E pyet nxënësi mësuesin:- Ju jeni i mençur, gjithmonë ju shoh të disponuar, e kurrë të zemëruar … Më ndihmoni që edhe unë të bëhem si ju.

Mësuesi u pajtua dhe kërkoi nga nxënësi t’ia sjell një patate dhe një qese transparente. – Kur të zemërohesh në dikë dhe zemërimin tënd mundohesh ta fshehësh, merre një patate, në njërën anë të patates shkruaje emrin tënd ndërsa në anë tjetër emrin e personit në të cilin je zemëruar, e pastaj fute atë në qese, tha mësuesi.– Kjo është e gjitha? – pyeti nxënësi i habitur. – Jo, u përgjigj mësuesi, këtë qese duhet gjithmonë ta mbash me vete, dhe çdo herë që ndihesh i zemëruar në të fute nga një patate. Nxënësi u pajtua.

Kaloi një kohë. Qesja u mbush me patate dhe u bë mjaft e rëndë. Ishte vështirë të mbahej me vete. Përveç kësaj patatet, të cilat ishin vendosur në fillim filluan të prishen. Disa filluan të mugullojnë e disa ishin kalbur dhe kundërmonin erë të keqe. Nxënësi erdhi te mësuesi dhe i tha: – Është e pamundur që këtë qese ta mbaj me vete. Së pari, qesja është shumë e rëndë, dhe së dyti, patatet janë prishur. Më sugjero diçka tjetër.

Mësuesi u përgjigj: – E njëjta gjë ndodh edhe me shpirtin tënd. Kur zemërohesh në dikë, në shpirtin tënd krijohet një gur i rëndë edhe pse ti këtë nuk e vëren menjëherë. Pastaj guri fillon e bëhet edhe më i rëndë. Veprimet shndërrohen në shprehi, shprehitë në karakter i cili ushqen veset që kundërmojnë, dhe ngarkesa, të cilën ne mendojmë se është e lehtë, fillon të rëndohet, e ne vazhdimisht e bartim me vete.

Unë të dhash mundësinë që tërë këtë proces ta shohësh nga kjo anë. Sa herë që vendos të zemërohesh ose ta fyesh dikë, mendo se a dëshiron ta bartësh këtë gurë me vete“