arrijnë në shkallën e hadithit të mirë), dhe në hadithe shumë të dobëta të cilat flasin për thirrjen e ikametit në veshin e majtë.
-E disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se është mustehab – e pëlqyer që të thirret ezani në veshin e fëmiut të posalindur, dhe atë në momentin më të afërt që mundësohet thirrja e tij pas lindjes së fëmiut, dhe jo pas një jave apo në momentin që emërtohet fëmiu. Thirrja e ezanit me emërtimin e fëmiut nuk ka të bëjë fare.

Gjithashtu sipas këtij mendimi të dijetarëve, mjafton të thirret ezani në veshin e djathtë të fëmiut, ndërsa thirrja e ikametit nuk ka nevojë të praktikohet ngase hadithi për këtë është shumë i dobët.

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Sa i përket hadithit të ikametit në veshin e majtë, është hadith i dobët, ndërsa hadithi i ezanit në veshin e djathtë, nuk ka ndonjë të keqe në të, edhepse edhe për të kanë folur dijetarët dhe kjo bëhet në momentin që lindë fëmiu.
Thotë Imam Ibn Kajjimi: Urtësia e thirrjes së ezanit është që gjëja e parë që e dëgjon njeriu të jetë emri i Allahut, dhe dëshmia e fjalës me të cilën hyn njeriu në Islam. (Tuhfetul vedud bi ahkamil meulud)

-Ndërsa disa të tjerë prej dijetarëve janë të mendimit se nuk është e pëlqyer fare thirrja e ezanit e as e ikametit për fëmiun e posalindur, ngase të gjitha transmetimet të cilat flasin për këtë çështje janë të dobëta. Ky është dhe mendimi i Imam Malikut (rahimehullah). Ndërsa hadithin e thirrjes së ezanit, shumica e dijetarëve e kanë llogaritur të dobët.
Kështuqë mendimi të cilin mendojmë se është më i saktë, është se nuk ka nevojë të thirret ezani e as ikameti në veshin e fëmiut, ngase për këtë nuk ka argumente të cilat vërtetojnë se një gjë e tillë është prej sunetit të Pejgamberit (salallahualejhiveselem).

Argumentet e atyre të cilët mendojnë se është sunet:

Transmetohet nga Ebu Rafiu i cili thotë: “E kam parë Pejgamberin (salallahualejhiveselem) duke e thirrur ezanin në veshin e Hasanit të birit të Aliut, në atë moment që Fatimeja e lindi atë”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, ndërsa Imam Ibn Haxheri thotë se hadithi është i dobët – Telhisul Habir 4/149)

Transmetohet nga Ibn Abasi i cili thotë se: “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) e thirri ezanin në veshin e Hasanit të birit të Aliut, në atë ditë që lindi ai. E thirri ezanin në veshin e djathtë të tij, dhe ikametin në veshin e majtë të tij”. (Transmeton Bejhekiu, ndërsa ky hadith është i shpifur. Në transmetimin e tij gjendet Hasen ibn Amër ibn Sejfi, për të cilin imam Buhariu thotë se është gënjeshtar – Tarihul Kebir 2/299)
Dhe transmetime tjera të ngjashme me këto, të cilat dijetarët i kanë klasifikuar në hadithe të dobëta apo të shpifura.
Thotë Muhadithi Sulejman bin Nasir Ulvan: Nuk ka ndonjë argument të vërtetë në lidhje me këtë çëshjte, andaj edhe thirrja e ezanit (në veshin e fëmiut) nuk është mustehab (e pëlqyer).

Kështuqë muslimani nuk ka nevojë të veprojë një gjë të tillë, ngase argumentet që flasin për këtë janë të dobëta. Edhepse ata të cilët përkrahin mendimin e dijetarëve të cilët thonë se është mustehab, mund të veprojnë me mendimin e tyre, për t’ia mundësuar fëmiut që të dëgjojë së pari herë emrin e Allahut. Edhepse kjo nuk i bën dobi atij, nëse ai nuk e pason fjalën e Allahut pasi të rritet. Sa prej njerëzve që iu është thirrur ezani, sot ia kanë kthyer shpinën Dinit të Allahut, dhe nuk iu ka bërë dobi dëgjimi i emrit të Allahut për herë të parë në jetën e tyre?! Dhe sa prej njerëzve që nuk iu është thirrur ezani fare, dhe kanë lindur në familje të jomuslimanëve, sot e kanë përqafuar Islamin dhe janë prej njerëzve më të devotshëm?! Gjithashtu, fëmiut të posalindur edhe nëse i këndohet në vesh ndonjë gjë, ai nuk është në gjendje të kuptojë dhe të mbajë në mend asgjë prej asaj që i është kënduar.

Allahu e di më së miri
Hoxhë Omer Bajrami

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.